Nga Greta Privitera
Kodonjo, Itali – Një vit dhe shumë vdekje më parë, rezultati i një tamponi në një spital të vogël në Kodonjo, një fshat në provincën italiane të Lodit, paratha katastrofën që do të përfshinte Evropën. Matia Maestri, 38 vjeç, ishte pacienti i parë i konfirmuar Covid-19 në Itali që nuk kishte udhëtuar në Kinë. Përkundrazi, ai u infektua në vend – një shenjë se koronavirusi po përhapej me shpejtësi në Itali.
“Për botën, ai është simboli i fillimit të gjithçkaje. Por ai nuk ndihet i tillë”-thotë Xhulio Kosta, psikolog që jeton pranë Kodonjos dhe që e njeh mirë Maestrin. “Ai u ndje i keq-ardhur kur lexoi që disa gazeta e përshkruanin atë si të pakujdesshëm pasi ai kishte ethe, dhe kishte infektuar gjysmën e botës”.
Askush nuk e dinte atë që dimë tani:që koronavirusi po qarkullonte tashmë në Evropë, dhe se së shpejti do të godiste fort kontinentin, duke vrarë qindra mijëra njerëz, dhe duke mbyllur ekonomitë. Po të mos ishte për Analiza Malarën, një anesteziologe në spitalin lokal, Maestri mund të mos kishte bërë fare tamponin:Në atë kohë, protokolli mjekësor nuk kërkonte bërjen e testit për njerëzit me simptoma të Covid-19, por që nuk kishin udhëtuar kohët e fundit në Kinë, apo që nuk kishin qenë në kontakt me një rast të njohur pozitiv.
Por brenda disa ditësh nga rezultati i parë pozitiv, një pjesë e Italisë Veriore do të bëhej zona e parë e kuqe e Evropës. Masat e rrepta të bllokimit, i mbyllën njerëzit në shtëpitë e tyre, duke i ndaluar të udhëtonin midis qyteteve, ndërsa stafet mjekësore e patën shumë të vështirë të luftonin kundër një virusi, që së shpejti do të mbingarkonte spitalet në të gjithë kontinentin.
Kodonjo dhe rajoni përreth Lombardisë, u bënë shpejt sinonim i tragjedisë. Sot, jeta në Kodonjo është kthyer deri diku siç ka qenë dikur. Baret, parukeritë dhe dyqanet janë të hapura deri në orën 6 të mbrëmjes, kur hyn në fuqi ora e ndalimit. Por trauma e vitit të kaluar, ka lënë plagë në komunitet.
Rreth 326 mjekë infermierë italianë, kanë vdekur nga Covid-19 që nga viti i kaluar. “Ky vit na rëndoi shumë”- tha Francesko Paserini, kryetari i bashkisë së Kodonjos. “Për momentin, në qytet ka vetëm 16 raste aktive me Covid-19. Vala e dytë na ka kursyer, por e paguam shumë shtrenjtë të parën”.
Megjithëse asnjë biznes nuk është detyruar që të mbyllet, “shumë prej tyre janë detyruar që të përdorin të gjitha kursimet e tyre, trashëgiminë, pasurinë e familjes për të paguar punonjësit, dhe për të shmangur katastrofën”, thekson Paserini.
Nëpër trotuare, njerëzit të buzëqeshin nga pas maskave të tyre, dhe mbledhin supet kur pyeten se si po ia kalojnë. Thonë se po përpiqen të ecin përpara, teksa shpresojnë që ta marrin së shpejti vaksinën. “Asnjëherë nuk do ta kishim menduar se do të ishim të parët, që do të përjetonim një gjë të tillë”- shprehet Franka, 81 vjeçe, e lindur në Kodonjo.
“Ne ishim në shtëpi duke e parë botën nga dritaret tona, dhe për herë të parë bota hodhi sytë mbi ne. Të gjitha stacionet televizive po na filmonin, si të ishim kafshë në një kopsht zoologjik”- tha ajo.
Ato 18 ditët e para të izolimit të rreptë, u përjetuan si diçka e ngjashme me pasojat e katastrofës bërthamore në Çernobil, thotë Kosta. Kujtimi i atyre javëve të para, është ndoshta më i gjallë për mjekët që mjekuan pacientët e parë me koronavirus.
Kur testi i Maestrit doli pozitiv, autoritetet e mbyllën spitalin. Nga ai moment të gjithë pacientët e zonës u transferuan në një poliklinikë në qytetin fqinj të Pavias, në Lombardinë Jugperëndimore. “Matia mbërriti këtu natën”- kujton Françesko Mojoli, shefi i kujdesit intensiv në poliklinikën San Mateo në Pavia.
Ishte fundi i shkurtit dhe “për disa ditë ne ishim i vetmi spital që trajtoi rastet me Covid-19”.
Në fillim, stafi veçoi vetëm 5 shtretër të kujdesit intensiv për pacientët me COVID-19. Disa javë më vonë, do të ishin 65. “Ishte një përvojë dramatike, sidomos për anestezistët më të rinj. Ajo që panë në fillim, kur nuk kishte vend për të gjithë, kur duhej që të zgjidhnin kë të intubonin, dhe parja e kaq shumë njerëzve që vdisnin njëri pas tjetrit, ishte shokuese për ta”-thotë ai.
Sot, situata është shumë më e menaxhueshme. “Ne mësuam se si t’ja dalim”- deklaron Rafaele Bruno, drejtori i sëmundjeve infektive në spitalin San Mateo. Por ai dhe të tjerët qëndrojnë në gatishmëri të lartë, duke pasur parasysh variante të reja të virusit që po qarkullojnë në kontinent, dhe faktin që Italia numëron ende rreth 300 vdekje në ditë.
Bruno thekson se është e pamundur të harrosh ndikimin shkatërrues të virusit dhe shumë jetë që ai ka shkatërruar. Ai mendon shpesh për një familje që njohu marsin e vitit të kaluar. “Ishte nëna, babai dhe vajza, që të tre pozitivë me Covid-19. Ata u shtruan në spital. Të dy prindërit vdiqën, dhe vajza e gjorë u kthye e vetme në shtëpi”- tregon ai.
Për shumicën e njerëzve në Kodonjo, sfida më e madhe – ashtu si kudo tjetër – është e ashtuquajtura lodhje nga pandemia. Kosta e përshkruan atë si të ngjashme me lodhjen që ndjejnë njerëzit “që kujdesen për një prind të moshuar, për një pacient me kancer, apo një të afërm me një sëmundje kronike”.
E ardhmja duket e zymtë dhe e pashpresë. Nëse pati një ndjenjë solidariteti dhe afërsie gjatë valës së parë të bllokimit, kur njerëzit duartrokisnin mjekët dhe infermierët çdo natë, “sot dominon një ndjenjë e lodhjes dhe frikës, veçanërisht tek njerëzit që kanë humbur një anëtar të familjes, dhe tek ata që janë të prekur ekonomikisht nga Covid”.
Por viti i kaluar u dha njerëzve arsye për të qenë optimistë, mendon Fausto Baldanti, shefi i virologjisë në spitalin San Mateo. “Ne kemi parë një solidaritet midis kolegëve, që nuk mund ta imagjinonim, dhe kemi parë që shkenca bën mrekulli”- tha ai, duke shtuar se zhvillimi i një vaksine në 10 muaj është një arritje e paparë, që jep shpresë për të ardhmen. / “Politco.eu” – Bota.al