Analiza

“Kompleksi i Zotit” në politikën e jashtme amerikane

uncle sam

Nga Damon Linker

Teksa agoi dita mbi Lindjen e Mesme mëngjesin e së martën në mëngjes, askush nuk mendonte se ajo ditë do të përfundonte me përpjekjet e NATO-s, për të shmangur një përshkallëzim të konfliktit të armatosur midis Rusisë dhe një prej anëtarëve të aleancës, Turqisë. Por kjo është mënyra e paparashikueshme sesi zbërthehen ndonjëherë ngjarjet në çështjet ndërkombëtare, sidomos kur disa fuqi botërore dhe rajonale, me interesa të ndryshme përfshihen në një luftë shumë-palëshe.

Këto tensione të rrezikshme, shërbejnë si një sfond i përkryer për të lexuar dhe medituar mbi dy dokumente të rëndësishme:fjalimin e Hilari Klintonit javën e kaluar në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe një ese nga Robert Kagan, më i zgjuari ndër neokonservatorët (dhe dikur këshilltari i Klintonit), botuar në të përditshmen “Wall Street Journal” të shtunën e shkuar.

Ndryshe nga mënyrat shumë të furishme e “diturit të çdo gjeje”, që përdorin kandidatët republikanë për të fituar nominimin në garën presidenciale, Klinton dhe Kagan dinë jashtëzakonisht shumë mbi botën. Klinton, në mënyrë të veçantë, ndihet komode kur flet në detaje në lidhje me intrigat e çështjeve ndërkombëtare, dhe kompetenca e saj e madhe mbi kompleksitetib e Lindjes së Mesme, e tejkalon aftësinë e cilitdo nga kandidatët republikanë.

E megjithatë, fjalimi i Klintonit dhe eseja e Kaganit, ia dolën që të frymëzonin shumë pak besim. Të dyja zhyten thellë në mashtrimin që filloi të përhapet në politikën e jashtme amerikane në fund të Luftës së Ftohtë, dhe që arriti të përfundojë dominimin e saj që nga sulmet e 11 Shtatorit.  Iluzioni se Shtetet e Bashkuara mund dhe duhet të sillen me botën si “kombi i domosdoshëm”, duke drejtuar jo vetëm “botën e lirë”, por të gjithë botën, duke përdorur “fuqinë e zgjuar” për të vënë nën kontroll shumë kombe të pavarura, për të bërë pikërisht atë që ne mendojmë se duhet të bëhet e për  të dizenjuar rendin botëror, ashtu siç e konceptojmë ne atë.

Gjëja me të vërtetë e habitshme në lidhje me këtë iluzion, është këmbëngulja e tij – kapaciteti për t’i bërë ballë dëshmive të bollshme, se është tërësisht jorealist. Madje edhe pas përfundimit të  rrëmujshëm të Luftës së Gjirit. Dhe rezultatet në terren e kanë përgënjeshtruar atë. Edhe lufta e gjatë, e vështirë dhe e përgjakshme në Irak. Dhe rrëmuja e Pranverës Arabe. Edhe anarkia në Libi. Dhe ngritja e ISIS-it nga kaosi i luftës civile në Siri.  Edhe pas gjithë kësaj, kandidatja më inteligjente dhe e kompletuar për president, dhe analisti më i mirë i rrymës neokonservatore, vazhdojnë të besojnë se është e mundur që Shtetet e Bashkuara ta trajtojnë botën, si lodrën e tyre personale.

Nëse ky nuk është Kompleksi i Zotit, atëherë unë nuk e di se çfarë emir t’i vendos. Fjalimi i Klintonit, është shumë i qartë mbi atë se çfarë mendon se duhet të ndodhë në Lindjen e Mesme, kandidatja demokrate për president. Ajo dëshiron që Asadi të largohet nga drejtimi i Sirisë; Rusia të mos bombardojë me rebelët sirianë; Turqia të mos bombardojë kurdët, por të na ndihmojë në luftën kundër ISIS-it; Ushtria e Irakut të jenë gjendje dhe e gatshme të ketë rolin udhëheqës në rimarrjen e territorin nga ISIS-i; sunitët në rajon të pësojnë një “zgjim” të dytë, gjatë të cilit të bindin luftëtarët e ISIS-it për të braktisur lëvizjen apokaliptike islamike; Arabia Saudite të ndërpresë mbështetjen e saj për xhihadistët; dhe Irani të mos vazhdojë të provokojë sunitët irakianë dhe sirianë, duke u tërhiqur nga procesi politik në këto vende.

Duket madhështore! Përveç faktit se ekziston vetëm një shans të vogël për përmbushjen e një ose dy nga këto kërkesa, dhe zero shanse për realizimin e të gjithave. Si e dimë ne këtë? Sepse ka një pjesë mjaft të rëndësishme, që mungon tek analizat e Klintonit:diskutimi mbi kakofoninë e përplasjes së interesave që janë në lojë.

Klintoni thjesht liston aktorët e ndryshëm shtetërorë dhe nën-shtetërore të përfshirë në konflikt, shpjegon se çfarë duam ne që ata të bëjnë për të çuar përpara vizionin tonë mbi rendin global, dhe pohon se ajo do të punojë që kjo të ndodhë. Më vjen keq, por as ajo dhe as Shtetet e Bashkuara, nuk janë mjaftueshëm simpatikë për të drejtuar këtë proces.

Përqëndrohemi vetëm tek një nga lojtarët:Vladimir Putin, dëshiron të mbajë Asadin e Sirisë në pushtet, pjesërisht për të mbrojtur bazat detare dhe ajrore të Rusisë në rajon, dhe ai po e mbështet këtë objektiv me forcat ajrore. E vetmja mënyrë për ta bindur të heqë dorë nga ky pozicion, do të jetë ofrimi i diçkaje në këmbim – për shembull, heqjen e sanksioneve të lidhura me aneksimin rus të Krimesë.

A është Klintoni e gatshme ta bëjë një ofertë të tillë? Dyshoj. Por atëherë çfarë? Ajo nuk thotë asgjë, dhe është e vështirë të shihet se çfarë mund të jetë. Po në lidhje me vetë Sirinë? Le të imagjinojmë që administrata Obama apo një administratë e ardhshme e Klintonit, arrin të orkestrojë largimin e Asadit. Po pastaj? A kemi ndonjë arsye për të besuar se vakumi aktual i pushtetit, do të mbushet mjaftueshëm me fraksionet e moderuara, për të mbështetur formimin e një qeverie të mirë (dhe jo vetëm demokratike) dhe mjaft e fortë për të triumfuar kundër fraksioneve të tjera, që do ta kundërshtojnë atë duke përdorur dhunë?

Përgjigja duhet të jetë e qartë. Dhe kjo është vetëm për Rusinë dhe Sirinë. Pasi filloni të mendoni për interesat konkurruese të Shtetit Islamik, turqve, kurdëve, sunitëve irakianë, sauditëve, iranianëve dhe përkrahësve të tyre tyre në Irak, Siri dhe Liban, bëhet e qartë se fjalimi i Klintonit, është në fakt asgjë më shumë se kaq.

E njëjta kritika mund të ngrihet kundër Kaganit, edhe pse me një ndryshim të rëndësishëm. Ndërsa Klinton po kandidon për president, ndaj dhe është e tmerruar nga bërja e propozimeve tejet jopopullore, si ajo e çuarjes së forcave tokësore për të luftuar ISIS-in, Kagani është mjaft komod, duke sugjeruar se SHBA-ja duhet të dërgojë 50.000 apo më trupa përsëri në terren në Mesopotami.

Kjo ka avantazhin e lehtësimit të Shteteve të Bashkuara, dhe nevojën e saj për t’u mbështetur tek vullneti i mirë të aktorëve të tjerë në rajon. (Kush do ta mbushë vakumin e pushtetit në Siri? Pse jo brigada me ushtarë amerikanë!) Por kjo nuk do të thotë se është një ide e mirë.

Edhe një herë, paaftësia për të mësuar nga përvoja e ngurtëson mendjen. Kur SHBA-ja u përpoq të pushtojë Irakun me “gjurmë të lehta” në vitet 2003- 2006, rezultati ishte një kryengritje e përgjakshme që e fuqizoi Al-Kaedën dhe krijoi ISIS-in. Vetëm pasi trupat e Xhorxh W. Bush “u ngritën me vonesë”, dhe dhënia e ryshfeteve të shumta kryekomandantëve fisnore sunitë, të cilën ne e etiketuam si “Zgjimi i Anbarit”, ishte një provë e vogël e rendit (përkohësisht) të restauruar.

Pse ne duhet të supozojmë, se duke dërguar një numër modest trupash amerikane për të pushtuar territore të Sirisë dhe Irakut, do të funksionojë shumë më mirë në këtë periudhë ? Kagan nuk e thotë. Ai vetëm ka besim, se këtë herë gjërat do të shkojmë më mirë se në të shkuarën.

Ngjarjet në Lindjen e Mesme gjatë 20-25 viteve të kaluara, kanë qenë nxitur nga shumë gjëra, por njëri prej tyre është anti-amerikanizmi i zjarrtë, i motivuar nga ndërhyrja jonë e ashpër dhe e vazhdueshme ushtarake në rajon. Ishte prania e trupave amerikane në Arabinë Saudite, ajo që e frymëzoi Osama bin Ladenin për të themeluar Al-Kaedën, ashtu siç ishte pushtimi ynë në Irak, që nxiti kryengritjen që nga ana e saj krijoi ISIS-in.

Dërgimi i dhjetëra mijëra trupave amerikane në rajon, nuk ka gjasa të jetë diçka pozitive këtë herë. Përkundrazi, ne duhet të presim që ky veprim të frymëzojë mijëra të tjerë, që t’i bashkohen ISIS-it në betejën kundër agresorit imperialist. Vetëm dikush që është i paaftë të mësojë nga historia e kohëve të fundit dhe me një bindje të patundur tek plotfuqishmëria, kompetenca absolute dhe mirësia e skajshme e Shteteve të Bashkuara, mund të besojnë ndryshe. (Për një version edhe më karikaturesk të optimizmit metafizik të Kaganit, shih sugjerimin e Xhon Boltonit që trupat amerikane të ndihmojnë në krijimin e një kombi të ri – Sunistanit – në perëndim të Irakut dhe në verilindje të Sirisë. Për shkak, mendoj unë, të suksesit tonë të madh në ndërtimin e Afganistanit, Irakut dhe Libisë, kjo dëshmon se kemi tashmë detyrën e krijimit të kombeve)

Gjatë dekadave të konfliktit bilateral ndërmjet Amerikës me Bashkimin Sovjetik, bota mund t’i ketë ngjarë një fushe shahu me dy superfuqitë që luanin kundër njëra-tjetrës, duke përdorur kombet e tjera si pjesë të lojës. Por mungesa e një rivalit të dikurshëm, nuk do të thotë që ne tani kontrollojmë çdo veprim në të gjitha anët e fushës.

Kjo do të thotë se kjo metaforë nuk vlen më. Shtetet e Bashkuara janë më të fuqishme se çdo komb tjetër në planet, por kjo s’do të thotë se nuk ka kufizime, në atë që mund të arrijë ose që mund të ketë nën kontroll. Nuk është madje as pranë saj. Sa më shpejt që kandidatët tanë presidencialë dhe këshilltarët e tyre të mësojnë të pranojnë këtë fakt të kthjellët, dhe fillojnë formulimin e politikave në bazë të tij, aq më mirë. /The Week

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button