Uncategorized

Këto janë shenjat e stresit në organizmin tuaj, të cilat nuk duhet t’i injoroni

Stresi është padyshim një nga patologjitë më të diskutuara të momentit, por dhe një nga ato patologji që neglizhohen shumë prej nesh, pavarësisht simptomave të shumta në organizëm, dhe sidomos në shëndetin tonë mendor. Në shoqërinë e sotme moderne niveli i stresit është rritur shumë dhe përbën një rrezik të lartë për një sërë patologjish të tjera me natyrë psikologjike dhe psikiatrike, si ankthi, depresioni, dhe në rastet më të rënda, vetëvrasja. Kohët e fundit shumë mjekë kanë evidentuar edhe një varësi të drejtë midis niveleve të larta të stresit dhe mundësisë për zhvillimin e tumoreve.

Mirëpo ka disa shenja të shpejta që organizmi ynë i shfaq në raste stresi, si dhimbja e kokës, apo ulja e libidos duke rezultuar në ulje të dëshirës për raporte seksuale. Duhet përmendur gjithashtu edhe sindromi i intestinit të irrituar, i cili në fakt është një kompleks simptomash që përfshin dhimbjen e zorrëve, meteorizmin dhe alterimet e defekimit. Stomaku dhe zorrët e holla janë më të predispozuara të vendosen në “stres” fiziologjik gjatë periudhave stresuese, duke rezultuar në dëmtime të shprehura në rastet e niveleve të larta të stresit.

Duke mbetur në traktin gastrointestinal, nuk duhen lënë pa përmendur edhe alterimet e të ushqyerit. Stresi mund të na çojë drejt dy ekstremeve, ose të na e ndërpresë oreksin, ose të na e shtojë atë (simptomë e njohur si “uria nervoze”). Në rastin e dytë, risku për të shkuar drejt obezitetit në situata stresuese afatgjata është tepër i lartë. Jo rrallë personat obezë që kalojnë nëpër periudha stresuese, arrijnë sërish në peshën ideale, vetëm pasi arrijnë qetësinë mendore.

Edhe mbrojtja imunitare preket prej stresit. Është vënë re se periudhat stresuese çojnë në ulje të mbrojtjes imunitare dhe në shtim të riskut për t’u sëmurur, sidomos nga sëmundje infektive, sepse imuniteti jonë do të jetë i paaftë për të na mbrojtur prej mikroorganizmave që na “sulmojnë” përditë nga mjedisi i jashtëm.

Nivelet e larta të stresit çojnë gjithashtu në zhvillimin edhe të patologjive kardiake, siç mund të jetë në rastet më të rënda edhe infarkti i miokardit. Stresi rrit presionin e gjakut, duke dëmtuar arteriet dhe duke shtuar riskun për zhvillim të trombozave, dhe jo vetëm : personat shumë të stresuar kanë më shumë mundësi për zhvillim të iktusit dhe aneurizmave, sidomos pas moshës 50 vjeçare kur arteriet janë tashmë të dëmtuara prej aterosklerozës.

Mbani mend se stresi në nivele të ulëta është i nevojshëm, sepse e mban organizmin tonë të gatshëm të veprojë ndaj situatave që mbartin rrezik. Ndërkohë në nivele të larta, stresi bëhet një faktor risku për gjithë simptomat dhe patologjitë e tjera të përmendura më sipër. / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button