Shkence

Kush ka udhëtuar më larg nëpër kohë?

Nuk është vetëm graviteti që ndikon tek koha, por edhe shpejtësia – diçka që mund të provohet eksperimentalisht me orën atomike super të saktë. Sa më shpejt që lëvizim, aq më shumë koha ngadalësohet. Efekti mund të vërehet sërish në jetën tonë të përditshme: për udhëtarin e një makine që po ecën në autostradë, koha rrjedh  pafundësisht më ngadalshëm se sa për një shofer nqë ka ndalur në një parkim – jo në mënyrën se si ata e perceptojnë atë, por në të vërtetë, në realitet. Nëse do të ishit në gjendje ta përshpejtonit makinën tuaj pothuajse në shpejtësinë e dritës (300,000 kilometra në sekondë), koha do të ecte 7,000 herë më ngadalë. Për të kërcyer 100 vjet në të ardhmen, do të duhej të kalonit pesë ditë udhëtimi në këtë lloj rakete.

Sigurisht, jemi shumë larg të paturit të asaj lloj aftësie dhe nuk mund të arrijmë kurrë atje. A do të thotë kjo se fenomeni i zgjerimit të kohës është vetëm shqetësim i një grushti fizikantësh? Aspak: shoferët dhe përdoruesit e smartfonëve po bien çdo ditë në kontakt me të, edhe pse zakonisht nuk janë të vetëdijshëm për këtë gjë.

GPS do të ishte pak a shumë i padobishëm, pa këto kërcime të vogla në kohë. GPS është një rrjet prej rreth 30 satelitësh, që orbojnë rreth Tokës, me një shpejtësi prej gati 14,500 milje në orë. Satelitët kanë orë super të sakta atomike në bord, të cilat vazhdimisht transmetojnë kohën e tyre në Tokë. Duke përdorur këtë orë dhe orën që merr sinjali për të arritur Tokën, marrësi GPS llogarit pozicionin e tij në tokë, duke i krahasuar të dyja. Sidoqoftë, ndërsa satelitët lëvizin në një lartësi prej 20,000 kilometrash mbi Tokë, ato i nënshtrohen një force graviteti katër herë më të dobët se ajo në Tokë. ‘Mungesa’ e forcës gravitacionale përshpejton kohën në bordin e satelitëve, në mënyrë që orët e tyre të jenë rreth 45 mikrosekonda përpara kohës në Tokë. Rezultati neto është se koha në një orë GPS satelitor përparon më shpejt se një orë në tokë, me rreth 38 mikrosekonda në ditë.

Kjo mund të tingëllojë si hiçgjë, por në realitet ndryshimi është i jashtëzakonshëm dhe duhet të korrigjohet manualisht: sepse edhe një devijim i vetëm prej e një milionta e një sekonde, mund të shkaktojë një gabim në pozicionet ekuivalente me 300 metra në tokë – në mes të një qyteti gjatë orëve të trafikut, që do të ishte një katastrofë absolute. Prandaj, GPS llogarit relativitetin duke përshtatur në mënyrë elektronike normat e orëve në satelitë.

I parë kështu, udhëtimi në kohë nuk është thjesht një çështje specifikash, por një ngjarje e përditshme, edhe për ne njerëzit. Gennady Padalka është, në këtë drejtim, mbajtës rekordi. Kozmonauti rus ka kaluar rreth dy vjet e gjysmë të jetës së tij në orbitë përreth Tokës. Gjatë 879 ditëve të misioneve të tij, diferenca kohore kumulative midis orës së brendshme të hapësirës së Padalkas dhe orës në Tokë arriti në rreth 0.02 sekonda. Me fjalë të tjera, ai është katapultuar 0.02 sekonda në të ardhmen. Një udhëtar i vërtetë në kohë! E gjithë kjo tregon një gjë të rëndësishme: nuk ka orë në univers që mund të jetë 100% e saktë, askund – universi është vetë koha. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button