Bota

Kriza e emigrantëve mund të kthehet në një triumf për Evropën

kriza migrant

Nga Matteo Garavoglia

“Brookings Institute”

Pavarësisht pretendimeve të shpeshta për të kundërtën, kriza e emigrantëve në Evropë mund të përfundojë vërtetë duke e forcuar projektin evropian. Ose të paktën kështu duket se mendojnë drejtuesit e institucioneve në Bruksel. Komisioni Evropian ka paraqitur një mori iniciativash, për të trajtuar aspektet e shumta të kësaj krizë.

Të gjitha synojnë për “më shumë Evropë”, si rruga e vetme për të ecur përpara. Në shkallë të ndryshme dhe në varësi të çështjes, Brukseli mund të ketë sukses në promovimin e një qasje të përbashkët evropiane. Sa më shumë që ajo mund ta bëjë këtë, aq më shumë ka gjasa të jetë i sukseshëm reagimi tërësor i BE-së ndaj kësaj krize.

Kufijtë e evropianizmit vullnetar

Brukseli po ndërmerr një akt delikat balancimi:nga njëra anë ndërmjet nevojës për të adresuar sfidat pan-evropiane, dhe në anën tjetër nevojës për të respektuar prerogativat kombëtare.

Institucionet evropiane, kanë promovuar në mënyrë të përsëritur mekanizmat vullnetare, si mjete për të adresuar krizën e emigrantëve dhe refugjatëve. Megjithatë, rezultatet e arritura përmes qasjes së një Evrope me rregulla kanë qenë në rastin më të mirë të dobëta. Programi i Evropës për zhvendosjen e azilkërkuesve, i bllokuar aktualisht në Greqi dhe Itali është një rast i tillë. I konceptuar fillimisht si një skemë vullnetare, ai duhej të shndërrohej në një program të detyrueshëm, në mënyrë që të gjitha vendet anëtare të marrin pjesën e tyre të azilkërkuesve, në raport me numrin e popullsisë dhe mundësitë financiare.

Megjithatë, ka ende përpjekje për fillimin e zbatimit në praktikë të kësaj skeme:Nga 160 mijë azilkërkues që vendet evropiane premtuan t‘i mirëpresin nga Greqia dhe Italia shtatorin e kaluar, në fakt vetëm 208 prej tyre ishin zhvendosur deri në datën dhjetor.

Në mënyrë të ngjashme, edhe propozimi i fundit i Komisionit për një skemë vullnetare humanitare me Turqinë për pranimin e refugjatëve nga Siria, rrezikon të mos prodhojë asgjë pozitive. Për shkak të natyrës së tij vullnetare, programi i lë shtetet anëtare të drejtën e marrjes së vendimin përfundimtar mbi atë nëse do të mirëpresin dhe në çfarë mase azilkërkuesit.

Pra, pse institucionet evropiane vazhdojnë të propozojnë një përgjigje pan-evropiane ndaj krizës? Për shkak se ato janë të vetëdijshme, se qeveritë kombëtare janë të detyruara gjithnjë e më shumë të punojnë së bashku mbi ngjarjet që po zhvillohen.

Lamtumirë lëvizjes së lirë?

Ndërsa dëshmitë aktuale të një lidhje ndërmjet emigrimit dhe terrorizmit, janë ende të dobëta, debati publik amerikan mbi emigrantët dhe refugjatët, është bërë gjithnjë e më shumë toksik pas sulmeve të Parisit dhe San Bernardinos. Në garën e ethshme drejt zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016, të dyja palët janë rreshtuar në mënyrë të pazakontë së bashku, duke bërë thirrje për një rishikim të programit të heqjes së vizave, çka lejon më shumë se 20 milionë shtetas jo-amerikanë të hyjnë çdo vit pa viza në Shtetet e Bashkuara.

Një shtrëngim i mundshëm i programit amerikan të heqjes së vizave, është tani në mendjen e shumë politikëbërësve në kryeqytetet evropiane. Është e rrallë për ambasadorët e BE-së në Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë kolegët e tyre evropianë për të bashkë-nënshkruar një letër të hapur, por ata kohët e fundit e bënë këtë në mbështetje të programit të heqjes së vizave.

Kjo është dëshmi e faktit se e gjithë Evropa është i vetëdijshëm se nëse BE-ja nuk merr nën kontroll menaxhimin e kufirit, Uashingtoni mund të kufizojë më tej qasjen në Shtetet e Bashkuara për qytetarët evropianë.

Kryeqytetet evropiane nuk bien  shpesh dakord mbi masa të tilla, por kur kjo ndodh, mund të ketë propozime serioze mbi politika të caktuara. Përvoja e shkuar duket se sugjeron se kur gjithçka i lihet vullnetit të mirë të qeverive kombëtare, skemat vullnetare humanitare kanë tendencë të dështojnë.

Përgjigje mbikombëtare për dështimet kombëtare

Shtetet anëtare të BE-së, i njohin mirë pasojat që kanë shkaktuar kufijtë porozë, dhe me sa duket janë të gatshme të mbështesim propozime me ndikim të gjerë, për të reformuar sigurinë kufitare evropiane. Të debatuara gjatë në prapaskenë, propozimet e fundit nga Komisioni Evropian janë relativisht radikale në këtë drejtim.

Ndër nismat e tjera, ato parashikojnë krijimin e një forme embrionale të Rojës Kufitare Bregdetare Evropiane dhe Rojës Bregdetare (EBCG). Ndryshe nga Frontex që është paraardhësi i tij, EBCG do “të duhet të mbështetet tek forcat e veta”. Falë së drejtës për të blerë dhe përdorur pajisjet e veta, një staf të përhershëm prej 1 mijë personash, dhe një buxhet vjetor prej 322 milionë eurosh (afërsisht 2 herë më shumë se buxheti aktual i Frontex ), EBCG nuk do të varet nga kontributet bamirëse nga ana e shteteve anëtare.

Edhe më e rëndësishmë, nëse një shtet anëtar konsiderohet i dështuar në mbrojtjen e kufijve të  jashtëm të BE-së, EBCG mund të vendoset atje edhe kundër vullnetit të shtetit anëtar në fjalë.

Të marra së bashku, këto propozime nënkuptojnë se institucionet evropiane do të mund të shkelin hapur mbi sovranitetin e shteteve anëtare, për të garantuar sigurinë e BE-së si një e tërë. Ky zhvillim do të jetë asgjë më pak sesa historik:Siç ka qenë rasti në fusha të tjera të politikave, epërsia hierarkike e BE-së mbi shtetet individuale, do të afirmohet gjithashtu në fushën e menaxhimit të kufirit.

Sovraniteti real përkundrejt atij imagjinar

Institucionet evropiane janë duke promovuar sovranitetin e vërtetë evropian kundër sovraniteteve imagjinare kombëtare. Përfshirja e institucioneve mbikombëtare, mund ta ndihmojë Bashkimi Europian të trajtojë në mënyrë kuptimplotë si emergjencën humanitare, ashtu dhe sfidat e sigurisë që kanë sjellë në brigjet evropiane kriza e emigrantëve dhe refugjatëve. Ç’është më e rëndësishmja, fusha e suksesit të tyre do të përcaktojë nëse kjo krizë është shpërdoruar, apo është kthyer në një mundësi për të forcuar projektin evropian.

Shënim: Matteo Garavoglia është bashkëpunëtor i jashtën në Qendrën për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën. /Brookings Institute – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button