Analiza

KOMENT / Futeni dhe Azinë në “klub”

Fareed Zakaria

futeni AzinePolitika e jashtme komandon vëmendjen kur ka menaxhim krizash. Shpërthen një revoltë në rrugë në Egjipt, ose Libi apo Ukrainë, dhe të gjithë pyesin se si duhet të reagojë presidenti i Shteteve të Bashkuara.  Ky është një element i rëndësishëm i rolit të Amerikës në botë, por është në thelb reaktiv dhe taktik. Sfida më e madhe është parashtrimi i një strategjie më afatgjatë, që do të zbatohet edhe pas krizave. Administrata Obama është përpjekur ta bëjë këtë me politikën e saj në Azi – dhe udhëtimi i presidentit atje është pjesë e saj – por progresi ka qenë me hope dhe i paplotë. Megjithatë, rreziku i vërtetë ndaj një strategjie serioze në Azi nuk vjen nga administrata, por nga Kongresi dhe publiku amerikan. Në fakt, vështirësitë e kthimit të timonit nga Azia ngrejnë një pikëpyetje më të madhe: A mund të ketë SHBA një strategji madhore sot?

Qasja e presidentit Obama është e mençur dhe është, në shumë drejtime, një vazhdim i politikës së jashtme të SHBA që nga koha e Bill Clintonit. Në frontin diplomatik, ka dy elementë: frenim dhe angazhim. Të gjithë vendet në Azi – si dhe SHBA – kërkojnë marrëdhënie ekonomike më të forta dhe më të thella me Kinën, por duan gjithashtu garanci që Kina nuk do të bëhet ekspansioniste. Arritja e ekuilibrit mes dy elementëve të kësaj politike është e vështirë të bëhet dhe e lehtë të kritikohet. Në përgjithësi, administrata Obama e ka menaxhuar me zotësi këtë situatë, duke mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me Kinën, ndërkohë që përcakton vijat që synojnë të frenojnë ekspansionin territorial.

Eshtë e drejtë të thuhet se Obama nuk i ka kushtuar vëmendjen e nevojshme vetë strategjisë së tij. Dy udhëtime në rajon janë anuluar. Ai nuk ka qenë në Kinë që nga viti i parë kur mori detyrën. Në mandatin e dytë ka mungesë të ekspertëve mbi Azinë. Ky është gabim. Suksesi në Azi mund të jetë arritja më e rëndësishme e periudhës së mbetur të presidencës së tij.

Megjithatë, ka një aspekt të rëndësishëm konstruktiv të politikës ndaj Azisë. Në qendër të tij është Partneriteti Trans Paqësor. Jo vetëm do të ishte marrëveshja më e madhe tregtare në disa dekada – që do të përfshinte shumicën e ekonomive më të mëdha të Azisë dhe ndoshta edhe Kinën – por edhe do të forconte rregullat e stilit amerikan për tregtinë e lirë dhe të hapur në të gjithë globin. Megjithatë, presidenti nuk ka mundur të sigurojë autoritetin për t’u futur në “binarët e shpejtësisë së lartë”, që do të bënin të mundur çdo lloj marrëveshjeje tregtare.

Partia Demokratike, dikur mbështetësja më e madhe e tregtisë së lirë, ka kohë që i ka kthyer shpinën Partneritetit Trans Paqësor – një ndryshim i trishtueshëm, në një parti që dikur ishte e hapur dhe optimiste. Edhe mbështetja e republikanëve për tregtinë është dobësuar shumë. Rezultati është që PTP, një ide madhështore dhe ambicioze, është “duke u shuar”. Strategjia e ushtrisë së SHBA në Azi do të kërkoje buxhete të rëndësishëm që gjenden nën trysninë e të dy krahëve në Kongres. Mbeshtetja publike për çdo lloj politike të jashtme bujare apo ambicioze është tejet e ulët.

Pengesa më shqetësuese ndaj një strategjie serioze amerikane, në pamje të parë mund të duket një problem teknik. Administrata ka propozuar një reformë për Fondin Monetar Ndërkombëtar, që republikanët në Kongres po e bllokojnë. Por reformimi i kësaj agjencie është shumë i rëndësishëm për rolin global të SHBA në të ardhmen.

Bordi drejtues i FMN është dominuar prej një kohe të gjatë nga SHBA dhe Europa. Teksa vendet e Azisë po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të ekonomisë globale, administrata ka propozuar rritje të votave të tyre në bord. Kjo do të largonte fuqinë nga Europa, dhe jo SHBA. Dhe megjithëkëtë, republikanët e kanë bllokuar këtë plan për tre vite, dhe nuk po shfaqin shenja gatishmërie për ta miratuar.

Kjo çështje ka bashkuar vendet aziatikë – Kina, Indonezia, Singapori – që e shohin si shenjë që Perëndimi nuk do i lërë asnjëherë të ndajnë pushtet real në institucionet globalë. Kanë të drejtë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA u përball me komunizmin, por njëkohësisht ndërtoi një rend botëror të qëndrueshëm duke krijuar institucione që vendosën rregulla globalë dhe ndanë pushtetin – përfshirë FMN, Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore. Detyra më urgjente tani është që të zgjerohen këta institucione, për të përfshirë edhe fuqitë në ngjitje të Azisë.

Nëse Uashingtoni nuk e bën këtë, atëherë do të forcojë zërat, sidomos në Kinë, që thonë se vendet e Azisë nuk duhet të përpiqen të integrohen në një kuadër Perëndimor rregullash ndërkombëtarë – sepse do të jenë gjithmonë qytetarë të dorës së dytë – por duhet të krijojnë institucionet e tyre dhe të luajnë sipas rregullave që vendosin vetë. Nëse ndodh, atëherë të gjithë do të pendohemi thellë që nuk i lamë këta vende të bashkoheshin në klubin tonë, atëherë kur e kishim këtë shans.

Leave a Reply

Back to top button