Kinema & TV

KINEMA / “Casablanca” Klasiku i përjetshëm i Hollywoodit

 

Screen Shot 2015-09-16 at 8.29.06 PM

Në vitin 1942, ndërkohë që Parisi pushtohej nga nazistët, lindi Kazablanka: një klasik i Hollywoodit

“Ilsa, gjërat prej heroi nuk më pëlqejnë, por ti e di mirë se problemet e tre personave të vegjël si ne nuk kanë rëndësi në këtë tragjedi të madhe…”.

Eshtë dhjetori 1941. Rick Blaine (Humphrey Bogart) në aeroportin plot dëborë të Kazablankës, në Marok është duke i dhënë lamtumirën Ilsas (Ingrid Bergman), gruas që e kish dashuruar shumë kohë më parë dhe që e kish ritakuar krejt papritur në klubin e tij të natës, në Kazablanka. Ajo e dëgjon duke qarë. Iluzioni që janë ritakuar për të ndenjur përgjithmonë bashkë zbehet përballë avancimit të historisë. “Lum ai vend që nuk ka nevojë për heronj”, shkruante në ato vite dramaturgu gjerman Bertolt Brecht. Dhe protagonistët e filmit Kazablanka (1942) në mënyrën e tyre janë heronj. Ose bëhen të tillë: të paktën kështu donin studiot amerikane, që duke ripërshtatur për ekranin e madh dramën “Të gjithë e duan Rikun” të Murray Burnett dhe Joan Alison, i besuan regjisorit Michael Curtiz: një hungarez i emigruar në SHBA në vitin 1926, si një prej protagonistëve Victor Laszlos.

Protektorat

Skenari për ngjarjet e filmit zhvillohet në rrugët e Kazablankës. Maroku, në vitin 1912 një protektorat francez, pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore ishte shndërruar në një pikë tranziti për shumë kundërshtarë të fashizmit dhe nazizmit, që donin të braktisnin Europën: prej këtu hidheshin për në Portugalinë neutrale për t’u hipur anijeve drejt Amerikës (jashtë konflikti deri në dhjetor 1942). Eshtë kjo edhe historia e Ilsas, e cila vjen në Kazablanka bashkë me bashkëshortin Laszlo (Paul Henreid) në dhjetor të vitit 1941, kur qyteti ishte një strehë e madhe kontrabandistësh, spiunësh nazistë, anglezë e francezë, aventurierësh dhe spekulantësh. Ndonëse Maroku nuk ishte formalisht një koloni, Parisi kontrollonte në fakt marrëdhëniet me jashtë, mbrojtjen por edhe politikën e brendshme. E qartë pra që me pushtimin nazist të kryeqytetit francez dhe lindjen e qeverisë kolaboracioniste të Vichy-së, statusi i vendit afrikano-verior u bë edhe më i paqartë. Në një prej skenave të para të filmit vihet re një manifest me fytyrën e marshallit Petain. Tashmë hero i Luftës së madhe, Philippe Petain udhëhoqi qeverinë kukull në të ashtuquajturën “zonë e lirë”, në pjesën jugore të Francës. E ndërsa nga njëra anë qëndroi larg luftimeve, duke u kufizuar në ofrimin e furnizimeve për forcat e Boshtit gjatë oepracionit Barbarossa në Rusi, nga ana tjetër e zëvendësoi moton republikane “vëllazëri, liri dhe barazi”, me atë më fashiste, “familje, atdhe dhe punë”. Dhe shkriu parti e sindikata.

Dashuri në Paris

Edhe Laszlo, bashkëshorti i Ilsas i përket grupit të antifashistëve europianë. Përpara se ta ritakojë në Paris, dhe duke e menduar të vdekur në kampet e burgimit, gruaja kish patur një histori dashurie me Rickun, një amerikan. Në ndërkohë, avancimi i gjermanëve kish sjellë pushtimin e Vendeve të Ulët dhe Belgjikës dhe pasi kishte sprapsur frontin e aleatëve në Sedan, kish mbërritur deri në Kanalin Anglez. Parisi ishte shpallur “qytet i hapur” (dhe ish lëshuar pa luftime) në 11 qershor 1940. “Ndërkohë që bota shembet, zgjedhim pikërisht këtë moment për t’u dashuruar”, i kishin thënë njëri tjetrit Ilsa dhe Ricku gjatë aventurës së tyre të shkurtër. “Janë goditje topash apo është zemra ime që rreh?” kishte pyetur ajo. “Eshtë topi i ri gjerman. Janë më pak se 35 milje larg dhe vazhdojnë të afrohen”, ishte përgjigjur ai. Kishin vendosur kështu të braktisnin Francën, por ditën e nisjes Ilsa ishte zhdukur, pasi kish mësuar se Laszlo ishte gjallë.

Në 14 qershor 1940 ishte shpallur dorëzimi i Francës. Në atë kohë, “Corriere della Sera” hapej me titullin: “Flamuri i Rajhut valëvitet në Elize dhe në Kullën Eiffel”. 4 ditë më vonë, Gjenerali Charles de Gaulle lëshonte që nga Londra një apel drejtuar të gjithë francezëve, që të bashkoheshin në rezistencë kundër pushtimit.

Ndërthurje

Pikërisht në këtë klimë të zymtë, Ricku, Ilsa dhe Laszlo takohen sërish në Kazablankë, një vit pas atyre ngjarjeve. Ricku ka hapur një klub nate, i cili është shndërruar në një vendtakimi për të huaj dhe spiunë në pritje të nisjes drejt drejt lirisë. Kur Ilsa, që hyn në lokal, sheh Samin (pianisti mik i Rickut që e kish njohur në Paris) i thotë: “Play it, sam” (Luaje, Sam). Dëshiron të ridëgjojë këngën e tyre të dashurisë, “As time goes by”. Kjo batutë u bë kaq e famshme (ndonëse në versionin ‘Play it again, Sam’) saqë frymëzoi vite më vonë titullin e një filmi të Woody Allen.

Zhvillime

Ilsa nuk ndodhet rastësisht në atë klub. Vetëm amerikani, në dukje një cinik pa ideale, është në gjendje që të sigurojë dy viza që do i garantonin Ilsës dhe bashkëshortit kalimin drejt Portugalisë. Laszlo, si antifashistët e vërtetë të kohës, kërkohet nga autoritetet, por për të shpëtuar të shoqen, është i gatshëm ta lërë të ikë me rivalin e tij. Ricku, i prekur nga ky veprim ia shpërblen duke vrarë një oficer gjerman (vrasje për të cilën do të mbulohet nga kapiteni Renault, simbol i rezistencës së De Gaulle) dhe duke e detyruar gruan që të ikë me të shoqin, i cili kështu mund të vazhdojë të luftojë për lirinë: “Një ditë do të kuptosh. Paç fat, vogëlushe…”

Ricku nuk mund të imagjinonte që, dy vite më vonë, historia do të kalonte vërtetë nga Kazablanka. Nga 14 deri në 24 janar 1943 Roosevelti, Churchilli dhe de Gaulle planifikuan këtu zbarkimin në Itali, i cili do të shënonte fillimin e fundit për fashistët.

Leave a Reply

Back to top button