Motivuese

Këto janë kohërat e imoralitetit, shtatzënive të padëshiruara dhe aborteve (“vrasjeve”) të shpeshta…

Janë kohëra të çuditshme këto në të cilat po jetojmë, apo jo? Duket sikur kemi ngecur në këtë paradoks të çuditshëm ku shohim ndërtesa të larta, por karaktere të ulëta; shpenzojmë më shumë lekë nga sa kemi, por shpenzojmë më pak kohë me njerëzit që i duam në të vërtetë. I urrejmë punët tona, por shpenzojmë më tepër kohë në punë. Në këto kohëra kemi më tepër njohuri, por më pak pjekuri. Edhe pse kemi ekspertë të shumtë në fusha të ndryshme, sërish kemi më tepër probleme, pasi njerëzit pijnë më tepër duhan, alkool, drogë, si dhe qeshin më pak…

Mërzitemi shumë shpejt, shohim më tepër televizor, nuk lexojmë mjaftueshëm libra dhe me shumë mundësi, as që lutemi mjaftueshëm. Kemi shtuar numrin e pronave tona, por kemi pakësuar vlerat tona. Kemi mësuar të flasim më tepër, por kemi harruar të bëjmë një hap pas dhe ta dëgjojmë dikë që vërtet ka nevojë të dëgjohet. Duket sikur nuk duam mjaftueshëm, por sikur urrejmë pamasë. Jemi kaq të shpejtë në paragjykime, por kaq të ngadaltë për ta pranuar dikë ashtu siç është.

Kemi arritur deri në Hënë, por përsëri mezi e kalojmë ndonjëherë rrugën për të vizituar një fqinj e për të bërë pak muhabet me të. Flitet vazhdimisht se si mund të pastrohet ajri në atmosferë, por ne vazhdojmë t’i ndotim shpirtrat tanë. Jemi shumë të shpejtë për të pranuar një kërkesë për shoqëri online, por shumë të ngadaltë (shpesh nuk e bëjmë fare) që ta pranojmë dikë që nuk është si ne. Janë ndërtuar më shumë kompjutera, përherë e më të sofistikuar, por ne ndihemi më bosh brenda vetes.

Këto janë kohërat e fast food-eve, tretjes së ngadaltë të ushqimeve, problemeve shëndetësore, njerëzve të gjatë, por me karaktere të shkurtra. Vërtet kemi më tepër ushqime nga sa kishim më parë në dispozicion, por kemi më pak ushqime të shëndetshme. Këto janë kohërat e divorceve të panumërta, e shtëpive të mëdha e moderne, por që duken ekstremisht bosh. Janë kohërat e imoralitetit, marrëdhënieve thjesht për një natë, shtatzënive të padëshiruara dhe aborteve (“vrasjeve”) të shpeshta.

Por si t’i ndalojmë këto kohëra? Si mund ta ndalim këtë rreth vicioz që duket sikur nuk do të ketë kurrë një fund? Unë mendoj se ajo që duhet të bëjmë, është ta largojmë veten tonë prej tij, të qetësojmë mendjet tona dhe ta pyesim veten tonë se çfarë duam ne të ndryshojmë. Ashtu siç Gandhi ka thënë: “Ne thjesht duhet të bëhemi ndryshimi që duam të arrijmë”, sepse duket sikur çdokush kërkon të ndryshojë, por shumë pak duan të ndryshojnë. Duhet kurajo të hedhësh një hap pas dhe ta pyesësh veten se çfarë duhet të ndryshosh.

Ne vërtet nuk mund t’i ndryshojmë të tjerët rreth nesh, por duke ndryshuar vetë, mund t’i nxisim të tjerët të duan të ndryshojnë, gjithashtu. Ne nuk e dimë, por ndoshta ky ndikim do të sjellë ndryshimin, për të cilin bota ka nevojë për momentin…

Leave a Reply

Back to top button