
Nga Abbas Milani*
Për të ndihmuar në të kuptuarit e mënyrës se si do të reagojë populli iranian pas përfundimit të sulmeve amerikane dhe izraelite, është e rëndësishme të kuptohet se revolucioni iranian i vitit 1979 nuk ishte aspak revolucion. Ishte një lojë dinake me karrem e luajtur me zgjuarsi nga Ajatollah Ruhollah Khomeini, i cili u vu vetë në krye të lëvizjes.
Populli i Iranit dëshironte një revolucion të bazuar në idenë e qytetarisë moderne dhe një kontrate sociale, për të sjellë demokraci, liri, pavarësi dhe një republikë, madje edhe islamike, por pa sundim klerikal. Ajatollah Khomeini i premtoi këto ide, duke u dhënë iranianëve dhe fuqive perëndimore, atë që ata mezi prisnin të dëgjonin. Në fund, ai çfarë ai orkestroi ishte një kundërrevolucion.
Në një periferi të Parisit, në muajt para përmbysjes së shahut, ajatollahu dha dhjetëra intervista. Ai e fshehu ambicien e tij politike dhe sugjeroi se në fund do të tërhiqej nga qeverisja, megjithëse në shkrimet e tij të mëhershme, shpesh mbështeste sundimin nga kleri. Ai madje i shkroi një letër Presidentit Jimmy Carter, duke i kërkuar atij të çaktivizonte ushtrinë iraniane dhe duke premtuar se do ta mbante Iranin të lirë nga dominimi sovjetik. Por gjatë gjithë kohës, ai ishte i dhënë pas despotizmit klerikal dhe, siç u bë e qartë shumë shpejt, ushqente pakënaqësi të thella kundër Shteteve të Bashkuara.
Në një tregues tjetër të mënyrës së tij kundërrevolucionare, shumë njerëz në Iranin kryesisht shiit besonin se një koncept i reformuar i shiizmit ishte i nevojshëm për ta bërë atë të përshtatshëm për modernitetin. Por Ajatollah Khomeini, nga libri i tij i parë i madh në vitet 1940 dhe më vonë si autoriteti suprem fetar shiit, këmbënguli në ruajtjen e ritualeve dhe dogmave tradicionale, duke shtypur kështu idenë e modernizimit të Islamit shiit.
Revolucioni iranian si karrem
Romanca e revolucionit, padija rreth shkrimeve të dikurshme të Ajatollah Khomeinit dhe qëndrimi i tij si mbrojtës i një sistemi politik liberal demokratik në muajt para përmbysjes së shahut, bënë që karremi të funksiononte, edhe pse për pak kohë. Iranianë nga të gjitha sferat e jetës, udhëheqës perëndimorë dhe shumë intelektualë të shquar e shihnin atë si flamurtarin e aspiratave demokratike të Iranit.
Menjëherë pasi erdhi në pushtet, hyri në fuqi një Kushtetutë e re, e cila u modelua sipas veprës madhështore të Ajatollah Khomeinit të vitit 1970, “Qeveria Islame: Kujdestaria e Juristit”, rreth natyrës së një shteti islamik. Ajo pohonte se njerëzit janë ontologjikisht si delet në një tufë, të paaftë për të menaxhuar punët e tyre dhe kanë nevojë për një kujdestar, një ide që të kujton teorinë e Platonit për një mbret-filozof të nevojshëm për të menaxhuar punët e njerëzve të thjeshtë.
Por Ajatollah Khomeini, nuk ishte një filozof i nevojshëm, por një ekspert në Sheriat. Ndërsa ai mori pushtetin, gjykatat revolucionare islamike të udhëhequra nga një gjykatës famëkeq ekzekutuan me varje anëtarë të regjimit të vjetër dhe më pas kundërshtarë të regjimit në gjyqe të shkurtra. Ajatollahu vendosi kufizime të rrepta sociale, siç është hixhabi i detyrueshëm për gratë. Nuk është çudi që gratë, demokratët laikë, njerëzit e majtë dhe pakicat etnike u ndjenë të tradhtuar dhe filluan të luftonin.
Historia e Iranit gjatë 47 viteve të fundit ka qenë, pjesërisht, historia e njerëzve që përpiqeshin të rifitonin të drejtat që humbën në atë karrem. Një studim shkencor i kohëve të fundit në programin e studimeve iraniane në Stanford tregon, me detaje të hollësishme, se nga viti 2009 deri në vitin 2024 ka pasur mesatarisht çdo tre ditë, një demonstratë të besueshme dhe të lokalizuar, vetëm në Teheran.
Me fjalë të tjera, revolucionin e vërtetë iranian e kemi parë, betejë pas beteje, gjatë këtyre gati pesë dekadave. Lëvizja e Gjelbër e viteve 2009-10; kryengritja Gruaja, Jeta, Liria e viteve 2022-23; dhe sfida e mbi një milion njerëzve që dolën në rrugë më pak se dy muaj më parë, ku u vranë me mijëra nga regjimi, janë të gjitha fronte në këtë revolucion gradual.
Politikanët dhe intelektualët iranianë – nga Reza Shah Pahlavi, i cili sundoi Iranin nga viti 1925 deri në vitin 1941, deri te Ahmad Kasravi, një intelektual erudit i cili shkroi, më shumë se 80 vjet më parë, një kritikë radikale të shiizmit – nuk do ta kishin bërë kurrë shoqërinë iraniane aq laike, aq përbuzëse ndaj dogmës, aq mosbesuese ndaj klerit shiit sa është sot.
Ky ndryshim paradigmatik në opinionin publik nuk është vetëm rezultat i përpjekjeve graduale të më shumë se një shekulli për demokraci, por edhe (paradoksalisht) pasoja e 47 viteve të sundimit klerikal despotik, dogmatik dhe mizogjin. Pasardhësi i Ajatollah Khomeinit, Ajatollah Ali Khamenei, erdhi për të mishëruar pushtetin në dukje të palëkundur të dogmës hyjnore, veçanërisht kur ushqehej nga petrodollarët dhe mbështetej nga forca brutale.
Sondazhi më i besueshëm mbi opinionin publik në Iran, nga Grupi për Analizimin dhe Matjen e Qëndrimeve në Iran me seli në Holandë, tregon se më pak se 12 përqind e iranianëve mbështesin status quo-në e republikës islamike. Të dhënat u mblodhën edhe para vrasjeve masive të qytetarëve nga qeveria në janar.
Populli iranian dhe ndryshimi që është pranë
Tani, me vdekjen e Ajatollah Khameneit dhe rreth 40 anëtarëve të tjerë të lartë politikë ose ushtarakë, ndryshimi është afër dhe pyetja mbizotëruese është se kush do ta qeverisë Iranin më pas. Duke pasur parasysh historinë e dekadave të fundit, kjo është pyetja e gabuar.
Pavarësisht karizmës së Ajatollah Khomeinit dhe për shkak të brutalitetit të Ajatollah Khameneit, shumica e njerëzve në Iran tani janë të bindur se ajo që blenë në vitin 1979 si ilaç për një monarki të korruptuar dhe shtypëse nuk ishte më e mirë se vaji i gjarprit. Pyetja e duhur sot është: Cilat janë idetë për qeverisje demokratike, për rregullimin e ekonomisë, për mbajtjen larg të forcave centrifugale dhe për ruajtjen e sovranitetit dhe marrëdhënieve të mira me botën përreth, të cilave iranianët (brenda dhe jashtë vendit) mund t’u bashkohen, dhe si mund ta bëjnë këtë në një mënyrë që do ta nxjerrë Iranin nga paraliza politike dhe moçali ekonomik?
Ndërsa regjimi tani përpiqet të ringrejë strukturën e tij të tronditur rëndë, disa kishin shpresuar se ai do ta përdorte këtë mundësi për të krijuar një hapje demokratike, duke pranuar të drejtat politike dhe njerëzore të popullit, dhe për të normalizuar marrëdhëniet me botën, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara.
Emërimi i parë i madh, i Ahmad Vahidit si komandant i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, nuk është premtues. Nuk është e qartë nëse emërimi u urdhërua nga Ajatollah Khamenei apo u imponua nga korpusi. Vahidi ka shërbyer në shumë poste, duke përfshirë portofole ministrore, dhe është i përfshirë drejtpërdrejt në vrasjet masive të demonstruesve në vitin 2022.
Nuk është e qartë se çfarë roli, nëse ka, ka pasur në emërim treshja e re e përkohshme e zyrtarëve përgjegjës për Iranin. Treshja përbëhet nga Presidenti Masoud Pezeshkian; Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, kreu i gjyqësorit; dhe Ajatollah Alireza Arafi, një anëtar i Këshillit të fuqishëm të Gardës prej 12 anëtarësh. Ajatollah Arafi është ndër ata që shpesh përmenden si një pasardhës i mundshëm i Ajatollah Khameneit, i cili e kishte zgjedhur atë me kujdes për të udhëhequr një rrjet global universitar, për të promovuar vizionin e Ajatollah Khameneit për shiizmin.
Ekonomia
Politikat e udhëheqjes së re dhe identiteti i udhëheqësit të ardhshëm suprem janë të panjohura. Emërimi i një linje të ashpër si Vahidi nuk do të thotë domosdoshmërisht se regjimi do të zgjedhë rrugën e zgjerimit ose zgjatjes së luftës aktuale, apo edhe të vazhdojë në praktikat e tij të brutalitetit ose sponsorizimit të terrorizmit. Edhe nëse Garda Revolucionare dhe regjimi përpiqen të vazhdojnë politikat e ngurta dhe të dështuara të Ajatollah Khameneit, popullsia nuk ka gjasa të jetë e kënaqur me vazhdimin e tyre, politikisht, shoqërisht dhe, veçanërisht tani, ekonomikisht.
Ajatollah Khomeini hodhi poshtë idenë se kishte rrënjë ekonomike për revolucionin e vitit 1979; ekonomia është për “gomerë”, tha ai. Qëllimi i revolucionit, mendoi ai, ishte të krijonte një Iran Islamik dhe burra e gra të devotshëm myslimanë. Ajatollah Khamenei e dyfishoi idenë, duke i bërë luftërat kulturore një komponent kyç të strategjisë së tij të kontrollit dhe shtypjes.
Por ekonomia është një burim i qartë kërcënimi të vazhdueshëm për regjimin, dhe gratë dhe burrat e rinj laikë të Iranit nuk janë të gatshëm të pranojnë asgjë më pak se ajo që u ishte premtuar fillimisht, para se të mashtroheshin gati gjysmë shekulli më parë. Makineria e regjimit mund të mbijetojë sot. Por kundërrevolucioni i së kaluarës po lind revolucionin e së nesërmes. / The New Yorm Times – Bota.al
Abbas Milani është drejtor i studimeve iraniane në Universitetin e Stanfordit dhe bashkëpunëtor në Institutin Hoover.