Horizonti.al

Kush banonte në labirintet nëntokësorë të Andeve?

Screen Shot 2016-02-18 at 15.29.17

Thirrje të frikshme vijnë nga thellësitë. Turmat rrijnë përpara tempullit madhështor, duke dëgjuar tingujt trazues që cuditërisht të kujtojnë hungërimën e një xhaguari. Nga nëntoka del tym – orakulli ka folur.

Chavin de Huantar, një qendër ceremonish e ndërtuar rreth vitit 850 para Krishtit, edhe sot i ngatërron arkeologët. Kompleksi i tempujve në Andet e Perusë ishte “një prej vendeve më të shenjtë të indigjenëve, i ngjashëm me Romën apo Jeruzalemin sot”, shkruante murgu spanjoll në vitin 1616. Brenda një piramide trekatëshe me bazë katrore, arkeologët gjetën një labirint me dhoma dhe shkallare, që lidheshin mes tyre përmes një serie rrugësh nëntokësore, duke u shtrirë në një kilometër e gjysmë.

A përdorej ky sistem kompleks tunelesh për ceremoni e rituale? Shumë prej korridoreve dhe shkallareve përfundojnë në mënyrë të beftë; të tjera të shpien thellë poshtë në nëntokë. Gërmuesit besojnë se priftërinjtë e kultit Chavin kryenin rituale aty, duke përdorur efektet akustike për të manipuluar popullin. Të shoqëruar prej trumbetave të Andeve, besimtarët, të mbushur me dhurata për perënditë, detyroheshin të përshkonin rrugëkalimet e errët deri kur mbërinin në Orakullin e El Lanzos: një monolit graniti pothuaj pesë metra, që paraqet një perëndi me tipare maceje dhe gjarpërinj që i dalin nga koka.

“Chavin de Huantar ishte një qendër e rëndësishme ceremonish në kohën e vet. Njerëzit vinin nga larg për t’u konsultuar me orakullin”, beson arkeologu Ivan Falconi. Duke përdorur gjeoradarë dhe tomografinë gjeoelektrike, Falconi tani shpreson që të zgjidhë misteret më të mëdha të vendit./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button