
Kina mbetet në hije gjatë konfliktit ku po goditet Irani, por mund të bëhet vendimtare në fazën e pasluftës, mes inteligjencës, ndihmës ushtarake dhe naftës iraniane me kushte të favorshme
Lufta mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit vazhdon pa ndërprerje, duke tronditur thellë ekuilibrat e të gjithë Lindjes së Mesme. Shumëkush pyet se çfarë po bën Kina, e cila deri më tani ka qëndruar në prapavijë (përtej ndarjes me Teheranin të imazheve dhe informacionit satelitor të rëndësishëm), duke u kufizuar në thirrje për zgjidhje diplomatike të konfliktit.
Megjithatë, është pikërisht në një fazë të dytë, në skenarin e pasluftës, ku mund të shfaqet realisht “Dragoi”. Deri tani, Kina është përqendruar në mbrojtjen e interesave të saj energjetike dhe në përgatitjen për një rol më aktiv pas përfundimit të luftimeve. Një Iran i goditur rëndë në infrastrukturën ushtarake mund t’i drejtohet Pekinit për të përshpejtuar rindërtimin e kapaciteteve mbrojtëse, duke ofruar në këmbim furnizime energjetike me kushte të favorshme.
Variabla kineze në skenarin e pasluftës
Siç ka raportuar gazeta izraeliane Haaretz, në fund të konfliktit, veçanërisht nëse në Teheran mbetet në pushtet lidershipi aktual, mund të krijohet një aks i ri Kinë–Iran (një “aks 2.0”), i cili, nëse konsolidohet, rrezikon të ndryshojë rezultatet e arritura në terren nga Uashingtoni dhe Tel Avivi.
Në mënyrë konkrete, Pekini mund të luajë një rol vendimtar në uljen e kohës që i duhet Republikës Islamike për të rikthyer kapacitetet e saj ushtarake. Gjiganti aziatik ka treguar tashmë gatishmëri për të mbështetur Teheranin në mënyrë indirekte, për shembull përmes furnizimeve me materiale strategjike të dobishme për prodhimin e raketave.
Në të njëjtën kohë, prania e aseteve detare dhe të inteligjencës kineze në rajon sugjeron një interes aktiv për të vëzhguar zhvillimet e konfliktit, veçanërisht për të studiuar nga afër operacionet amerikane.
Bashkëpunimi mes Iranit dhe Kinës, tashmë i konsoliduar në planin ekonomik dhe energjetik, mund të zgjerohet edhe në sektorin ushtarak, duke krijuar një sinergji të aftë të zbusë ndikimin e sanksioneve ndërkombëtare dhe dëmet e shkaktuara nga lufta.
Kina, Irani dhe faktori energjetik
Në këtë kontekst, energjia mbetet elementi kyç. Kina është blerësi kryesor i naftës iraniane dhe ka interes të drejtpërdrejtë për të garantuar stabilitetin e flukseve përmes Ngushticës së Hormuzit, një nyje kritike për tregtinë globale.
Pavarësisht tensioneve dhe sulmeve në rajon, furnizimet drejt Pekinit nuk janë ndërprerë, çka tregon për një mirëkuptim të heshtur mes dy vendeve. / bota.al