Your Life

“Kurrë mos u dorëzo!” Fjalimi emocionues i Eric Thomasit

“Madhështia është një shumicë gjërash të vogla të bëra siç duhen bërë, ditë pas ditë, përpjekje pas përpjekjeje”.

Nuk ka për të ardhur kurrë ajo ditë në jetën tënde, kur të të duket sikur është koha e duhur për të bërë diçka. Nëse ju jeni duke pritur atë ditën perfekte, atë momentin perfekt, dijeni se ajo kurrë nuk ka për të ardhur. E dini se çfarë duhet të bëni? Duhet ta krijoni ju kohën, mundësinë dhe situatën perfekte.

Disa njerëz thjesht lodhen në jetë. Ndalojnë së ecuri, ndalojnë së kërkuari më shumë. Fillojnë të ndihen të kënaqur me pak. Shkojnë në ato punë që nuk i bëjnë të ndihen mirë. Por, nëse dikush nuk ndjek atë që pëlqen, ai ose ajo është duke praktikuar vetëvrasjen e shpirtit të tij/saj.

Nëse ti i vendos vetes synime dhe përpiqesh t’i arrish ato, ke për të zbuluar disa aftësi dhe talente të vetes që nuk e dije se i kishe. Janë ato aftësi që do të të mbajnë ty në lojën e jetës, kur të duket sikur gjithçka po merr të tatëpjetën. Ka gjëra që mendon se nuk të duhen, por mund të ndodhë që thjesht duke i mësuar një herë, ato të të shërbejnë për të shpëtuar jetën tënde.

Mos prit që komshinjtë e tu të të bëjnë të lumtur. Mos prit as prindërit e tu të të kuptojnë, nëse ata kanë mendime paksa prapanike dhe mund të mos i kuptojnë aftësitë e tua. Nuk ke pse kërkon që të tjerët të jenë fenomenalë; nuk ke pse kërkon që njerëzit e mirë të jenë fenomenalë, sepse ti je vetë fenomenal dhe i jashtëzakonshëm.

Ka një arsye që duhet të të mbajë zgjuar përditë. Gjeje atë arsye. Nëse nuk je atje ku do të jesh, nëse nuk e ke gjithçka që do të kesh, nëse nuk ke mbërritur atje ku doje të mbërrije në fazën e jetës që po kalon, mos mendo se kjo gjë ka ndodhur për shkak të politikës apo rrethanave. Kjo gjë ka ndodhur sepse ti nuk ke sakrifikuar mjaftueshëm. Unë dua që ti të përpiqesh t’i bësh ëndrrat realitet, sepse nëse nuk i bën, do të përfundosh duke punuar për dikë tjetër që ai/ajo t’i realizojë ëndrrat e tij/saj.

Nëse çdokush është kundër teje, mos i beso fjalët e tyre negative. Më lejo të të them diçka, çdo gjë ka të bëjë me ndjenjat. Mendo për gjithë njerëzit për të cilët duhet t’i bësh sakrificat. Mendo që shumë njerëz i marrin ëndrrat dhe talentet e tyre në varr. Nëse do të ishte e thjeshtë për t’i përmbushur ato që do të dëshironin, çdokush do t’ia dilte t’i përmbushte ato.

Tani ka njerëz që po punojnë, ndërkohë që nuk duan të punojnë. Njerëz që e urrejnë punën e tyre dhe që nuk duan të zgjohen nga gjumi për t’i bërë ato punë. Janë pikërisht ata që në varr do të çojnë gjithë idetë që kishin dhe ëndrrat që kurrë nuk u bënë realitet.

Kurrë nuk ke për të qenë i suksesshën, derisa ta kthesh dhimbjen tënde në madhështi. Lejoje dhimbjen tënde të të nxisë për të mbërritur atje ku do të mbërrish. Ajo duhet të të jetë shtysa jote drejt suksesit.

Është shumë e thjeshtë për të qenë në fund. Nuk të duhet të bësh asgjë për të qenë një dështak. Mirëpo jeta nuk duhet vazhduar kështu. Në çdo ditë ti duhet ta shtysh veten tënde duke e nxitur veten me fjalët “Unë do ta bëj këtë gjë”. Çohu dhe përpiqu. Njësoj si ty kanë pasur edhe të tjerët kohë. Të gjithëve na jepen 86400 sekonda në ditë dhe nëse i shfrytëzon siç duhet, aq sekonda mjaftojnë. Aq kanë mjaftuar, edhe për ata që sot kanë korrur sukses.

Armiku më i madh me të cilin duhet të ndeshesh, është vetja jote. Nuk ka armik më të madh se vetja që të na shkaktojë aq shumë dëm, sa ne mund t’i shkaktojmë vetes sonë. Kur jeta të rrëzon, shiko sa më lart dhe përpiqu të ngrihesh. Kur i ke synimet të larta, ke për t’u ngritur dhe kurrë nuk ke për ta lejuar veten të biesh sërish aq poshtë.

Nëse do të lësh gjurmë në jetën tënde, duhet t’i thuash “Po” jetës tënde; duhet t’i thuash “Po” ëndrrave të tua; “Po” të ardhmes tënde; t’i thuash “Po” potencialit tënd. Mos lër ëndrra pa realizuar deri në momentin që do të vdesësh. Kur ta lësh këtë botë, përpiqu të kesh realizuar çdo gjë që doje të realizoje.

Ti nuk ke për të qenë këtu përgjithmonë. Asnjë nga ne nuk do të jetë, por të gjithë ne duhet ta synojmë dhe të duam ta shohim veten të suksesshëm, po aq sa duam të marrim frymë për të jetuar…

Leave a Reply

Back to top button