Horizonti.alMAIN

Krijuesi i Internetit / Pse e dhashë web-in falas

Vizioni im u mbështet te ndarja, jo te shfrytëzimi - dhe ia vlen ende të luftojmë për të

Nga Tim Berners-Lee

Isha 34 vjeç kur më erdhi për herë të parë ideja e World Wide Web. E shfrytëzoja çdo rast për ta shpjeguar: e prezantoja në takime, e skicoja në një tabelë të bardhë për këdo që interesohej, madje e “vizatova” edhe në borë me shkopin e skive, për t’ia treguar një miku.

Iu luta pa u lodhur drejtuesve në Organizaten Evropiane për Kërkime Bërthamore (CERN), ku punoja asokohe. Fillimisht e konsideruan idenë “pak ekscentrike”, por përfundimisht më lanë të punoja për të. Më kishte pushtuar ideja e kombinimit të dy teknologjive tashmë ekzistuese: internetit dhe hipertekstit, i cili i jep jetë një dokumenti të zakonshëm duke i shtuar “linke”.

Besova se t’u jepje përdoruesve një mënyrë kaq të thjeshtë për të lundruar në internet do të çlironte kreativitetin dhe bashkëpunimin në shkallë globale. Nëse mund të vendosje çfarëdo gjëje aty, pas pak kohe do të gjendej gjithçka.

Por që web-i të kishte gjithçka, duhej që çdokush të mund ta përdorte dhe të donte ta përdorte. Edhe kjo, vetë, ishte shumë për t’u kërkuar. S’mund të kërkoja gjithashtu që të paguanin për çdo kërkim apo ngarkim që bënin. Që të kishte sukses, duhej të ishte falas. Kjo është arsyeja pse, në vitin 1993, i binda drejtuesit e CERN-it të dhuronin të drejtën e pronësisë intelektuale të World Wide Web, duke e vendosur në domenin publik. Ia dhamë web-in të gjithëve.

Sot, kur e shoh shpikjen time, jam i detyruar të pyes: a është ende web-i i lirë sot? Jo, jo i gjithi. Shohim pak platforma të mëdha që korrin të dhëna private të përdoruesve për t’i ndarë me ndërmjetës tregtarë ose edhe me qeveri shtypëse. Shohim algoritme të kudogjendura që krijojnë varësi me qëllim dhe dëmtojnë shëndetin mendor të adoleshentëve. Këmbimi i përdorimit me të dhënat personale sigurisht që nuk përputhet me vizionin tim për një web të lirë.

Në shumë platforma, ne nuk jemi më klientët, por jemi bërë produkti. Të dhënat tona, edhe kur anonimizohen, u shiten aktorëve që nuk i kemi pasur kurrë në mendje, të cilët pastaj mund të na shënjestrojnë me përmbajtje dhe reklama. Kjo përfshin përmbajtje qëllimisht të dëmshme që çon në dhunë reale, përhap dezinformim, rrënon mirëqenien tonë psikologjike dhe synon të minojë kohezionin shoqëror.

Ne kemi kapacitet teknik për t’ia kthyer atë fuqi individit. Solid është një standard i hapur dhe i ndërveprueshëm, që unë dhe ekipi im e zhvilluam në MIT më shumë se një dekadë më parë. Aplikacionet që funksionojnë mbi Solid nuk i zotërojnë në heshtje të dhënat e tua – ato duhet t’i kërkojnë prej teje dhe ti vendos nëse pranon, apo jo. Të dhënat e tua qëndrojnë në një vend, nën kontrollin tënd.

Ndarja e mençur e informacionit mund ta çlirojë atë. Pse ora jote e mençur i shkruan të dhënat biologjike në një vend të vetëm, në një format të vetëm? Pse komentet e tua në YouTube, postimet në Reddit, përditësimet në Facebook dhe Tweet-et ruhen në vende të ndryshme? Pse pritshmëria e parazgjedhur është që ti nuk duhet të jesh në gjendje të shohësh asgjë nga këto? Ti i gjeneron këto të dhëna. Ti duhet t’i zotërosh.

Diku mes vizionit tim fillestar për web 1.0 dhe ngritjes së rrjeteve sociale në web 2.0, morëm trajektoren e gabuar. Tani ndodhemi në një udhëkryq të ri, ku duhet të vendosim nëse IA do të përdoret për të mirën apo për të keqen e shoqërisë. Si mund të mësojmë nga gabimet e së kaluarës? Së pari, duhet të sigurohemi që politikëbërësit të mos përfundojnë duke luajtur të njëjtën lojë dhjetëvjeçare si me rrjetet sociale. Koha për të vendosur modelin e qeverisjes për IA ishte dje, prandaj duhet të veprojmë me urgjencë.

Në vitin 2017, shkrova një eksperiment mendor rreth një IA-je që punon për ty. E quajta Charlie. Charlie punon për ty si mjeku apo avokati yt, i lidhur me ligjin, rregullimin dhe kodet e sjelljes. Pse të mos adoptohen të njëjtat korniza për IA-n?

Si të ecim përpara? Një pjesë e zhgënjimit me demokracinë në shekullin XXI është se qeveritë kanë qenë shumë të ngadalta për të plotësuar kërkesat e qytetarëve digjitalë. Unë e programova World Wide Web në një kompjuter të vetëm, në një dhomë të vogël në CERN. CERN-i u krijua pas Luftës së Dytë Botërore nga OKB-ja dhe qeveritë evropiane, të cilat identifikuan një pikë kthese historike e shkencore, që kërkonte bashkëpunim ndërkombëtar. Është e vështirë të imagjinosh një kompani të madhe teknologjike që do të pranonte të ndante World Wide Web pa asnjë shpërblim komercial, siç më lejoi ta bëja CERN. Prandaj na duhet një trup jo-fitimprurës, në stilin e CERN-it, që të shtyjë përpara studime ndërkombëtare mbi IA-n.

E dhashë World Wide Web falas sepse mendoja se do të funksiononte vetëm po të funksiononte për të gjithë. Sot, e besoj këtë më shumë se kurrë. Rregullimi dhe qeverisja globale janë teknikisht të realizueshme, por varen nga vullneti politik. Nëse arrijmë ta grumbullojmë, kemi shansin ta rikthejmë web-in si një mjet bashkëpunimi, kreativiteti dhe empatie përtej kufijve kulturorë. Mund t’i fuqizojmë sërish individët dhe ta marrim web-in mbrapsht. Nuk është vonë.

TIM BERNERS-LEE është autori i This Is for Everyone. / në shqip nga bota.al

Back to top button