Bota

Kisha greke në prag të falimentimit

 

Kriza ka bërë që të bien burimet kryesore të ardhurave të kishës: pasuritë e patundshme dhe aksionet bankare. Dhe tani janë në rrezik shumë programe të asistencës për më të varfërit

Screen Shot 2016-05-03 at 07.12.52

Nga Apostolos Lakasas

Kisha ortodokse e Greqisë është në vështirësi ekonomike për shkak të zvogëlimit të të ardhurave dhe të rritjes së taksave. Për të kuadruar llogaritë, manastire si Petraki dhe Penteli po ngrijnë pagesat.

Kishat dhe manastiret në të gjithë vendin kanë problem për të paguar rrogat dhe po kërkojnë të paguajnë me këste faturat dhe taksat mbi pasuritë e patundshme. Veç kësaj, shesin prona me çmime shumë të ulëta për të arkëtuar para. Kisha e Greqisë numëron kryesisht dy burime të ardhurash: pasuritë e patundshme dhe aksionet e Bankës Kombëtare të Greqisë (një institut kreditimi i madh privat), dhe të dyja janë në rrugën e ezaurimit. Qiratë janë në rënie dhe blerësit janë gjithnjë e më të vështirë për t’u gjetur, ndërsa aksionet e Bankës Kombëtare kanë rënë në kuotën 0.23 euro secili.

At Salonon Antonios, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Financiar Qendror Fetar, ka shpjeguar se Kisha ka marrë pjesë dy herë në rritjen e kapitalit të Bankës Kombëtare të Greqisë, përkatësisht në vitet 1996 dhe në 2005. Në 2005 ka blerë aksione të reja me 22 euro secilin. Në vitin 2010 Kisha ka marrë pjesë në një rritje të re të kapitalit, kësaj radhe pas presionit të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të sistemit banker. Për të realizuar operacionin, Kisha ka marrë hua 27 milion euro nga Banka Postare Helene dhe ka nxjerrë 27 milion euro të tjera nga kursimet e saj.
Antonios ka saktësuar se “Kisha nuk luan bixhoz”, duke lënë të kuptohet se mund të administroheshin më mirë aksionet dhe të shiteshin kur kishin arritur kuotën maksimale. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe më pas ka shpërthyer kriza. Në vitin 2008 Banka Kombëtare e Greqisë ka pushuar së paguari dividendët dhe çmimi i aksioneve të saj ka rënë pikiatë.

Në të njëjtën kohë, koniuktura e pafavorshme e tregut të pasurive të patundshme ka bërë të ezaurohet një tjetër burim i rëndësishëm i të ardhurave të Kishës, që ka në aktiv 19000 hektarë terrene të kultivueshme, 700 copa toke, 420 godina dhe 260 banesa. Nga viti 2008 qiratë kanë pësuar një reduktim në masën midis 30 dhe 70 përqind, shumë pasuri të patundshme kanë mbetur pezull dhe mungojnë paratë për mirëmbajtjen e tyre. “Gjatë 8 viteve të fundit të ardhurat janë zvogëluar me 75 përqind. Më parë, bilanci vjetor ishte prej rreth 23 milion euro, kurse sot është prej 6 milion eurosh”, ka thënë Antonios.

Kisha i ka kërkuar shtetit që të impenjohet për tërhequr investitorë dhe për të zgjidhur problemet që po e pengojnë për të shfrytëzuar pronat e saj. Për shembull, ato të një trualli prej 130 hektarësh në afërsi të Varkizës, në anën juglindore të Athinës: një zonë pothuajse e gjitha e mbuluar me rërë dhe gurë. Autoritetet fetare do të donin të siguronin ndërtueshmërinë për një pjesë të vogël të zonës, në mënyrë që një investitor potencial të mund të ndërtojë në 22.5 hektarë dhe të detyrohet të mbjellë pemë në 107.5 hektarë të tjerë. Por deri më tani qeveria është mjaftuar që të përsërisë se nuk ka marrë ende vendim mbi destinacionin e përdorimit të këtij trualli. Kisha do të donte të shfrytëzonte edhe një truall të madh në Skisto, afër Pireut, ku është në rritje kërkesa për qendra logjistike dhe shërbime të tjera lidhur me portin. Kjo zonë është klasifikuar si zonë pyjore, por Kisha posedon dokumenta që tregojnë se ky përkufizim i takon vitit të largët 1850 dhe nuk është azhornuar kurrë qysh atëhere. Çdo kishë metropolitane, çdo manastir dhe deri çdo famulli posedon pasuri të patundshme që i menaxhon në autonomi të plotë dhe, ndryshe nga sa besohet rëndom, paguajnë të gjitha taksat mbi pasuritë e patundshme dhe mbi të ardhurat. Kohët e fundit, Manastiri i Petrakit ka bërë kërkesë për të hyrë në një plan që u mundëson kontribuesve me borxhe që t’i paguajnë taksat me 100 këste. Sipas disa burimeve, manastiri posedon vetëm dy pasuri të patundshme në Athinë, të dyja në qendër të saj, por me vlerë të ndryshme.

Së fundi, Antonios ka sqaruar se Shërbimi Financiar Qendror Fetar është përgjegjës për financimin e të gjitha kishave metropolitane. Këto, nga ana e tyre, menaxhojnë programet e asistencës ndaj të varfërve dhe kështu që, në rast se nuk do të gjenden zgjidhje, këto iniciativa rrezikojnë që të anullohen. Efektet do të ishin negative për të gjithë shoqërinë greke, nga momenti që Kisha është një institucion shumë i impenjuar në asistencën e personave më të goditur nga kriza.

(Kathimerini)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button