“Comfort book” është ai lloj libri që e dimë se do të na sjellë një emocion të caktuar. Do të na pëlqejë me siguri sepse ka ndodhur edhe më parë. Për autoren më të dashur italiane të fantazisë, bëhet fjalë për kryeveprën e Eco-s
Licia Troisi
Ky është ai moment i vitit. Kur gjithmonë bëj të njëjtën gjë, dhe as nuk e di më sa vite kanë kaluar që kur e kam filluar. Nuk është fjala për pemën e Krishtlindjes apo zbukurimet, gjëra që gjithsesi i bëj. Jo, unë lexoj sërish. Dhe gjithmonë të njëjtin libër. Pas disa ditësh do të marr në dorë një kopje të vjetër dhe të zverdhur, jo shumë larg nga botimi i parë, të librit “Emri i trëndafilit”. Dhe sërish, për të njëzetenjëtën – apo të njëzetedytën herë – e kam humbur me numërimin, do të futem në «ngjarjet e ndodhura në abacinë, emrin e së cilës është mirë të mos e përmendim më, në fund të vitit të Zotit 1327». Dhe ashtu qoftë. Por pse?
Pse të rilexojmë, dhe pse për Krishtlindje?
Shpesh flitet për argëtim “rehatie”: një serial, një video-lojë, ose, në rastin tim, një libër. Është fjala për një produkt kulturor që e ka këtë veçori: na ngushëllon paksa. Por nuk bëhet fjalë për letërsi “ngushëlluese”, nga ajo që na thotë atë që tashmë e dimë, që na konfirmon vizionin tonë të botës dhe na qetëson pa na dhënë asgjë në fund, përveç një ngushëllimi të përkohshëm që e harrojmë menjëherë pasi e konsumojmë.
Për të qenë e qartë, çdo herë që rilexoj “Emri i trëndafilit”, zbuloj gjëra të reja, dhe e lexoj që nga mosha pesëmbëdhjetëvjeçare, kur babai ma dha duke më treguar, se ishte një nga librat e tij të preferuar. Janë gjëra për të cilat ndoshta kam reflektuar, që shoh të reflektohen në aktualitet, ose për të cilat nuk isha ndalur kurrë në njëzet leximet e mëparshme dhe që nuk i kisha vënë re.
E pra, kjo është ajo që bën letërsia e mirë. “Comfort book” është një libër që dimë se do të na japë një gamë të caktuar emocionesh, që nuk do të na zhgënjejë: dimë që do të na pëlqejë, sepse ka ndodhur edhe më parë, dhe ndonjëherë është bukur të rikthehemi atje ku jemi ndier mirë, si kur vizitojmë një vend të dashur, ose hamë për të njëqindtën herë atë pjatën që na marros.
Risia është një gjë e bukur, për hir të së vërtetës, ndoshta është motorri i botës, por është gjithashtu e rrezikshme: jo gjithçka e re është e bukur. Ka risi negative, që na befasojnë për keq në vend që të na kënaqin, dhe ndoshta ne nuk duam gjithmonë të befasohemi me çdo kusht. Ndonjëherë, thjesht duam të jemi të sigurt, sepse është një periudhë e vështirë, ose duam të përkëdhelemi, ose thjesht ashtu na vjen.
Imagjinoj që për ata që kanë vuajtur të kapërcejnë njëqind faqet e para “iniciuese” – fjalët e Umberto Eco-s – mund të duket e çuditshme, por për mua “Emri i trëndafilit” është pikërisht kjo: pylli ku shëtis pa pushim çdo javë, duke e gjetur çdo herë të njëjtë me veten dhe njëkohësisht pak të ndryshuar, aq sa të më kujtojë dimensionin e kohës që ka kaluar.
Dakord, po pse për Krishtlindje?
Thjesht sepse është periudha ime e preferuar e vitit. Por edhe këtu ka disa arsye. Krishtlindja, si shumica e festave, mishëron një ritual që prej shekujsh na ndihmon të shënojmë kalimin e kohës: gjithçka përsëritet vit pas viti, nga darka e madhe te takimet me të afërmit e deri te dekorimet – shpesh ato të njëjtat – që nxirren më 8 dhjetor, ose më herët për ata që s’kanë durim. Është festa që, më shumë se të tjerat, të kthen te fëmijëria, me kujtimet e saj të ëmbla e të hidhura. Por është gjithashtu një moment i pezullt: për disa ditë, gjithçka përfundon në një flluskë të butë ushqimi e pijesh alkoolike, ndërsa jashtë nata bie shpejt dhe ndriçohet nga mijëra drita, një kujtim i festës së Sol Invictus dhe shumë të tjerave që i paraprinë asaj. Sepse në të vërtetë është fillimi i fundit të errësirës, ajo që ne festojmë.
Në këtë kohë të pezullt, është më e lehtë të gjesh një moment për veten, për atë përkëdheljen e leximit të një libri të dashur, që e hap gjatë netëve të gjata dimërore; pa llogaritur dëshirën për t’u shkëputur pak nga të afërmit dhe teprimi në tryeza. Një libër na ofron edhe këtë strehë.
Dhe pastaj, le ta themi hapur, rileximi në ditët e sotme është një akt revolucionar. Jeta jonë është performancë, një shigjetë e drejtë që shkon nga një e shkuar që mezi presim ta lëmë pas, drejt një të ardhmeje që duhet të jetë më e mirë, në çdo aspekt. Jeta është e shkurtër, kush ndalon, humbet. Por kush dëshiron me të vërtetë të vrapojë gjithmonë? Kush nuk do të donte, të paktën herë pas here, të zbriste nga karuseli?
Rileximi ndoshta është humbje kohe: sa libra të mrekullueshëm humbas sa herë që rilexoj “Emrin e trëndafilit”? Nuk e di, dhe nuk më intereson. Të paktën një herë në vit, kam nevojë që kënaqësitë dhe hobet të ndalojnë së qeni një garë drejt performancës më të mirë. Dhe për këtë arsye ndalem, me një filxhan çaji në dorë, me ngrohtësinë e oxhakut – ëndërruar që nga fëmijëria dhe arritur vetëm një dekadë më parë – dhe librin tim të preferuar në duar. Ky është akti im i vogël rebelues, momenti im i pezullt, kënaqësia e kthimit në vendin e krimit. Gjithçka tjetër mund të presë deri në fund të festave. / Në shqip nga bota.al