Your Life

Ky vit të solli vetëm dhimbje dhe trishtim? A ia vlen ta mbyllësh i/e mërzitur? Lexoji këto rreshta…

Të gjithë e dimë se jo gjithmonë gjërat shkojnë siç duam ne. Të gjithë do të donim të ishim të lumtur, të kishim vetëm ngjarje të bukura në jetë, por jo. Pikërisht kur gjithçka duket sikur po shkon mirë, ndodh diçka që ndryshon rrjedhën e gjithçkaje dhe ne mbetemi të mërzitur për ditë të tëra. Shtrihemi në shtrat të mërzitur dhe në mëngjes nuk gjejmë motiv për ta nisur ditën me buzëqeshje.

Si mund të buzëqeshësh, nëse pak kohë më parë një person i dashur për ty ka ndërruar jetë? Si mund të gjesh forcën e të vazhdosh përpara, kur ke ditë që kërkon një punë dhe nuk po e gjen? Si mund të jesh i/e lumtur, kur fati në dashuri nuk të ka buzëqeshur aspak? Si mund të tregohesh i/e gëzuar, kur familjen tënde e ka pushtuar heshtja e një sëmundjeje të rëndë, heshtje që thyhet vetëm nga rënkimet plot dhimbje të familjarit të sëmurë? Si mundesh të jesh i/e fortë, kur jeta të godet më fort nga sa mund të përballosh?

Përherë na thuhet se në jetën tonë nuk ka sfida më të mëdha, nga sa mund të përballojmë. Gënjeshtër e madhe. Nëse do të ishte vërtet kështu, pse shumë njerëz bien në depresion dhe humbasin aftësitë mendore nga hallet dhe problemet e tyre? Pse disa të tjerë nuk i përballojnë dot vështirësitë dhe sfidat që u shfaqen në jetë, dhe zgjidhje gjejnë vetëm vetëvrasjen?

Kjo jetë është kryekëput e padrejtë. I fal gjithçka dikujt dhe i merr gjithçka dikujt tjetër. Normalisht edhe lumturia nuk mund të jetë e njëtrajtshme. Nëse ecën rrugëve, sheh njerëz të qeshin, njerëz të ecin të mërzitur, por sheh edhe nga ata që flasin me vete nga hallet që ua kanë prishur totalisht mendjen.

Dhe pastaj ditët ecin. E vetmja gjë që nuk ndalet, është koha. Teksa ajo fluturon, na sjell në fund të vitit, në ditët kur duhet të jesh sa më i/e lumtur dhe të përgatisësh urimin për të ngritur një dolli me buzën në gaz, a thua se gjithë të mirat të kanë ndodhur në jetë dhe mezi pret t’i kujtosh me një “Gëzuar!”. Ky është në dukje një paradoks i vërtetë, sepse buza nuk mund të buzëqeshë, kur shpirti përbrenda është i thyer…

Mirëpo ka gjithmonë një “por”. Edhe unë e di si ndihesh. Më beso që edhe unë kam halle, halle ndoshta jo njësoj si të tuat, por që mua më duken të mëdha. Edhe unë kam probleme që ndonjëherë më lënë pa gjumë gjatë natës, duke menduar nëse do të zgjidhen ndonjëherë apo jo. Edhe unë kam halle që nuk ia kam treguar askujt dhe ashtu i mërzitur, i trishtuar, i kam mbajtur brenda vetes, deri në momentin që i kam zgjidhur. Por e di çfarë mendoj unë? Problemet do të mbeten aty, edhe nëse tregoj unë një person të mërzitur, apo nëse tregoj unë një person të gëzuar. Asgjë nuk zgjidh mënyra se si ne e shfaqim veten përpara të tjerëve.

Unë e di gjithashtu se Viti i Ri është thjesht një datë, njësoj si të tjerat. Ndryshimi i vetëm është se, nëse në ditët e tjera mund të mos konsumohet darka së bashku në familje për shkak të punëve, atë natë tradita e kërkon të mblidhemi të gjithë së bashku. Ky është ndryshimi i vetëm bashkë me dritat e fishekzjarreve në qiellin e mesnatës. Gjithë gjërat e tjera janë njësoj si në ditët e tjera.

Mirëpo gjithë atmosfera festive, gjithë dritat në qytete, gatimet në shtëpi, entuziazmi i fëmijëve anembanë duket sikur të ftojnë ta heqësh mërzitjen nga fytyra. Këtë të kërkoj edhe unë. Nuk të kërkoj të mos mendosh për problemet apo hallet e tua, pasi e di që gjithsesi një gjë të tillë nuk do ta bësh. Të kërkoj vetëm të buzëqeshësh për një ditë. Nuk ka rëndësi nëse qesh me pahir, pa ndonjë dëshirë të madhe. Rëndësi ka të buzëqeshësh dhe të shpërndash lumturi anembanë me buzëqeshjen tënde.

Ai i afërmi që mund të të ketë ndërruar jetë, nuk do të rikthehet nëse ti qëndron i/e mërzitur. Vdekja është destinacioni i përbashkët për të gjithë ne.

Puna nuk do të trokasë në derën tënde, nëse ti qëndron i/e mërzitur. Ajo kërkon të përpiqesh dhe ta arrish, por në një ditë pushimi, lejoja vetes pak lumturi.

Mundet të mos ketë buzëqeshur fati në dashuri, por askush nuk ka faj për diçka të tillë në familjen tënde. Askush s’ta ka për borxh të të shikojë të ulur në tavolinë me fytyrë të vrenjtur.

Edhe familjarit tënd që mund të vuajë nga një sëmundje e pashërueshme me siguri nuk i pëlqen të të shohë të mërzitur, ndaj buzëqesh pak.

Unë nuk të kërkoj të qeshësh e të shkosh nëpër party për t’u kënaqur, sepse e di që mërzitja nuk të lejon ta bësh një gjë të tillë. Nuk të kërkoj as të mos mendosh për hallet e tua, sepse, siç e shkruajta edhe më sipër, e di që mendja e çdokujt prej nesh preferon të mendojë gjërat e mërzitshme, përpara ngjarjeve të bukura, sidomos kur jemi të vetëm në dhomën tonë. Unë të kërkoj vetëm një buzëqeshje. Një vit i ri po hyn. Pavarësisht dhimbjes, ti me siguri ke plot arsye për të qenë i/e lumtur. Shiko rreth teje. Do të gjesh plot arsye se pse të qeshësh dhe të ndihesh më mirë. Thjesht ji mirënjohës për çdo gjë dhe për çdo person të bukur që të rrethon, ngri gotën e dollisë dhe forca, uroji të gjithë plot buzëqeshje ashtu siç ti di ta bësh mirë. Buzëqesh për të treguar se asgjë, sado e rëndë të jetë, nuk mundet të ta heqë dot buzëqeshjen nga fytyra. Unë të uroj shumë fat dhe lumturi! / Fatjon Xhafaj – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button