Kënga e dashurisë, që vjen nga Shekspiri, apo nga të tjerë, shumë më të vegjël se ai, është për valutën e ndjenjave tona, ashtu si dollari për ekonominë, si tryeza e ngrënies për jetën tonë familjare – është e domosdoshmja, e pashmangëshmja. Ekziston një anektodë, sipas të cilës, George S. Kaufman, pasi dëgjoi strofat e para të “They all laughed” të Ira Gershuin (“Të gjithë qeshën me Kristofor Kolombin / kur tha se bota ishte e rrumbullaktë”) shpresoi që ajo, të paktën ajo, nuk ishte një këngë dashurie. Por më pas, teksti vazhdonte: “Qeshnin me mua, që të doja ty”. Dhe Kaufmani u dorëzua. Të gjithë këngët, janë këngë dashurie
Adam Gopnik
Eshtë një mesditë disi e freskët, dhe ashtu si çdo vit, në Central Park (Nju Jork) organizohet një takim, ku lexohen dhe dëgjohen sonetat e Shekspirit, seria e plotë, në mënyrë të njëpasnjëshme. Poeti e nis duke thirrur një djalë të ri e të pashëm, që të martohet dhe të bëjë seks me një grua, për të cilën nuk jep as emrin, dhe as nuk e përshkruan. Më pas, rrëfen se është i dashuruar me të renë dhe përpiqet të na bindë se bukuria e jashtme ka një efekt pozitiv mbi shoqërinë, nën profilin moral. Seria e njëpasnjëshme e sonetave është e gjitha e përqëndruar në dëshirën e dëshpëruar seksuale, që poeti ndien kundrejt një gruaje me flokë të zinj – por pasi bën seks me të, pushtohet nga një ndjenjë e tillë faji, saqë nuk e shijon më aktin, ose e shijon vetëm në vetë çastin e seksit, ndërkohë që para dhe pas tij ndien një siklet të madh. Më pas, djaloshi ynë merr frymë thellë, ngre supet dhe i hyn një loje fjalësh mbi erosin. Mes enigmave shfaqen strofa të një bukurie joreale, përrallore.
“Këngë dashurie, vetëm këngë dashurie”, ishte slogani i radiove të dikurshme, dhe dëgjuesit besnikë që i përkisnin besimit të ngurtë “indie”, ngërdhesheshin dhe ndërronin kanal për të dëgjuar… të tjera këngë dashurie, të interpretuara nga këngëtarë “indie”. Kënga e dashurisë, që vjen nga Shekspiri, apo nga të tjerë, shumë më të vegjël se ai, është për valutën e ndjenjave tona, ashtu si dollari për ekonominë, si tryeza e ngrënies për jetën tonë familjare – është e domosdoshmja, e pashmangëshmja. Ekziston një anektodë, sipas të cilës, George S. Kaufman, pasi dëgjoi strofat e para të “They all laughed” të Ira Gershuin (“Të gjithë qeshën me Kristofor Kolombin / kur tha se bota ishte e rrumbullaktë”) shpresoi që ajo, të paktën ajo, nuk ishte një këngë dashurie. Por më pas, teksti vazhdonte: “Qeshnin me mua, që të doja ty”. Dhe Kaufmani u dorëzua. Të gjithë këngët, janë këngë dashurie.
Edhe pse përsëritje stereotipe, elementët klasikë të këngës së dashurisë, janë ajo që na trazon më shumë. Libri i ri i Ted Gioias, “Këngë dashurie: Historia e fshehtë” (Oxford), tregon se këngët e dashurisë janë të përjetshme dhe që, nëse i dëgjon si duhet, janë gjithësecila shprehje e kohës së vet. Libri i Gioias shtrihet në kohë nga poezitë e Saffos në Lezbo, deri tek Hip Hopi në South Bronx. Prapa këngëve të mëdha të dashurisë, na thotë, nuk ka dashuri të mëdha, por ka kthesa të mëdha sociale. Lindin kur kontinentet përplasen dhe rendi seksual përmbyset – epoka e artë e eksploratorëve, në shekullin 12 dhe 13, për shembull, pasqyron një prej momenteve të rrallë në të cilët dëshira femërore, gjeti vëmendje.
Për këngët e dashurisë, është interesante të kuptosh se si arrijnë që të pushtojnë, pa u munduar fare, imagjinatën tonë: “Yesterday” është kënga absolutisht më e dëgjuar, dhe nuk do të kish qenë më e mirë, edhe nëse do të ishte sqaruar me detaje arsyeja përse “asaj iu desh të largohet” (Why she had to go, I don’t know, she wouldn’t say). E tillë është kënga e dashurisë. Sentimentalizëm.
Apo mos dashuria është vetëm emri që sentimentali i vë seksit? Prej këtu kuptohet, përse sonetat e Shekspirit ushtrojnë ndaj nesh një magjepsje të tillë. Duam që të flasin vetëm për dashurinë, dhe vazhdojmë të zbulojmë që flasin vetëm për seksin, në çdo dimension të tij: seksin si pasion, seksin si magji, seksin si shfryrje, seksin si peng shoqëror, seksin si hakmarrje, seksin imagjinar dhe seksin real. Por dëshira është e shtrënguar, në një korse aludimesh dhe aliteracionesh. Muzika e sonetave i ka rrënjët në mjeshtërinë e Shekspirit, në përdorimin e përsëritjes dhe në shndërrimin e shqisës në magji, ashtu si në të mrekullueshmin sonetin 8: “Ti, që je muzikë e pastër, përse dëgjohesh me trishtim? Embëlsia nuk i shpall kurrë luftë ëmbëlsisë / Gëzimi ushqehet me gëzim”. Edhe një herë, duke e përsëritur fjalën, Shekspiri i jep asaj më shumë shije.
Bashkimi i tingujve të ëmbël dhe temave plot epsh është, në tërësinë e vet, ajo që realizon muzika pop. Madje ka lindur një faqe interneti, me jo pak sukses, vetëm për të parafrazuar këngët e sotme të dashurisë, në stilin e sonetave të Shekspirit. E menaxhuar nga Erik Didriksen, faqja Pop Sonnets prodhon parodi të mrekullueshme, por ironia nuk ka vënë në shënjestër Britney Spearsin apo Taylor Suiftin. Ironia në të vërtetë i drejtohet dashurisë, e cila paraqitet kaq shpesh si amalgamë pasionesh të ulët dhe shprehjesh të larta.
Dashuria dhe këngët e saj mund të jenë të përjetshme? Në një epokë kur, të bësh seks me të rinjtë është gjë e mirëqenë, adoleshentet e sotme i këndojnë puthjes me vajza të tjera. Ose aspirohet monogamia. Libri i komikut Aziz Ansari, “Modern Romance” synon të pikasë pengesat që i shfaqen dashurisë, në një kohë kur nuk ekzistojnë më pothuajse fare tabutë. Dashuria bën rrugë, në mënyrë të mundimshme, përmes Facebookut, Tëitterit dhe Snapchatit, ashtu si një libër analog i viteve Shtatëdhjetë, do të kish vënë në shënjestër baret dhe lokalet për beqarë.
“Të gjithë këngët e dashurisë janë të trishta”, më ka thënë një herë Paul McCartney. Misteri qëndron në faktin që, ndërkohë që ne duam dashurinë e shpërblyer dhe të lumtur, ndjesitë më të forta i provojmë kur dashuria është e frustruar. Atëherë, gjëja më e mirë është që të “ngrejmë” skrupujt që ndërlikojnë pasionet tanë, të gjejmë pengesa që e forcojnë dëshirën tonë. Një tjetër lloj dashurie, ajo e qëndrueshme në kohë – harmonia e përjetshme, që me sa duket u ka “shpëtuar” zonjës dhe zotit Shekspir, dhe që na shpëton të gjithë ne të tjerëve – është e vështirë t’i japësh një emër. Agape, dashuria hyjnore; caritas, kujdes e dhimbsuri; empatia, ndjeshmëria, ose përkushtimi i përjetshëm. Dashuria e qëndrueshme në kohë, që nuk është një zakon i thjeshtë, gjendet mes fragmenteve të pasqyrës ku shohim veten tonë, një pasqyrë që pasi thyhet, na detyron që të kthejmë sytë përreth dhe ta shohim jetën ashtu si është, e pamjaftueshme. Në këmbim, mund të marrim ndoshta një palë sy të tjerë, që na ndihmojnë të shohim botën. Le ta quajmë edhe këtë emocion dashuri, por ndoshta i duhet një emër më i mirë, si dhe një këngë krejt e tija.
Marrë me shkurtime nga The Neë Yorker – Bota.al