
Në Bejrut, kryeqytetin e Libanit, këtë javë një sulm izraelit rrëzoi një ndërtesë të tërë. Izraeli padyshim mban një sy te Irani, armiku i tij më i madh rajonal prej dekadash. Por ndërsa ajo luftë vazhdon, ai mban edhe një sy tjetër nga Hizbullahu, një përfaqësues besnik i regjimit iranian, pikërisht përtej kufirit të tij verior.
Hizbullahu është dobësuar, nivelet e tij drejtuese janë rralluar, dhe tani mbështetësi i tij, Irani, është i përfshirë në luftë. Deri tani, më shumë se 900 libanezë janë vrarë nga bombardimet izraelite. Një milion të tjerë kanë ikur nga jugu i vendit.
Bezalel Smotrich, ministri izraelit i financave, premtoi se Dahijeh, një periferi jugore e Bejrutit, do të duket si Khan Yunis në Gaza kur gjithçka të përfundojë.
Le të jemi të qartë: askush nuk do të lejojë që Hizbullahu të dalë i gjallë nga kjo.
Sami Gemayel, një nga liderët më të spikatur të krishterë në Liban, e sheh këtë si një moment vendimtar.
Njerëzit duhet të kuptojnë se Hizbullahu nuk është një aleat i Iranit. Hizbullahu nuk është mik i Iranit.
Hizbullahu është produkt i Iranit.
Kush do e japë goditjen e fundit? Izraeli…
Pyetja është: kush duhet t’i japë goditjen përfundimtare këtij grupi? Dhe çfarë kostoje do të paguajë vendi dhe populli i tij?
Edhe një herë, Libani është tërhequr në luftë. Por këtë herë, ndjesia është shumë ndryshe.
Në 24 apo 48 orët e para të luftës në Iran, mund të shihje një zemërim të vërtetë, një tërbim të madh ndaj Hizbullahut në të gjithë vendin. Edhe njerëz brenda vetë komunitetit të tyre po pyesnin publikisht: pse na tërhoqët në një luftë tjetër? Ne nuk donim të kishim fare të bënim me këtë sulm SHBA–Izrael ndaj Iranit.
Dhe ja ku jemi. Tani, Izraeli po godet të gjithë vendin. Gjithësesi brenda pak ditësh, u pa edhe një lloj efekti “bashkimi rreth flamurit”.
Sulmi nga Izraeli ishte kaq i madh, zhvendosja e njerëzve kaq e gjerë, dhe kjo preku një ndjenjë patriotizmi libanez. Pra kjo dinamikë po ndryshon. Por mendoj se ndjenja mbizotëruese është se njerëzit në Liban janë të lodhur nga lufta. Por pjesë e kësaj është edhe fakti që janë të lodhur nga Hizbullahu, apo jo?
Hizbullahu për vite me radhë është paraqitur si një shtet brenda shtetit. Ai bëri një luftë kundër Izraelit në vitin 2006, të cilën e konsideroi si fitore. Në jug, ai ofron shërbime sociale, drejton shkolla. Por kjo “kontratë sociale” është dobësuar shumë vitet e fundit. Nuk ka qenë në gjendje të rindërtojë asgjë në jug që nga lufta e fundit në 2024.
Për shkak të problemeve në Iran, nuk ka pasur më financimet për të ofruar këto shërbime.
Pikëpyetje mbi Hezbollahun
Dhe në javët e fundit është vënë edhe më shumë në pikëpyetje, pasi e ka tërhequr Libanin në këtë konflikt rajonal. Ky duket si një konflikt shumë i ndryshëm. Duket si një konflikt që do të ndryshojë plotësisht përbërjen e Libanit, të Hizbullahut dhe të ardhmen e rajonit.
Dhe ekziston ndjesia se synimet e Izraelit po zgjerohen, se kjo mund të shkojë drejt një ofensive tokësore.
Izraeli ende nuk ka vendosur të nisë një ofensivë më të thellë. Ka mbi 100,000 trupa izraelite të grumbulluara në kufirin jugor dhe IDF ka bërë ndërhyrje në kufirin libanez. Pyetja kryesore është: deri ku do të shkojë Izraeli?
Midis viteve 1982 dhe 2000, Izraeli pushtoi rreth një të tretën e Libanit. Ishte një pushtim katastrofik që çoi në lindjen e Hizbullahut. Dhe nëse shohim retorikën që vjen nga Izraeli, numrin e trupave në kufi dhe faktin që Izraeli ka filluar të bombardojë urat mbi lumin kryesor, shqetësimi që ka kapluar shumë libanezë është se edhe një herë Libani mund të përballet me një pushtim të zgjatur nga Izraeli.
Dhe ideja për Izraelin është që Hizbullahu është i dobët dhe ky është momenti për të goditur.
Nga këndvështrimi i Izraelit, kjo mund të jetë lufta përfundimtare. Hizbullahu është dobësuar në një nivel që nuk është parë kurrë më parë. Kur flet me politikanë në Bejrut dhe diplomatë, krijohet ndjesia se kjo luftë nuk do të përfundojë me një armëpushim. Ajo do të përfundojë me fitore dhe humbje për njërën palë.
Ekziston gjithashtu pyetja për rolin që po luan qeveria libaneze. Për vite me radhë, ideja që qeveria libaneze të përballej me Hizbullahun, ta çarmatoste, t’i hiqte armët, ka qenë jo vetëm tabu, por edhe e rrezikshme.
Njerëz janë vrarë dhe janë ekzekutuar për faktin që kanë folur për armët e Hizbullahut. Dhe tani kjo është në tryezë. Një javë më parë, kur Hizbullahu lëshoi një breshëri raketash që e tërhoqi Libanin në këtë luftë rajonale, qeveria libaneze reagoi fort.
A do çarmatoset Hezbollahu?
Ajo deklaroi qartë se synimi i saj tani është çarmatimi i grupit.
Ky është një grup i armatosur me dhjetëra-mijëra luftëtarë, raketa të avancuara dhe që merr qindra miliona dollarë çdo vit nga Irani. Një aktor shumë i fuqishëm dhe dominues brenda Libanit, dhe në shumë raste më i fortë se vetë shteti.
Dhe në javët e fundit ajo që kemi parë është një ndryshim i kufijve të pranueshmërisë në Liban, me një qeveri që flet për Hizbullahun në një mënyrë që do të ishte e paimagjinueshme vetëm disa muaj më parë.
Dhe si do ta përballojë qeveria libaneze Hizbullahun në këtë fazë? Përtej faktit që ka qenë tabu, a mund ta realizojë?
Ka dy faktorë këtu. Njëri është vullneti politik, dhe tjetri është kapaciteti për ta bërë këtë.
Vullneti politik është ai që ka ndryshuar në javët e fundit. Ka një vetëdijësim në rritje se ushtria duhet të bëjë diçka, duhet të rikthejë sovranitetin.
Por çështja është kapaciteti. Ushtria libaneze është një nga institucionet e pakta funksionale ndërsektare në vend. Por ajo është goditur rëndë nga kriza financiare në vitet e fundit.
Ushtarët fitojnë rreth 200 dollarë në muaj. Shumë prej tyre paraqiten në detyrë vetëm çdo dy apo tre ditë dhe lejohen të kenë punë të dyta për të mbijetuar.
A i kanë armët? A kanë trajnimet? Është e vështirë të thuhet me siguri.
Edhe ata që kërkojnë që ushtria të bëjë më shumë, nuk presin një përplasje të menjëhershme dhe të plotë mes ushtrisë dhe Hizbullahut. Ata kërkojnë që ushtria të veprojë në zona të caktuara.
Por ka një mendim në rritje se nëse kjo nuk ndodh, një pushtim izraelit është i pashmangshëm.
Qeveria libaneze është tashmë shumë e dobët. Institucionet e saj janë të brishta. Dhe ekziston një mundësi reale që qeveria të jetë viktima e parë e një okupimi të ri izraelit.
A mund të mbajë larg Izraelin një përpjekje më serioze e shtetit? Ekziston një dëshirë e përgjithshme që qeveria dhe ushtria të bëjnë më shumë. Aktualisht, diplomatë amerikanë dhe francezë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje, një pauzë diplomatike që do t’i jepte qeverisë libaneze një mundësi të fundit. Ushtria libaneze mbështetet kryesisht nga SHBA dhe Franca, dhe në një masë më të vogël nga Mbretëria e Bashkuar.
Por ka një ndjesi se kjo mbështetje nuk është më e garantuar. Një tjetër rrezik janë pasojat sektare të një pushtimi izraelit.
Nëse Irani shembet…
Mbi një milion njerëz janë zhvendosur nga jugu. Ata janë kryesisht shiitë dhe po shkojnë drejt zonave jo-shiite. Kjo po rihap plagët sektare që dikur çuan vendin në luftë civile.
Kjo frikë për një përballje të madhe u përmblodh mirë nga Sami Gemayel: Në momentin që Irani shembet, të nesërmen Hizbullahu do të vijë në tryezë dhe do të thotë: le të rimendojmë të ardhmen.
Dhe nëse Irani mbijeton dhe Trump arrin një marrëveshje, atëherë Libani është i dënuar për 50 vitet e ardhshme. Për herë të parë pas shumë kohësh, qeveria po mobilizohet për të bërë diçka.
Dhe është e qartë: nëse nuk vepron, e pret katastrofa, pushtimi.
Por me 100,000 trupa në kufi, edhe kjo mund të mos mjaftojë. Ndoshta fati është vendosur tashmë.
Por një gjë është e sigurt: koha kur lidershipi politik i Libanit mund të shtynte problemet për më vonë ka përfunduar. / bota.al