Analiza

KOMENT / Kjo nuk është një tjetër Luftë e Ftohtë

David Clark Russia Foundation kjo nuk eshte1

Shtrirja e ambicieve perandorake të presidentit rus, Vladimir Putin u bë e qartë kohët e fundit kur ai i quajti territoret jugorë dhe lindorë të Ukrainës si Novorossiya (Rusia e Re). Ky është emri që i vuri këtij rajoni Katerina e Madhe, pasi ua rimori otomanëve në fundin e shekullit 18 dhe filloi ta kolonizojë me banorë rusë, ukrainas dhe gjermanë. Bashkë me deklaratën e tij se Krimea i përket Rusisë, për shkak të çmimit (me gjak) që ushtarët e Rusisë kanë paguar për ta rimarrë më shumë se 2 shekuj më parë, përvetësimi i terminologjisë cariste nga ana e Putinit hap një etapë të re dhe shqetësuese për projektin e tij irredentist. Ai nënkupton që tani janë në lojë të gjithë territoret që dikur kanë qenë pjesë e Perandorisë ruse. Dhe kjo ka të bëjë me shumë më tepër se sa fatin e Ukrainës. Nëse shtyhet drejt konkluzionit logjik, paraqet një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj legjitimitetit dhe pavarësisë së të gjithë shteteve post-sovjetikë. Praktika e manipulimit të “konflikteve të ftohtë” dhe dërgimit të trupave ruse si “paqeruajtës” me qëllim që të ushtrohet ndikim, është tashmë e krijuar dhe konsoliduar në Moldavi, Gjeorgji dhe Azerbajxhan, dhe ka një sërë mjetesh të tjerë që Moska është gati t’i vërë në zbatim, që nga embargot tregtare e deri tek sulmet kibernetikë. Ndërkohë që shtrirja e ekspansionit territorial të Rusisë me shumë gjasa do të kufizohet dhe rreziku i forcës ushtarake do të frenohet, ambicia për të nënshtruar rajonin nën ombrellën e Unionit Euraziatik është absolutisht e qartë. Mirësevini në Perandorinë e re ruse. Ngjarjet në Ukrainë e kanë lënë Perëndimin të pasigurtë se si duhet të përgjigjet. Pavarësisht gjithë fjalëve për një tjetër Luftë të Ftohtë, ka një dallim të rëndësishëm me të kaluarën, që ndihmon të shpjegosh arsyen. Ndërkohë që komunizmi sovjetik i përcaktonte qëllimet e tij ideologjikë përmes objektivave universalë që paraqisnin rrezik për Perëndimin, Putini e vë theksin tek karakteri i veçantë i qytetërimit rus dhe e kufizonin vizionin e tij tek dominimi i Eurazisë. Sfida e tij nuk është shumëllojshmëria ekzistenciale që dikur detyroi qeveritë perëndimore të linin mënjanë dallimet mes tyre përballë një armiku të përbashkët. Ajo i përket tërësisë së vlerave, ku ideali i pas Luftës së Ftohtë për një “Europë të tërë dhe të lirë” përplaset me vendosmërinë e Putinit për të ndërtuar një sferë influence ekskluzive në lindje. Eshtë shumë më e vështirë të mobilizosh shtetet në mbrojtje të parimeve abstraktë, se sa kur i thërret në mbrojtje të sigurisë së tyre, por Perëndimi pikërisht këtë duhet të bëjë nëse dëshiron të parandalojë zhbërjen e rendit europian të ngritur mbi vlerat demokratike. Ndërkohë që disa mësime të Luftës së Ftohtë kanë kuptim në këtë situatë, të tjerë janë krejt pa lidhje. Një ide që meriton të konsiderohet është strategjia e frenimit, që edhe një herë po diskutohet si bazë e politikës së jashtme të SHBA kundrejt Rusisë. Kjo ishte strategjia që përdori administrata Truman në fillimet e Luftës së Ftohtë, e projektuar për të bllokuar ekspansionizmin sovjetik përmes një sërë kundërmasash ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Betimi që bëri Harry Trumani “për të mbrojtur popujt e lirë, të cilët po i rezistojnë përpjekjes për nënshtrim prej minoriteteve të armatosur apo trysnisë nga jashtë” ka sigurisht kuptim edhe sot, në një kohë kur trupat ruse ndodhen në kufijtë e Ukrainës dhe njerëzit e tyre po orkestrojnë dhunën brenda vendit. Tashmë, kemi një hark shtetesh që shtrihen nga Gjiri i Finlandës der në kufirin me Kinën, që kanë arsye të fortë të jenë të shqetësuar për drejtimin e politikës së Rusisë. Shumë prej tyre kanë pakica të mëdha ruse brenda tyre. Perëndimit i duhet një strategji gjithëpërfshirëse për t’u angazhuar me të gjithë këta vende. Shtetet në rrezik ndahen në tre kategori, që dallojnë mes tyre. E para përfshin vende si Polonia dhe shtetet balltike, të cilët gëzojnë tashmë sigurinë institucionale që u jep përkatësia në NATO dhe BE. Këtu duhen përforcuar kapacitetet frenues, me qëllim të parandalohen llogaritë e gabuara që mund të bëjë Rusia. Grupi i dytë, dhe ndoshta më i rëndësishmi, përbëhet nga shtete properëndimorë por të dobët, përfshirë Azerbajxhanin, Gjeorgjinë, Moldavinë, dhe vetë Ukrainën, të cilët të gjithë kanë aktualisht trupa ruse të përfshira direkt apo indirekt në konflikte të brendshëm. Azerbajxhani është veçanërisht i rëndësishëm si një partner strategjik për diversifikimin e furnizimit të Europës me energji. Hapja e korridorit jugor të gazit me Trans-Adriatic Pipeline do të sigurojë sasi të konsiderueshme gazi azer duke filluar nga viti 2019, duke e dobësuar kështu ndikimin e Rusisë në tregun europian. Të gjithë këta vende janë të lidhur me institucione perëndimore përmes Politikës së Fqinjësisë së Bashkimit Europian dhe programit të NATO-s, Partneritet për Paqen. Janë lidhje, forcimi i të cilave duhet të jetë prioritet, sidomos duke patur parasysh që anëtarësimi me të drejta të plota nuk do të ndodhë së afërmi. Objektivat duhet të përfshijnë lidhje tregtare më të thella, konsultime politike të strukturuara dhe ndihmë për modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtës. Në fund, shtetet perëndimorë duhet të jenë të gatshëm të ofrojnë garanci të mëdha për sigurinë, mundësisht brenda kuadrit të NATO-s, por nëse është e nevojshme edhe jashtë tij. Angazhimi me grupin e tretë të këtyre vendeve – shtete postsovjetikë autoritarë përfshirë Bjellorusinë, Kazakistanin dhe republika të tjera të Azisë Qendrore – mund të duket sot si humbje kohe, duke parë mbështetjen që disa prej tyre i dhanë Moskës pas aneksimit të Krimesë. Por një pjesë e kësaj mbështetjeje duhet të jetë dhënë nga frika, dhe jo si miratim i sinqertë. Ashtu si strategjia e frenimit në Luftën e Ftohtë përfshinte edhe angazhim me vende komunistë, si Kina e Jugosllavia që ishin të gatshme t’i largoheshin vijës së Moskës, edhe sot duhet që të synojmë të dobësojmë aleancat e Putinit duke ndërtuar strategji sa herë që jepet mundësia. Megjithatë, ka një drejtim ku strategjia e sotme e frenimit duhet të ndryshojë nga paraardhësja e saj e Luftës së Ftohtë. Ndonëse arkitekti i saj, George Kennan, gjithmonë shpresonte se do të përdorej për të modifikuar sjelljen e sovjetikëve, strategjia e frenimit në praktikë u shndërrua në një “lojë me shumën zero”, ku mund të kishte vetëm një të mbijetuar. Objektivi i kësaj strategjie sot duhet të jetë jo projektimi i kolapsit të Rusisë, por bllokimi i ushtrimit të paligjshëm të pushtetit dhe inkurajimi i liderëve të Rusisë që të ndjekin interesat e tyre, por duke respektuar barazinë sovrane të fqinjëve të tyre. Si rezultat, në të ardhmen Rusia do tëishte më e fortë dhe jo më e dobët.

Leave a Reply

Back to top button