Në faqet e New York Times, fituesi i çmimit Nobel për ekonominë, Paul Krugman ka shfaqur hapur mbështetjen e tij për vendimin e qeverisë greke për referendum.
“Zakonisht në periudha krizash, qeveritë janë më të predispozuara të lëshojnë terren kundrejt kërkesave të institucioneve ndërkombëtare. Kjo nuk funksionoi me Tsipras-in”, thekson Krugman.
Sot bashkohem me vendimin e Tsipras për të hedhur me referendum kërkesat e Trojkës për planin e masave që duhet të ndërmarrë qeveria greke.
Gjithashtu, Krugman thekson se deri më sot mekanizmat e mbrojtjes së euros kanë funksionuar. Mekanizmi është shumë i thjeshtë thekson Krugman, pas presioneve që institucionet ndërkombëtare ushtrojnë mbi qeveritë, Banka Qendrore Europiane, ndërhyn me likuiditet duke qetësuar merkatot financiare, dhe kjo duket se ka funksionuar gjithmonë, si me Spanjën ashtu edhe me Italinë në kohën e qeverisë Monti.
Qeveria Tsipras duket se nuk lëshon terren, dhe kjo ka krijuar një tension në tregjet ndërkombëtare. Kuptohet që për teknokratët europianë është e vështirë të konceptohet një referendum për probleme të tilla, megjithatë demokracia, pavarësisht rezultatit, është mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve.
Edhe Thomas Piketty, ekonomisti francez, kundërshton ashpër planin e masave të propozuara nga grupi i Brukselit.
Ai gjithashtu thekson se shtetet që sot kërkojnë nga Greqia respektimin e planit të kursimit, kanë qenë të parat që nuk e kanë aplikuar kur ndodheshin në situata të tilla. Pas Luftës së Dytë Botërore, borxhi publik i Gjermanisë dhe Francës i kalonte 200% të PBB. Masat e marra në atë kohë kanë qenë inflacioni dhe ristrukturimi i borxhit, pikërisht atë që po kërkon Greqia sot.
Greqia i ka bërë reformat që nevojiteshin dhe sot ndodhet në një situatë të mirë financiare, me një surplus taksash gati 1% të PBB.
Grekët sot paguajnë më shumë taksa se sa marrin shërbime dhe kjo jo pa pasoja sociale. Papunësia në Greqi është rreth 27%, rrogat e ulura me 30%, administrata publike e shkurtuar me 30%, pensionet gjithashtu janë ulur me rreth 45%.
Mënyra më e mirë për daljen nga kriza është rifillimi i investimeve dhe ulja e papunësisë, në mënyrë që të ketë një rritje ekonomike, duke siguruar kështu më shumë të ardhura fiskale.
Marrëveshjet e firmosura midis Greqisë dhe Trojkës në 2012-ën, nga qeveria e mëparshme parashikojnë një surplus prej 4% të PBB, gjë e pamundur për t’u arritur, thekson Piketty. Duhet dhënë fund njëherë e përgjithmonë logjikes së masave shtrënguese.
Në fillimin e krizës në 2009, borxhi publik i Greqisë ishte rreth 130% të PBB. Masat shtrënguese jo vetëm që nuk kanë dhënë rezultat në uljen e borxhit, por kanë përkeqësuar ndjeshëm borxhin grek që sot kap shifrat e 180% të PBB.
“Më shumë se kokëfortësia greke, ajo që më shqetëson më shumë sot, është miopia dhe kokëfortësia e teknokratëve europianë, që nuk pranojnë asnjëherë gabimet e tyre”, theksoi Piketty./DITA