BotaMAIN

Kina ka shtrirë influencën kudo në botë. Si do të përgjigjet Amerika?

Gjatë mandatit të tij të parë si president, Donald Trump ndryshoi politikën amerikane ndaj Kinës, duke e cilësuar atë si kërcënimin kryesor ekonomik dhe të sigurisë për Shtetet e Bashkuara. Më pas, duke nisur mandatin e tij të dytë në janar, ai përdori fjalimin e inaugurimit për të treguar se ku do të hapte një sfidë të re kundër këtij kërcënimi të perceptuar: në Panama.

Aty, Kina kishte ndërtuar influencën e saj përmes Iniciativës Brez dhe Rrugë, programit disa trilionë dollarësh të huadhënies për infrastrukturë, të cilin Pekini e ka përdorur për të vendosur ndikimin e tij në më shumë se 150 vende.

Premtimi i Trump-it për të rimarrë kanalin dhe për të larguar Kinën është pjesë e një qasjeje më të gjerë, ende në zhvillim, për t’iu kundërvënë Pekinit në ato vende ku mungesa e pranisë ose interesit të SHBA-së ka lejuar një partner të ri të futet në lojë.

Goditja ndaj ndikimit të Kinës në Amerikën Qendrore

Në ditët e para të mandatit të tij të dytë, Trump dërgoi diplomatin më të lartë amerikan, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, në një destinacion të papritur për vizitën e tij të parë jashtë vendit: Panama. Amerika Qendrore u bë qendra e planit të Trump-it për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në ‘oborrin e pasmë’ të Shteteve të Bashkuara. 4% e tregtisë globale kalon përmes Kanalit të Panamasë, një korridor 80 km i gjatë që lidh Oqeanin Paqësor me Atlantikun. Trump kërcënoi të merrte kontrollin e kanalit.

Vendimi ishte i qartë. Panama kishte qenë vendi i parë në Amerikën Latine që i ishte bashkuar Iniciativës Brez dhe Rrugë të Pekinit në vitin 2017. Po atë vit, Panamaja shkëputi marrëdhëniet diplomatike me Tajvanin, duke krijuar lidhje me Kinën.

Që nga ajo kohë, Kina ka ndërtuar ose financuar: Një urë mbi Kanalin e Panamasë. Një linjë të re metroje. Një terminal për kroçera. Një qendër mbledhjesh e konventash. Një fermë me energji të erës.

Përveç këtyre projekteve, një kompani me bazë në Hong Kong ka operuar infrastrukturën portuale në të dy anët e kanalit. Trump pretendon se këto veprime shkelin traktatet SHBA-Panama, të cilat kërkonin që kanali të mbetej neutral pas dorëzimit nga SHBA-ja 25 vjet më parë.

Ndryshimi i pronësisë dhe shqetësimet e SHBA-së

Javën e kaluar, u njoftua se një grup investitorësh të udhëhequr nga BlackRock kishin rënë dakord të blinin shumicën e aksioneve të porteve për rreth 23 miliardë dollarë. Ndryshimi i pronësisë mund të ndihmojë në qetësimin e meraqeve që ka administrata Trump. Megjithatë, një drejtues i kompanisë portuale me bazë në Hong Kong tha se marrëveshja ishte thjesht tregtare.

Vetë Sekretari i Shtetit Marco Rubio sqaroi shqetësimet e SHBA-së në një intervistë për Fox News: “Infrastruktura në pronësi të Kinës i jep Pekinit ndikim mbi këtë rrugë ujore kyçe”, tha ai.

Para nisjes së tij për një tur në pesë shtete në Amerikën Qendrore, Rubio shkroi një editorial në The Wall Street Journal, ku deklaroi: “Partia Komuniste Kineze përdor presion ekonomik dhe diplomatik, madje edhe në Kanalin e Panamasë, për të shndërruar kombet sovrane në shtete vasale.”

Nga ana e saj, Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se respekton sovranitetin e Panamasë mbi kanalin dhe se Kina kurrë nuk ka marrë pjesë në menaxhimin ose operimin e tij.

Trump: “Do ta rimarrim Panamanë”

Në një deklaratë të fortë, Trump paralajmëroi: “Nëse Panama nuk kufizon ndikimin e Kinës, ne do ta marrim përsëri. Ose do të ndodhë diçka shumë e fortë”. Por presidenti ndeshi në kundërshtime të shumta. Zyrtarët panamezë dhe disa ish-oficerë të ushtrisë amerikane, përfshirë një ish-komandant të NATO-s, thanë se infrastruktura kineze në Panama nuk shkel neutralitetin e kanalit. Për më tepër, ata argumentuan se Panamaja nuk është nën ndikimin e Pekinit.

Zhvillimi më i madh

Gazetarja Vera Bergengruen, e cila shoqëroi Rubio në Amerikën Latine, raportoi se kërcënimet e administratës u dëgjuan qartë. Kur Rubio mbërriti në Panama City, ai përcolli një ultimatum nga Trumpi. Ai i tha presidentit panamez, José Raúl Molino, se Panamaja duhet të kufizojë praninë e Kinës rreth Kanalit të Panamasë, përndryshe do të përballej me një reagim të papërcaktuar nga SHBA-ja. Por pas dyerve të mbyllura, sipas burimeve, takimi ishte produktiv. Zyrtarët panamezë ishin shumë të gatshëm t’i tregonin administratës Trump se ishin të hapur për të kufizuar ndikimin kinez dhe për të mirëpritur investime amerikane.

Rezultati më i madh? Presidenti Molino njoftoi se Panamaja do të largohet nga programi ‘Brez dhe Rrugë’ kur të skadojë marrëveshja e saj e financimit me Kinën. Madje, ai do të kërkojë ta përfundojë marrëveshjen edhe më herët. Ky ishte një kompromis i madh për qeverinë e tij. Por është e rëndësishme të kujtojmë se Molino është një president shumë pro-amerikan, i cili kërkon të rreshtojë vendin e tij me SHBA-në përballë Kinës.

A funksionon gjithmonë presioni?

Kjo taktikë e ushtrimit të presionit mund të mos jetë aq produktive me liderët që kanë një marrëdhënie të ngrohtë me Pekinin. Një zëdhënës në Departamentin e Shtetit tha se dalja e Panamasë nga iniciativa ‘Brez dhe Rrugë’ dëshmon se qasja e administratës Trump në diplomaci funksionon.

Megjithatë, është ende herët për të thënë çfarë do të thotë në praktikë largimi i Panamasë nga programi. Është e vështirë të imagjinohet që një komb i vogël t’i kthejë plotësisht shpinën ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Sa i përket pyetjes nëse Uashingtoni do të ushtrojë presion mbi vende të tjera për të ndërprerë lidhjet me Pekinin ose investimet e tij si një kusht për të punuar më ngushtë me SHBA-në, Departamenti i Shtetit refuzoi të komentonte.

Perëndimi përballet me sfidën e financimeve të Kinës në vendet në zhvillim. Ndërsa Kina ka financuar gjithnjë e më shumë projekte në vendet në zhvillim në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine – shpesh të quajtura ‘Jugu Global’ – SHBA-ja ka hasur vështirësi për t’u përgjigjur.

Rana Mitter, profesor i marrëdhënieve SHBA-Azi në Harvard Kennedy School, shpjegon: “Një nga sfidat më të mëdha që ‘Jugu Global’ i ka paraqitur Perëndimit është qasja e shpejtë dhe e lirë ndaj financimeve nga Kina. Shumë vende kërkonin investime të menjëhershme, veçanërisht në infrastrukturë. Që nga fillimi i viteve 2020, Perëndimi dhe SHBA-ja kanë gjetur vetëm përgjigje të pjesshme ndaj kësaj sfide.

Si është përgjigjur SHBA?

Në vitin 2019, gjatë mandatit të parë të Trump-it, SHBA krijoi Korporatën Ndërkombëtare të Financave për Zhvillim (DFC) për të ndihmuar në financimin e projekteve, përfshirë infrastrukturën, në vendet në zhvillim. Deri në dhjetor, DFC kishte investuar gati 50 miliardë dollarë në 114 vende.

Po atë vit, Trump ri-autorizoi Bankën e Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, ekuivalenti amerikan i bankave të politikave të Kinës, të cilat financojnë huadhëniet ndërkombëtare të Pekinit. Gjithashtu, Uashingtoni ushtroi me sukses presion mbi aleatët e tij evropianë për të përjashtuar Huawein nga rrjetet 5G, duke argumentuar se kompania kineze përbënte një kërcënim për spiunazh.

A ka qenë e suksesshme qasja e Perëndimit?

Gjatë administratës Biden, SHBA dhe partnerët e saj vazhduan të kërkojnë mënyra për të kombinuar financimin publik dhe privat për të ofruar një alternativë ndaj huadhënieve kineze. Por, në përgjithësi, Perëndimi nuk ka qenë në gjendje të konkurrojë me modelin e Kinës, e cila ofron financim të drejtpërdrejtë dhe me më pak kushte.

David Sacks, studiues në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë (CFR), drejtoi një grup pune mbi nismën ‘Brez dhe Rrugë’, bashkë me ekspertë nga sektori privat dhe ish-zyrtarë qeveritarë. Ata konkluduan se ‘Brez dhe Rrugë’ paraqet rreziqe të mëdha për interesat ekonomike, politike, të sigurisë, klimës dhe shëndetit të SHBA-së në nivel global.

Përgjigja e SHBA-së ka qenë e pamjaftueshme. Sipas Sacks, një administratë e dytë Trump e bazuar në transaksione do ta bëjë më të vështirë konkurrimin me Kinën. Të përballesh me ‘Brez dhe Rrugë’ kërkon një vizion afatgjatë. Gjithashtu, nevojitet një qasje më e gjerë mbi kostot dhe përfitimet e ndihmës ndërkombëtare.

Perëndimi nuk duhet të përpiqet të barazohet me Kinën në shpenzime, sepse SHBA nuk mund të konkurrojë me Kinën duke ofruar të njëjtin model financimi për infrastrukturën. Në vend të kësaj, duhet të përqendrohet në sektorë strategjikë ku mund të jetë konkurruese.

Një shembull i kësaj qasjeje është Korridori Lobito në Afrikë. Kjo hekurudhë 800-milje kalon përmes Angolës. Një plan për ta modernizuar dhe zgjeruar atë, i mbështetur nga SHBA dhe Evropa, është parë si një model për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës në infrastrukturën afrikane.

Pse është e rëndësishme kjo? Angola ka marrë më shumë hua për infrastrukturë nga Kina se çdo vend tjetër në Afrikë, mbi 45 miliardë dollarë. Por disa vite neglizhencë e lanë hekurudhën Lobito në gjendje të keqe, me stacione të shkatërruara dhe pajisje që operatorët vendas nuk dinin si t’i përdornin ose riparonin. Në vitin 2022, Angola refuzoi një ofertë kineze për të rikonstruktuar hekurudhën, duke zgjedhur në vend të saj një plan të propozuar nga një konsorcium evropian me mbështetje amerikane.

Gjatë presidencës së tij, Joe Biden e bëri përparësi politikën e lidhjeve tregtare me Afrikën. Korridori Lobito shihet si një model për mënyrën se si Perëndimi mund të ofrojë alternativa ndaj huave kineze. “Sepse Shtetet e Bashkuara e kuptojnë që mënyra se si investojmë në Afrikë është po aq e rëndësishme sa edhe shuma që investojmë atje.” Kjo ishte deklarata e Biden-it dhjetorin e kaluar, kur ai udhëtoi në Angola në vizitën e tij të fundit ndërkombëtare si president.

Gjatë kësaj vizite, ai njoftoi mbi 560 milionë dollarë financime të reja për Korridorin Lobito, duke e çuar investimin e përgjithshëm të SHBA-së në të mbi 4 miliardë dollarë.

Çfarë do të thotë kjo për Perëndimin? SHBA dhe Evropa do të ndihmojnë në lidhjen e rajonit të pasur me bakër të Zambisë dhe minierave të bakrit, litiumit dhe kobaltit në Republikën Demokratike të Kongos me portin e Lobitos në bregun Atlantik të Angolës. Kjo do t’i mundësojë SHBA-së të ketë akses në tregtinë e mineraleve kritike në rajon, një treg që deri më tani ka qenë nën dominimin e Kinës. Gjithashtu, do të përshpejtojë transportin e këtyre mineraleve të rëndësishme për energjinë e gjelbër drejt SHBA-së.

Pak muaj më parë, Republika Demokratike e Kongos dërgoi ngarkesën e saj të parë me bakër përmes kësaj hekurudhe drejt SHBA-së.

A mund ta vazhdojë këtë qasje administrata Trump? Zyrtarët e Biden-it në Angola ishin shumë të qartë: Ata kishin dëgjuar nga shumë ligjvënës republikanë dhe zyrtarë të Trump-it se ishin të interesuar të vazhdonin këtë projekt. Interesi është i lartë, sepse është një mundësi fitimprurëse, por gjithashtu një model që mund të kopjohet në kontinente të tjera.

Sipas Peter Pham, ish-i dërguari special i Trump-it për rajonet e Sahelit dhe Liqeneve të Mëdha të Afrikës: Axhenda ‘America First’ dhe ‘Make America Great Again’ nuk mund të realizohet pa burime natyrore dhe akses në tregje. Fokusi te projektet që sigurojnë mineralet kritike, si ato në Angola, përputhet me synimin e Trump-it për të rindërtuar bazën industriale të SHBA-së. Nuk është në interesin e SHBA-së – dhe as të vendeve afrikane – që ndonjë fuqi e jashtme, e aq më pak Kina, të monopolizojë këto zinxhirë furnizimi.

Lëvizja më e madhe e Trump-it: Mbyllja e USAID

Në muajin e parë të mandatit të tij të dytë, shumë nga veprimet e Trump-it kanë tronditur rendin diplomatik global dhe rolin udhëheqës të Amerikës. Por lëvizja më radikale ishte mbyllja e USAID-it.

Pse ka rëndësi kjo?

USAID është një agjenci 40 miliardë dollarëshe që ndihmon rreth 130 vende në luftën kundër urisë, sëmundjeve dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Shumë ligjvënës, përfshirë republikanët, e shohin atë si një mjet të rëndësishëm të ndikimit amerikan përballë Kinës. Marco Rubio, për shembull, ka paralajmëruar prej kohësh për rreziqet e programit ‘Brez dhe Rrugë’ dhe ka mbështetur USAID-in si një kundërpeshë ndaj tij.

Në një fjalim të vitit 2013, Rubio tha: “Ne nuk jemi të detyruar të japim ndihma të huaja. Ne e bëjmë këtë sepse u shërben interesave tona kombëtare.”

Pothuajse brenda natës, Trump e shkatërroi USAID-in, duke argumentuar se puna e tij nuk përputhej me interesat amerikane. Rubio mbeti në krye të një programi ndihme të reduktuar ndjeshëm, ndërsa punonjësit e ndihmave të huaja dhe demokratët paralajmërojnë se ky vakum do të shtyjë më shumë vende drejt Kinës.

Përballja me Kinën: Dy qasje të ndryshme

Në raportin e tij vjetor para zgjedhjeve të nëntorit, një komision i sigurisë dhe ekspertëve ekonomikë të mbledhur nga Kongresi theksoi nevojën për “një përpjekje të qartë dhe të koordinuar të udhëhequr nga SHBA-ja për të ndërtuar një koalicion me vende që ndajnë të njëjtat mendime.”

Por Trumpi po ndjek një rrugë tjetër: Ai po fokusohet kryesisht në negociata bilaterale dhe marrëveshje transaksionale, duke kërkuar koncesione nga vendet e tjera në favor të SHBA-së. Për shembull, ai arriti marrëveshje me Kolumbinë dhe Venezuelën për të pranuar emigrantët e dëbuar nga SHBA. Ai gjithashtu po kërkon një marrëveshje për të drejtat minerare me Ukrainën.

Sipas David Malpass, ish-president i Bankës Botërore dhe ish-zyrtar i Departamentit të Thesarit në administratën e parë të Trump-it, “SHBA-ja ka një mundësi reale për të ushtruar presion ndaj Kinës duke ndryshuar kornizën ndërkombëtare të rregullave”. Ai shton se “Trumpi është i aftë në rinegocimin e marrëveshjeve të këqija. Kjo do t’i jepte SHBA-së një fushë loje më të barabartë në përballjen me Kinën në vendet në zhvillim.”

A mund të funksionojë kjo qasje?

Sipas Rana Mitter nga Harvard Kennedy School, taktikat e Trump-it rrezikojnë të sjellin efektin e kundërt. Vendosja e tarifave mbi shumë vende dhe kërkesa që ato të shkëpusin lidhjet me Pekinin mund t’i shtyjë ato të mbështeten më shumë tek Kina. Për shembull, vende si Gjermania ose Kanadaja mund të detyrohen të zhvillojnë marrëdhënie që nuk do t’i kishin imagjinuar disa vite më parë, ndoshta edhe me Pekinin.

A mund ta ndalojë SHBA-ja programin ‘Brez dhe Rrugë’?

David Sacks nga CFR thekson se programi ‘Brez dhe Rrugë’ është një nismë kyçe e politikës së jashtme të Xi Jinping-it. Ai është përfshirë në Kushtetutën e Partisë Komuniste Kineze dhe nuk është diçka nga e cila Xi po përpiqet të distancohet, por përkundrazi, po e thellon më tej.

Ndërkohë që SHBA-ja vazhdon të paralajmërojë për rreziqet e ‘Brezit dhe Rrugës’, deri më tani nuk ka paraqitur një plan të qartë për ta sfiduar atë. / bota.al

 

 

 

Back to top button