AnalizaBota

Kina përballë SHBA: Fuqitë e mëdha po shkojnë drejt përplasjes

Grindja e fundit tregare midis Pekinit dhe Uashingtonit tregon vetëm një aspekt të marrëdhënieve të tensionuara midis një superfuqie të konsoliduar dhe një tjetre në ekspansion.

Të shtënat e para janë shkrehur në një konflikt që mund të kthehet në një luftë të vërtetë tregtare midis dy ekonomive kombëtare më të mëdha të botës. Ndaj vendosjes së taksave ndëshkuese amerikane në shuma miliardëshe, Pekini reagoi po me kërcënimin për të vendosur taksa ndëshkuese – dhe me vërejtjen se ai nuk ka frikë nga një luftë tregtare.

Kjo në një kohë kur ekonomitë kombëtare të të dyja palëve janë të ndërthurura ngushtë: Kina gjeneron në tregti me SHBA teprica gjigande. Në vitin 2016, me një vëllim tregtar prej thuajse 700 miliardë dollarë dhe me një tepricë prej rreth 400 miliardë dollarësh. Me një pjesë të konsiderueshme të kësaj shume Kina blen hua shtetërore të SHBA dhe financon me to buxhetin e SHBA.

Me këtë konflikt, të dyja palët dëmtojnë veten, thekson Thomas Eder i firmës së Berlinit Instituti Kërkimor-Kina Merics: “Kur tani të shkon mendja në dogana ndaj produkteve agrare amerikane si fasulet e sojës, melekuqja, mishi i derrit – kjo do të çonte në një inflacion në Kinë, në kosto më të larta për konsumatorët kinezë.”

Marrëdhëniet më të rëndësishme bilaterale të botës

Krisjet shihen me sy në marrëdhëniet midis superfuqisë së konsoliduar SHBA dhe Kinës ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht gjithnjë e më të rëndësishme. Krisja është aq e qartë, sa thuajse asnjë vështrim i marrëdhënieve kinezo-amerikane nuk bëhet pa përmendur strategun dhe historianin grek Tykididin. Që 2500 vjet më parë ai deklaroi duke pasur parasysh rivalët e atëhershëm Athinë dhe Spartë: “Kur një fuqi e re kërcënon që të zëvendësojë një fuqi të konsoliduar lufta është e pashmangshme”. Por ende ajo që mbizotëron aktualisht është që Pekini dhe Uashingtoni t’i shmangen të ashtuquajturit kurth Tykididian.

Megjithatë rivaliteti është i dukshëm: Strategjia e Sigurisë Kombëtare e qeverisë së SHBA e publikuar në dhjetor flet për një kthim të “konkurrencës së fuqive të mëdha”. Madje edhe në këtë dokument strategjik paraqitet argumentimi për taksat ndëshkuese të SHBA: vjedhja masive e pronësisë intelektuale të SHBA. Por shqetësimet janë të një natyre shumë më të thellë: që në faqen e dytë, dokumenti strategjik arrin në përfundimin: “Kina dhe Rusia e sfidojnë pushtetin, ndikimin dhe interesat e Amerikës. Ato përpiqen të gërryejnë sigurinë dhe mirëqënien e SHBA”.

Rreziku kryesor për 2018-ën dhe konkurrenca e sistemeve

Kryetari i shtetit dhe i partisë i Kinës Xi Jinping e shpalli që para kongresit të 19-të të partisë vjeshtën e kaluar ambicien e tij, për ta bërë Kinën para vitit 2050 fuqinë e parë botërore socialiste. “Politikisht, kulturalisht, etikisht, nga pikëpamja sociale dhe ekologjike”. Njëkohësisht Xi u rekomandoi shteteve të tjera që ta imitojnë “modelin kinez”. Konkurrenca e sistemit midis rendeve liberale demokratike të Perëndimit dhe kapitalizmit shtetëror të Kinës ka nisur plotësisht. Dhe kjo në një kohë kur SHBA nën Presidentin e tyre Donald Trump tërhiqen të paktën pjesërisht nga politika botërore. Përparësia në simpati e SHBA përballë Kinës në vitet e fundit është pakësuar në mbarë botën. Në disa shtete kryesore të Lindjes së Mesme, të Amerikës Latine e edhe të  vetë Evropës, sipas një studimi të PEë që prej gushtit 2017 Kina është shumë më popullore se SHBA.

Kina në nivelin e fuqisë së saj

“Kina ndodhet në nivelin e fuqisë së saj në kohën moderne”, konstaton Michael Kovrig i Crisis Group në intervistë me Dë. Zgjerimi masiv i forcave të armatosura kineze si dhe sjellja luftarake e Kinës në rajon i shqetëson fqinjët e Kinës. Sipas ish-diplomatit Kovrig synimi i Kinës nuk është që ta përmbysë sistemin ndërkombëtar, por që të lërë më fort gjurmët e saj në të.

Udha e mëndafshtë në drejtim të dominimit

Fuqi gravitacionale ekonomike do të shpalosë edhe “iniciativa e rrugës së mëndafshtë”, e njohur edhe si One-Belt-Road ose shkurt OBOR. Masa gjigande infrastrukturore në mjedisin e afërt dhe të largët të Kinës synojnë të hapin rrugën për më shumë tregti dhe shkëmbim ekonomik. Për Kovrigun ky është një instrument tjetër i Kinës për ta zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme dominimin e saj në rajon. Dhe si Solomoni ish-diplomati thotë: “gjithçka varet nga ajo se si sillen lojtarët e ndryshëm dhe si reagojnë ata ndaj njëri-tjetrit”.

Burimi: Deutsche Welle

Leave a Reply

Back to top button