Ekonomi

Kina dhe qeverisja globale

Screen Shot 2015-04-02 at 10.42.02

nga Javier Solana

Fakti është që nismat e reja të Kinës nuk janë revizioniste, por reaguese. Nëse fuqive të reja nuk u lejohet qasja në strukturat ekzistuese të qeverisjes globale, ato do të krijojnë struktura të tyret. Kjo nënkupton që vendet e përparuar e kanë vetë në dorë që të parandalojnë fragmentimin e rendit ndërkombëtar në blloqe ideologjikë dhe ekonomikë – por vetëm nëse lënë pas mosbesimin strategjik që kanë ndaj Kinës

Mund ta themi me sigiuri se zhvillimi gjeostrategjik më i qëndrueshëm i dy dekadave të fundit ka qenë ngjitja e Kinës. Megjithatë, Perëndimi nuk ka arritur t’i “akordojë” Kinës – për të mos folur për ekonomitë e tjera të mëdha në zhvillin – atë masë ndikimi që ajo meriton, në qeverisjen e strukturave të sotme të qeverisjes globale. Tani, kjo mund të ndryshojë.

Kështu si është situata sot, Kina mbështetet në marrëveshjet dypalëshe për të thelluar angazhimin e saj në vende përgjatë Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine. E mbështetur nga afro 3.8 miliardë dollarë rezerva valutore, Kina ka ofruar investime në infrastrukturë, në këmbim të mallrave, duke u shndërruar kështu në ofruesin më të madh botëror të financimeve për vendet në zhvillim, teksa tashmë Banka Kineze e Zhvillimit ofron më shumë hua se sa Banka Botërore.

Por, duke qenë se këto marëveshje dypalëshe vihen në zbatim prej kompanive shtetërore, ato shpesh herë nuk u përmbahen praktikave më të mira ndërkombëtare. Kështu që, Perëndimi i ka bërë thirrje Kinës të shkojë drejt proceseve shumëpalësh që plotësojnë standartet ndërkombëtarë, si edhe të bëjë më shumë për të ofruar shërbime publike në nivel global. Presidenti i SHBA, Barack Obama ka shkuar aq larg sa e ka quajtur Kinën një “kalorës i lirë e i vetmuar”, për mospërmbushjen nga ana e saj e përgjegjësive që shumëkush do të priste prej një fuqie globale.

Por, nëse nismat e fundit në politikën e jashtme që ka ndërmarë presidenti kinez, Xi Jinping janë një tregues, atëherë ndryshimi mund të jetë pranë. Në korrik të vitit që kaloi, Kina udhëhoqi krijimin e Bankës së Re për Zhvillim nga pesë shtetet e BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) si dhe kontribuoi në mënyrë domethënëse me 100 miliardë dollarë.

Po kështu, në takimin e fundit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në Pekin, Kina udhëhoqi krijimin e Bankës Aziatike për Investime në Infrastrukturë (AIIB). Dhe ajo ka krijuar tashmë një Fond të Rrugës së Mëndafshit prej 40 miliardë dollarësh, për të mbështetur ambiciet e saj, për rikrijimin e udhëve të lashta tregtare, rrugore dhe detare, që lidhnin Azinë me Europën. 

Në implementimin e strategjisë së saj të ashtuquajtur “një rrip, një rrugë”, Kina do të ndjekë investime që prekin afro 60 shtete – duke përfshirë Azinë Qendrore, ku portofoli i saj përmban tashmë projekte me vlerë mbi 50 miliardë dollarë. Rruga detare do të përfshijë Oqeanin Indian, Detin e Jugut të Kinës, dhe Mesdheun. Së bashku, do të formojnë jo një rrugë, por një rrjet të tërë për të lehtësuar transferimin e mallrave dhe ideve përgjatë Eurazisë.

Roli i Europës në këtë nismë ka nisur të shfaqet tashmë me portin grek të Pireut, që kontrollohet pjesërisht prej kompanisë shtetërore kineze COSCO, dhe që do të shërbejë si një ndalesë në këtë rrugë detare. Porti i Pireut do të jetë i lidhur me pjesën tjetër të Europës përmes infrastrukturës së financuar nga kinezët në Ballkan dhe në Hungari, duke e konsoliduar kështu pozicionin e Kinës si partneri kryesor tregtar i Bashkimit Europian.

Nosma e Rrugës së Re të Mëndafshit rikonfirmon dëshirën e Kinës për t’u shfaqur si fuqi Euraziatike. Jo vetëm që ajo do të lidhë nyjet ekonomike dinamike të Azisë Lindore dhe Europës Perëndimore; ajo do të hapë gjithashtu portat drejt vendeve të Azisë Qendrore, ku influenca e Rusisë është në rënie. Mund të ndihmojë gjithashtu për lehtësimin e tensioneve territorialë mes Kinës dhe fqinjësisë së saj të afërt.

Deri tani, përpjekjet e Kinës për të rritur ndikimin e saj duket se po funksionojnë – dhe jo vetëm në botën në zhvillim. Mbretëria e Bashkuar kohët e fundit shpalli qëllimin e saj për të qenë anëtar themelues i AIIB, duke nxitur kështu një vërshim aplikimesh nga shtete si Australia, Brazili, Franca, Gjermania, Korea, Rusia, Turqia dhe Spanja.

Ndërkohë, në SHBA, zhvillime të tilla shihen si sprapsje gjeopolitike. Ky interpretim është në themel i gabuar. Në fund të fundit, vendimi i Kinës për të anashkaluar institucionet kryesorë financiarë ndërkombëtarë, të cilët u krijuan pas Luftës së Dytë Botërore, është shkaktuar prej refuzimit të vendeve në zhvillim që i udhëheqin këta institucione, për t’i dhënë Kinës një rol në raport të drejtë me fuqinë e saj ekonomike.

Për shembull, në Bankën Aziatike për Zhvillim, Japonia dhe SHBA secila pretendojnë afro 13% të votave, krahasuar me më pak se 6% për Kinën, dhe presidenti është gjithmonë japonez. Një situatë e ngjashme mbizotëron në Bankën Botërore, ku në krye është gjithmonë një amerikan, si dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar, ku Drejtori i Përgjithshëm është gjithmonë një europian/e. Ndonëse vendet e G-20-ës ranë dakord në vitin 2010 që të rrisin kuotën e Kinës në FMN nga 3.65% në 6.19% – një hap i vogël në drejtimin e duhur – Kongresi i SHBA ka refuzuar që ta ratifikojë marrëveshjen, duke penguar kështu zbatimin e reformave.

Fakti është që nismat e reja të Kinës nuk janë revizioniste, por reaguese. Nëse fuqive të reja nuk u lejohet qasja në strukturat ekzistuese të qeverisjes globale, ato do të krijojnë struktura të tyret. Kjo nënkupton që vendet e përparuar e kanë vetë në dorë që të parandalojnë fragmentimin e rendit ndërkombëtar në blloqe ideologjikë dhe ekonomikë – por vetëm nëse lënë pas mosbesimin strategjik që kanë ndaj Kinës.

Në këtë kuptim, pjesëmarrja e më shumë vendeve europianë në AIIB është një zhvillim pozitiv, pasi ndihmon për të garantuar që banka e re plotëson, dhe nuk rivalizon, institucionet ekzistues (Në fakt, impakti i Europës do të ishte edhe më i madh nëse BE, dhe jo shtetet anëtarë të saj, do të përfaqësohej në AIIB, ashtu si bën në G-20 dhe OBT).

Perëndimi duhet të bëjë edhe më shumë, jo vetëm të mirëpresë Kinën në tryezën e qeverisjes globale, por edhe të pranojë dhe bashkëpunojë me institucionet që kinezët po i krijojnë tani. Vetëm me një qasje të hapur, udhëheqësit perëndimorë mund të sigurojnë që institucionet e udhëhequr nga kinezët do të adoptojnë praktikat më të mira të multilateralizmit dhe llogaridhënies, dhe që ata t’u përmbahen standarteve ndërkombëtarë të punësimit dhe mjedisit.

Tani është koha ideale për ta nisur këtë proces. nëse BE, SHBA dhe Kina bashkërendojnë objektivat e tyre gjatë këtij viti, bazuar mbi interesat e përbashkët, atëherë do të jenë të përgatitur për të marrë maksimumin nga samiti i G-20 në Kinë në vitin 2016.

Lëvizja e Kinës drejt proceseve shumëpalësh është lajm i mirë për botën. Europa – dhe sidomos SHBA – duhet të lënë pas mosbesimin strategjik ndaj Kinës. Ata nuk duhet të hedhin tutje shansin për të marrë pjesë dhe për t’u dhënë formë këtyre proceseve, me qëllim që përfitimet të ndahen sa më gjerësisht që të jetë e mundur.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – China and Global Governance

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button