AnalizaMAIN

Ky lloj “rendi” i ri botëror është rrezik për sigurinë e Evropës

Mark Almond

Henry Kissinger tha dikur se “është e rrezikshme të jesh armik i Shteteve të Bashkuara, por mund të jetë fatale të jesh mik i tyre.”

Guruja i politikës së jashtme të Richard Nixon-it po pranonte se Pentagoni mund të shkaktonte dëm të madh ndaj çdo shteti që nuk ishte një superfuqi bërthamore dhe që sfidonte Uashingtonin, por shtetet më të dobëta, të cilat e mbështesnin mbrojtjen e tyre mbi fuqinë amerikane, mund ta gjejnë veten fatalisht të ekspozuar nëse, ose kur, Shtëpia e Bardhë t’i braktisë.

Rënia e turpshme e Vietnamit të Jugut në vitin 1975 e përndoqi Kissingerin. Përplasja e së premtes në Zyrën Ovale – një “spektakël i madh televiziv” midis Donald Trumpit dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është një thirrje për zgjim për Perëndimin, veçanërisht për brezin aktual, si dhe një sinjal për një botë plot grabitqarë potencialë, se shqetësimet kryesore të Amerikës nuk kanë në qendër interesat e aleatëve të saj.

Elitat e politikës europiane janë të tronditura nga përplasja në Zyrën Ovale. Liderët e BE-së kishin supozuar prej kohësh se pasuria e vendeve të tyre do të mjaftonte për të blerë influencë në botë përmes Brukselit, pa u përfshirë në lojëra të ndyra të fuqive politike. Mandati i dytë i Donald Trumpit ua ka shkatërruar këto iluzione brenda gjashtë javësh.

Nuk bëhet fjalë vetëm për faktin se angazhimet e tyre ndaj Ukrainës rrezikojnë të rezultojnë boshe, nëse Trumpi ndërpret ndihmën amerikane; çështja është se tani edhe varësia e sigurisë së BE-së nga SHBA është vënë në pikëpyetje. Amerikanët do të duhet të vendosin nëse braktisja e Ukrainës dhe injorimi i europianëve do ta “bëjë Amerikën sërish të madhe” – por europianët nuk e kanë luksin e kohës për të menduar gjatë mbi hapat e tyre të ardhshëm.

Realiteti është se europianët nuk mund të zbatojnë një strategji alternative mbrojtjeje brenda natës – madje edhe nëse bien dakord për një të tillë që sot. Ndoshta shpresa më e mirë për të ardhmen e afërt është që Sir Keir Starmer të mos arrijë vetëm një marrëveshje për të mbuluar plasaritjet, por të krijojë një plan strategjik me angazhime reale.

Kujtojmë se një president amerikan shumë ndryshe nga Trumpi, Barack Obama, ishte i zhgënjyer nga aleatët e tij europianë me angazhimet e tyre të përsëritura për të rritur shpenzimet e mbrojtjes – dhe tërheqjen e tyre të mëvonshme.

Edhe pse liderët e BE-së shpallën vazhdimin e ndihmës së tyre për Ukrainën, pavarësisht se çfarë bën Trumpi, shifrat tregojnë se europianët shpenzuan 3 miliardë dollarë më shumë për të blerë energji nga Rusia, sesa i dhanë Zelenskyt në ndihma.

Edhe një pjesë e madhe e ndihmës ushtarake të dërguar nga BE dhe Mbretëria e Bashkuar në Ukrainë përbëhet në fakt nga armë, municione dhe makineri të prodhuara nga SHBA – edhe pse janë paguar nga taksapaguesit europianë.

Megjithatë, aftësia e “Europës” për të mbështetur përpjekjet e luftës në Ukrainë pa pjesëmarrjen e SHBA-së dhe për të përcaktuar kursin e saj të ardhshëm, do të kërkojë sakrifica këtu në Perëndim.

Shkurtime e buxhetit të ndihmës nga Keir Starmer do të jenë një problem i vogël në krahasim me rritjen e taksave dhe huamarrjen shtesë, të nevojshme për t’u riarmatosur shpejt, duke rritur në të njëjtën kohë vëllimin e ndihmës për Ukrainën.

Ndërkohë, në Ukrainë po shfaqen simptoma alarmuese të ndarjeve politike. Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, shprehu mbështetje të vakët për Zelenskyn pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë. Por forcat e vijës së ashpër në Ukrainë, si deputeti i Odesës, Oleksiy Goncharenko, kanë vënë re se deklaratat e BE-së nuk shkatërrojnë tanket ruse dhe se Zelensky e ka keqkuptuar rëndësinë e komenteve të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Tragjedia me të cilën përballet Zelensky është se një fitore ruse mund të vulosë fatin e tij. Por edhe pa rënë në duart e Putinit, Presidenti ukrainas mund të “goditet me thikë pas shpine” në kuptimin e parë të fjalës.

Në fillim të mandatit të tij në vitin 2019, Zelensky u kërcënua nga ushtarakët radikalë me një grusht shteti nëse ai do të bënte një marrëveshje me Putinin, për të qetësuar luftën e pashpallur në juglindje të Ukrainës. Ata mund të përpiqen ta rrëzojnë tani për antagonizimin ndaj Trumpit, duke refuzuar të negociojë me Putinin sipas kushteve të Amerikës. Kjo përzierje e ekstremizmit dhe cinizmit mund të riprodhojë një lloj lufte të brendshme civile të ngjashme me atë që çoi në kolapsin e republikës spanjolle në vitin 1939, kur fraksionet e ndryshme luftuan kundër njëra-tjetrës, në vend që të luftonin Frankon.

Zelensky refuzoi të largohej nga Kievi kur Putini nisi pushtimin e tij tre vjet më parë, por Britania dhe aleatët e saj europianë duhet të kenë një plan emergjence për ta shpëtuar atë nga një grusht shteti në vend, ose nga kapja nga rusët në rastin më të keq.

Amerika është mjaft e fuqishme për të ruajtur besueshmërinë e saj edhe duke braktisur aleatët, siç ka bërë në të kaluarën. Britania dhe europianët do të duhet të paguajnë çmimin e nevojshëm për besueshmërinë e tyre në këtë rend të ri botëror. Qëndrimi përkrah liderëve aleatë edhe kur nuk mund t’i shpëtosh vendet e tyre – siç bëri Winston Churchilli me qeveritë europiane në mërgim pas vitit 1940 – është një investim për shanset afatgjata që bota të kthehet në favorin tonë, nëse përpiqemi të ndalojmë kalbjen e saj.

Mark Almond është drejtor i Institutit të Kërkimeve mbi Krizat, Oksford. / The Independent – Bota.al

Back to top button