Analiza

Kriza që lind prej kolonializmit

Rami Khouri

Kriza nw Lindjen e Mesme lind prej kolonializmitPas pak ditësh do të përkujtohet 100-vjetori i fillimit të Luftës së Parë Botërore, dhe për të kuptuar më mirë situatën e asaj kohe, mund të vëzhgojmë ngjarjet e këtyre ditëve në Palestinë. Sjellja e Izraelit ofron një dritare të përsosur për të parë mentalitetin e fuqive perëndimore koloniale një shekull më parë, kur, më mirë të armatosura dhe të bindura për superioritetin e tyre kombëtar vrisnin, pushtonin, vinin zjarrin, ngrinin kufij, masakronin, dëbonin, gazifikonin dhe të fyenin sipas qejfit arabët, duke i trajtuar më shumë si kafshë, se sa si qenie njerëzore.

Sot Izraeli sillet me palestinezët ashtu si fuqitë koloniale franceze, britanike dhe italiane silleshin me irakenët, sirianët, egjiptianët, algjerianët dhe libianët. Kolonizimi që ai u ka bërë territoreve arabë dhe përdorimi i shfrenuar i ushtrisë kundër civilëve palestinezë është një leksion historie “live”, që tregon se si fuqitë koloniale trajtonin vendasit, që konsideroheshin shërbyes apo të nënshtruar pa të drejta, me të cilët gjuha e vetme ishte forca.

Pa iu kthyer mentalitetit kolonial, shoh vetëm dy mënyra për të shpjeguar përse gjatë intervaleve prej pak vitesh, Izraeli lëshon makinerinë e tij ushtarake kundër një popullsie civile të pambrojtur nga bombardimet ajrorë. Ose izraelitët janë një popull kaq budalla, saqë nuk kuptojnë se sulmet e përsëritur nuk mjaftojnë për të arritur nënshtrimin, pasivitetin dhe servilizmin e palestinezëve, ose janë vrasës patologjikë që adhurojnë pamjen e shtëpive palestineze të bombarduara, nënave në lot dhe trupave të copëtuar të dhjetëra fëmijëve.

Unë e di që izraelitët nuk janë as njëra, e as tjetra. Janë një popull si gjithë të tjerët. Atëherë përse vazhdojnë të bëjnë atë që po bëjnë, pra që brenda 36 orëve arrijnë të lëshojnë katërqind tonë bomba mbi familjet e paarmatosura në Gaza? Përse rikthehen ta bëjnë në intervale prej pak vitesh, në tentativën e vazhdueshme për të ndaluar rezistencën e armatosur të palestinezëve, ndaj pushtimit dhe rrethimit prej izraelitëve, pa ia dalë mbanë asnjëherë? Mbi të gjitha, sepse 90 % e izraelitëve e mbështet vazhdimisht këtë luftë, duke e shndërruar në një karakteristikë kombëtare, në vend që ta konsiderojnë një marrëzi të një grushti ekstremistësh në pushtet?

E gjithë kjo ndodh sepse Izraeli ka ngecur në atë që është ndoshta konflikti më i gjatë kolonial i historisë, mes nacionalizmit/sionizmit hebraik dhe nacionalizmit arabo-palestinez. Sillet ekzaktësisht si fuqitë koloniale, me popujt e pushtuar mes viteve shtatëqind dhe nëntëqind. Ky konflikt filloi në fundin e tetëqindës, kur Kongresi i parë sionist bëri thirrje për krijimin e një shteti hebraik në Palestinë dhe nxitjen e ngritjes së vendbanimeve në një territor që ishte banuar në 90 përqind të tij nga arabo-palestinezë. Në 120 vitet që pasuan, sionizmi hebraik dhe arabizmi palestinez janë përplasur. Sionizmi ka fituar, jo vetëm nga pikëvështrimi ushtarak, por ekuacioni themelor i dominimit kolonial dhe i rezistencës së vendasve vazhdon.

Konflikti ka mbërritur në brezin e gjashtë dhe nuk ka ndërmend të ndalet. Palestinezët, që në vitin 1947 ishin një milion e gjysmë, sot janë tetë milionë. Nuk e harrojnë se kush janë dhe nga vijnë, nuk pranojnë shpronësimet dhe dëbimin, nuk dorëzohen që të jetojnë në përjetësi në robërinë e tyre babiloniane.

Të shohësh Izraelin, Palestinën dhe Lindjen e Mesme në dritën e pasojave të teprimeve kolonialë ndihmon për të kuptuar dy fenomenet dominues sot: paqëndrueshmërinë kohëgjatë dhe konfliktet e shkaktuar nga kolonializmi në Lindjen e Mesme dhe në pjesë të tjera të jugut të botës, si dhe tensionet mes Palestinës dhe Izraelit, që vazhdojnë që prej fundit të tetëqindës.

Lëvizjet antikoloniale i dhanë fund dominimit perëndimor në të gjithë botën, përveç se në Palestinë, ku pasardhësit e arabëve autoktonë luftojnë ende me pasardhësit e imigrantëve sionistë. Komuniteti i vogël hebraik që jetonte prej shekujsh në Palestinë ishte pjesë integrale e kulturës vendase dhe nuk konsiderohej i huaj apo i rrezikshëm, sepse nuk ishte as i huaj dhe as i rrezikshëm, dhe nuk kishte një mentalitet kolonial.

Mes pasojave të kolonializmit është shumëllojshmëria e habitshme e kaosit dhe dhunës politike dhe sektariane në të gjithë rajonin, mbi të gjitha në Siri, Irak, Libi, Algjeri dhe në territore të tjerë të kolonizuar nga fuqitë europiane dhe në vijim të bombarduar nga udhëheqës ushtarakë të paaftë dhe gjakatarë.

Këto trazira dhe luftime të dhunshëm në Palestinë dhe në Izrael demonstrojnë se epoka koloniale nuk mori fund asnjëherë me të vërtetë, dhe që vazhdojmë të vuajmë pasojat e tmerrshme të veprimeve të njerëzve të bardhë nga veriu, të cilët me armët e tyre të fuqishme dhe avionët e tyre ushtarakë mendojnë se mund të vrasin mijëra vetë në jug, që kanë lëkurën me ngjyrë më të errët, dhe që në fund të mbeten totalisht të pandëshkuar. Dhe që mund ta ribëjnë tre vjet më vonë. Dhe pastaj sërish tre vjet më vonë, sepse kolonializmi nuk fiton asnjëherë dhe mund të kapërcehet vetëm me çlirimin dhe me vetëvendosjen.

  • Rami Khouri është opinionist i të përditshmes libaneze Daily Star. Eshtë Drejtor i Institutit të Politikave Publike dhe Cështjeve Ndërkombëtare “Issam Fares”, në Universitetin Amerikan të Beirutit.

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button