Analiza

Laicizmi nuk do të na shpëtojë nga xhihadistët

Nga Michael J. Ortiz

large

Në përpjekje për të gjetur një alternativë paqësore për ata persona në botën islame, që mbrojnë përdorimin e dhunës për qëllime politike dhe fetare, të krishterët në Perëndim nuk duhet ta shtrembërojnë historinë e Krishtërimit apo të qëndrojnë duarkryq, ndërsa të tjerët e bëjnë këtë gjë.
Duke lejuar që versioni i perceptimit të ngjarjejeve, të lëshojë dritë-hijet e veta mbi historinë e pandryshuar të krishtërimit, do të thotë ta portretizosh fenë si një fuqi të errësirës, ndërsa shkenca dhe teknologjia, do të jenë gjithmonë fanarët e mendjes së shëndoshë dhe ndriçimit.
Është mjaft e lehtë të biesh pre e narrativës, që i portretizon bindjet fetare si armiqësore me arsyen njerëzore dhe kombe. Për shembull, në mëngjesin kombëtar të lutjes javën e shkuar, presidenti Obama i krahasoi ekseset e kryqëzatave dhe të inkuizicionit, me terrorizmin e islamit radikal sot.
Presidenti vazhdoi me dënimin (me të drejtë), të atyre që përhapin bindjet e tyre fetare me dhunë. Por ajo që ai dhe shumë të tjerë nuk e kuptojnë, është bindja se vlerat thelbësore perëndimore, vijnë nga një besim, në të cilën Perëndia hyn në historinë njerëzore, pikërisht për të shpëtuar botën nga arsyeja e shthurjes që të çon drejt dështimit, ndër të tjera, për të njohur se terrorizmi është një fyerje për Perëndinë dhe njerëzimin.
Narrativa e përbashkët është pak e shumë kështu: Shekuj më parë, katolikët dhe protestantët dogjën me gëzim në turrën e druve me mijëra heretikë lart dhe poshtë nëpër Evropë, derisa falë Zotit të Plotfuqishëm, sikurse do të shprehej Ben Franklin, ardhja e mendimtarëve të iluminizmit e dëboi barbarinë, që është një tipar disi i lindur i entuziazmit fetar.
Vetëm me mandatet liberalizuese të Vatikanit II (1962-1965), na është thënë që katolicizmi bëri autokritikë-zakonisht personazhi negativ kryesor në këtë version të historisë- duke ardhur tek ideja e demokracisë dhe të lirisë fetare, që më në fund shuan thëngjijtë e fundit e inkuizicionit.
Sipas të dhënave historike dhe të origjinës së Krishterimit, Katolike dhe Protestante, ky tregim është i rremë. Historianët e quajnë këtë “Black Legend” (Legjenda e Zezë), sepse ai nxin emrin e katolicizmit në veçanti dhe të fesë në përgjithësi. Sipas kësaj legjende, inkuizicioni është në vazhdimësi me holokaustin dhe tmerret e stalinizmit.
Megjithatë, historianët objektivë e kuptojnë se me shembullin më famëkeq në Spanjë, disa papë i dënuan ekseset e inkuizicionit. Për më tepër, 6.832 anëtarë të klerit u ekzekutuan gjatë Terrorit të Kuq të Spanjës Republikane në vitin 1936, një shifër më shumë se 2 herë me e madhe sesa numri i të ekzekutuarve në 345 vitet e inkuizicionit në këtë vend.
Larg nga të qenit një armik i arsyes dhe i paqes, mesazhi mbizotërues i krishterimit, gjatë shekujve ka qenë ai i tolerancës, një mesazh që mbështetet nga shumë njerëz të besimeve të tjera, por edhe nga ata që nuk besojnë.
Puna e Papa Emeritus Benediktit XVI si një teolog, i ka bërë shërbim të madh kishës, duke u përpjekur të korrigjojë pikëpamjen e gabuar, se besimi dhe toleranca civile janë gjithmonë kundër njëra-tjetrën. Kjo duket haptazi në aspektet negative, gjatë rritjes së demokracive në Perëndim, pa harruar ndërkohë trashëgiminë e tyre pozitive.
Në këtë mënyrë Papa Benedikti deklaroi në një fjalim në vitin 2005 para Kurisë në Romë- trupa qeverisëse e Kishës- se papët e shekullit të XIX-të e dënonin  demokracinë, pasi shumë prej eksponentëve të saj pretendonin se “për të përqafuar me njohuritë e tyre, të gjithë realitetin duhej me kokëfortësi ta bënin “Perëndinë krejtësisht të panevojshëm’.
Në këtë mënyrë, Benedikti na rikujtoi se një kulturë perëndimore, e rrethuar nga nihilizmi s’mund të sigurojë një mënyrë efektive, për t’u përballur me nihilizmin xhihadist. Nëse ne u themi ndjekësve të Islamit, se e vetmja mënyrë për të shpëtuar besimin e ekstremistëve, është që të pranojnë “modernitetin”, a mos i kërkojmë gjithashtu atyre të pranojnë një pikëpamje botërore, që përfshin një agnosticizëm në rritje, përsa i përket themeleve të një jetesë të qytetëruar?
Ndërsa festojmë liritë tona, liri të tilla gjithashtu na japin mundësi të shfrenohemi me abortin, komercializojmë erotizmin dhe miratojmë ligje, që i japin martesës çfarëdolloj kuptimi që cilido mund të dëshirojë.
Nëse duam që bota myslimane të krahasohet me institucionet tona të demokracisë, ndoshta ne duhet t’i japim atyre arsye, për të besuar se demokracia nuk lejon automatikisht flakjen si sende të atyre që mbahen publikisht si morale e që në fakt sigurojnë këto të drejta.
Benedikti XVI e pa me sytë e tij Evropën në flakë, pasi aleatët mundën fenë e vetë-krijuar të gjakut nga Adolf Hitleri. Megjithatë, ai me të drejtë në atë fjalim të vitit 2005, rikujtoi shpresën që kishte në mesin e shekullit XX, për një shtet që ishte “jo neutral lidhur me vlerat, por i gjallë, duke tërhequr nga burimet e mëdha etike dhe i hapur ndaj krishterimit”. Nëse ne e tradhtojmë këtë shpresë sot, nesër nuk do të jetë vetëm Perëndimi ai që do të vuajë. /The Wall Street Journal//www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button