
BARCELONË – Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka hedhur poshtë deklaratat e fundit të ish-trajnerit Xavi Hernandez lidhur me prapaskenat e dështimit të rikthimit të Lionel Messit në “Camp Nou”.
Messi u largua nga Barcelona në verën e vitit 2021 drejt Paris Saint-Germain, duke mbyllur një epokë prej gati dy dekadash me klubin katalanas. Ky largim ndodhi vetëm pak muaj pasi Laporta mori mandatin e tij të dytë në krye të klubit.
Në verën e vitit 2023, zërat për një rikthim të mundshëm u shfaqën fuqishëm, por ylli argjentinas zgjodhi përfundimisht transferimin te Inter Miami në SHBA, ku luan edhe aktualisht.
Përplasja e versioneve: Xavi vs. Laporta
Xavi Hernandez, ish-shok skuadre dhe trajner i Barcelonës gjatë periudhës 2021-2024, deklaroi së fundmi në një intervistë se Messi ishte gati për t’u rikthyer në vitin 2023, por sipas tij, ishte Joan Laporta ai që u tërhoq nga marrëveshja.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Laportës në një intervistë për të përditshmen spanjolle “Sport”, ku ai sqaroi pozicionin e klubit:
“Ne propozuam ngritjen e një statuje për Messin, si dhe organizimin e një ndeshjeje homazhi pas përfundimit të rikonstruksionit të ‘Camp Nou’.”
“Presioni” që ndaloi rikthimin
Sipas kreut të klubit katalanas, dëshira e lojtarit ishte reale, por rrethanat financiare dhe vendimi i familjes ndryshuan rrjedhën e ngjarjeve.
“Pasi rinovimi i kontratës u bë i pamundur për arsye financiare, Xavi erdhi tek unë në mes të marsit të vitit 2023 për të më njoftuar mbi dëshirën e sinqertë të lojtarit për t’u rikthyer,” u shpreh Laporta.
Megjithatë, pika e kthesës duket se ka qenë takimi me agjentin e lojtarit. Laporta e mbylli deklaratën e tij duke zbuluar prapaskenën e fundit: “Në maj të po atij viti, Jorge Messi (i ati i lojtarit) më tha se rikthimi i Leos te Barcelona do të nënkuptonte një presion të madh mbi ta dhe se preferonin kalimin te Inter Miami.” / bota.al