Analiza

Larg duart nga Pranvera Arabe!

“Pranvera” nuk do të arkivohet. Një koncept që i takon edhe historianit, i cili ka reflektuar më shumë për botën arabe dhe dinamikën e saj komplekse të brendshme: Zhill Kepel. “Revolucionet arabe nuk kanë përfunduar ende – shkruan Kepel. Dhe protagonistët e tyre nuk e kanë shqiptuar ende fjalën “fund”. Shoqëritë civile, nuk kanë hequr dorë nga të ndjerit të papajtueshmëm me islamikët. Sot kudo po kërcehet “Harlem Shake” për të vënë në lojë mjekëroshët. Në Egjipt dhe Tunizi, Vëllazëria Myslimane gabimisht besoi se rendi moral do të përmbushte kërkesat sociale të revolucionarëve. Pastaj, kemi paradoksin e salafitëve

Nga Umberto De Giovannangeli

arabAta brohoritën fundin. Dhanë dënimin. Tani thonë se ajo ishte e gjitha një iluzion. Pikërisht ato sheshe të mbushura me të rinj, ato kryengritje që ndryshuan rrjedhën e historisë. Tani thonë se “Pranvera” e shpresës, u zbeh duke përfunduar në një “Dimër” islamik tragjik. Se në të tashmen dhe të ardhmen e Lindjes së Mesme, ka hapësirë vetëm për “Kalifët” e etur për gjak, apo për gjeneralë despotikë të maskuar si presidentë. Një ëndërr u shndërrua në një makth. Të shumtë ishin ata që vunë theksin tek ”de profundis” (fundi) i një sezoni të paharrueshëm: ai i trazirave të vitit 2011 që rrëzuan regjimet, të cilët deri atëherë cilësoheshin të paprekshëm, nga Tunizia e Ben Alisë, tek Egjipit i Hosni Mubarakut.
Po t’i shohim, dhe ç’është më e rëndësishmja po t’i dëgjojmë këto zëra, vihet theksi tek rëndësia epokale e ngjarjeve, pavarësisht nga rezultati i njëjtë që sollën revolucionet më pas. Pasi për herë të parë, në mënyrë aq të fuqishme, bota e globalizuar nuk është e tillë, vetëm për logjikën (dhe interesat) e tregut. “’89-a arabe” është gjithashtu rezultat i një bote më të zhytur ose të heshtur, që zotëron skenën, për të pretenduar një tjetër globalizëm: atë të të drejtave.
Një pretendim, që ripërcakton vetë ndjenjën e përkatësisë, jo më e bazuar mbi elementin fetar ose tek individualizimi i “armikut” që duhet mundur, por e kalibruar mbi vlerat dhe parimet që perceptohen dhe jetojnë si universale. Mbi këtë bazë, të rinjtë e Pranverave Arabe, brezi i internetit, kërkojnë dialog me Perëndimin, me botën e lirë.
Por nuk e marrin këtë dialog. Realpolitika, që mëton të justifikojë çdo gjë, madje edhe të keqen, parimet e shpërfaqura e menjëherë të sakrifikuara në altarin e padenjë të llogarive të fitimit ekonomik të fuqive individuale, diplomacisë së bishtnimit, përherë mbetur pezull mes heshtjeve bashkëfajtore dhe intervencionizmave të mpira, çdo gjë ndihmon vetëm pjesërisht për të kuptuar domethënien e ngjarjeve dhe përgjegjësive ndërkombëtare.
Ajo që nuk duhej të kuptohet, është se këto revolucione nuk ishin “anti” por “për”. Për demokracinë, lirinë e shprehjes, drejtësinë sociale, çrrënjosjen e korrupsionit, për një Islam që në mënyrë të qartë ndan shtetin nga xhamia. Një perspektivë, që i pranon të drejtat e njeriut, liritë politike dhe të shprehjes si vlera universale, por nuk i identifikon ato dhe parimet me një model, me jetesën “perëndimore”.
Ajo mes “vlerave” dhe “modeleve”, nuk është një dallim formal, semantik. Është një dallim thelbësor, për një qasje kulturore dhe politike, nga ana e Perëndimit, udhëheqjes së tij të opinionit publik, “Pranverave arabe” që nuk u shenjuan nga mendimi retro-kolonial:vula e fitores së Perëndimi, ndaj islamit arab.
Eksporti i demokracisë nuk kryhet më me armë (si në Irak), por në mënyrë indirekte, të brendshme, e për këtë arsye fituese. Vizioni hantingtonian – “përplasja e qytetërimeve” – i ka shërbyer “eksportuesve të demokracisë” për të mbuluar logjika dhe interesa më pak “vizionare”: kontrollin e burimeve të naftës, teatrot e reja të luftës, në të cilat lulëzojnë punët e industrisë ushtarake, mbështetjen ndaj të ashtuquajturve të “moderuar”, të konsideruar si elementë stabiliteti për ekulibrat rajonalë dhe veçanërisht për Perëndimin.
Revolucionet post-islamike dhe lojtarët e tyre kryesorë nuk kishin të bënin fare me paradigmën politike fondamentaliste. Ata donin të “globalizonin” të drejtat, jo xhihadin. Për këtë arsye, ata duhet të dëgjoheshin, mbështeteshin dhe  mbroheshin. Mjerisht, nuk ndodhi kështu. Në këtë perspektivë, historia e sotme është edhe historia e një “tradhtie të madhe”, kundër të rinjve egjiptianë të sheshit Tahrir, djelmoshave tunizianë të “revolucionit lejla” dhe bashkëmoshatarëve të tyre në Siri, që u përpoqën t’i japin jetë “Pranverës siriane”, e shtypur me dhunë nga regjimi.
Sikurse vëren edhe Luço Karaçiolo, drejtori i revistes gjeopolitike “Limes”, sot është në modë arkivimi i “Pranverës Arabe” si “Dimri arab” apo “islamik. Gabim tejet i rëndë. Trazirat, që shpërthyen 4 vjet më parë në Tunizi dhe Egjipt, shpejt u përhapën nga Libia në Siri, Bahrein, Jemen dhe gjetkë. Kundër tyre u mobilizua një front kundërrevolucionar, i përqëndruar në Arabinë Saudite dhe emiratet satelite të saj, që gjithësesi nuk i rraskapiti dot kryengritësit. Nëse është e vërtetë – shkruan Karaçiolo – se ajo turbinë u ngrit prej ndryshimeve të thella gjeopolitike, ekonomike, kulturore dhe sociale, duhet ende të presim, përpara se të japim gjykime të nxituara.
Të presim, por jo në mënyrë pasive. Për shkak se ai univers në lëvizje nuk është zhdukur. Përkundrazi ekziston, edhe pse dukshmëria e saj është më pak përçarëse. Atë e popullojnë kryesisht të rinjtë dhe gratë. Lëvizja e këtyre të fundit ishte dhe mbetet një luftë e dyfishtë çlirimtare. Në bluza dhe xhinse, apo me veshje dhe vello të zezë e të gjatë, dhjetëra mijëra, bënë që të dëgjohet zëri i tyre, në të paharrueshmin viti 2011, në rrugë, nga Tunizi në Kajro nga Manama në Sana.
Shumica të reja, në rradhët e para, krenare, të vendosura: sikurse ishte Salli Zahran, 23-vjeç, e vrarë nga policia egjiptiane, gjatë protestave të mëdha të së parës “E premtja e kolerës” 28 janar 2011. Gra kurajoze, të angazhuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ato civile, edhe para shpërthimit të ’89-ës arabe. Ky është rasti i Radhia Nasrauit, avokate, feministe, presidente e shoqatës për luftën kundër torturës në Tunizi. Një e kaluar në fshehtësi, burgje dhe greva urie, ishte e para në 17 dhjetor 2010, që udhëhoqi kryengritjen popullore në Sidi Bouzid, ku filloi çdo gjë.
Ndërkohë fuqia e butë vazhdon të shtypë edhe mbretërinë e padepërtueshme saudite, me lëvizjen e “grave shofere”. Thyerja e së tashmes është shfaqja e rasteve të lirisë, që flasin për një islam pluralist, në të cilin është e mundur të provohet të kombinohet moderniteti dhe tradita. Katër vitet që kanë kaluar prej atëherë, dëshmojnë sesi formacionet xhihadiste janë çdo gjë, përveçse jo të margjinalizuara. Në disa raste, ISIS-i “ka bërë shtet”.
Fakt është se axhenda e revolucioneve post-islamike, lojtarët e saj kryesorë, nuk kanë të bëjnë me paradigmën politike fondamentaliste. Kodet e lirisë nuk u humbën. Ato janë ruajtur në vetvete, sigurisht jo në shkurtesat e mjeruara militariste, në të cilat në mënyrë ciklike detyrohet Perëndimi, antitrupat e vërtetë që përparojnë kundër “diktaturës së sheriatit”.
Mbi këtë reflekton edhe Olivier Roj, një nga dijetarët francezë më me ndikim për çështjet rreth Islamit: “Për njerëzit e përfshirë në protesta, lëvizjet e mëdha revolucionare të viteve ’70-’80 i përkasin një historie tjetër, atë të prindërve të tyre. Brezi i ri nuk është i interesuar mbi ideologjinë: tek ta më tepër “ndezin” parrullat pragmatike dhe konkrete “erhal” (largohu menjëherë). Ata shmangin referencat ndaj Islamit, sikurse ndodhte dikur në Algjeri në fund të viteve ’80. Kundërshtojnë diktaturën dhe kërkojnë me zë të lartë demokracinë “. Dhe ai zë nuk ka vdekur, ndonëse të shumtë janë ata prej xhihadistëve, ushtarakëve egjiptiane, ISIS-it apo Al-Kaedës, që janë përpjekur t’ia mbyllin gojën me forcë. Prandaj, ndoshta është më e përshtatshme ndaj realitetit dhe të ardhmes historike, për të mos folur më për “Pranverat Arabe”, por të shikohet Egjipti, Tunizia, Libia, Maroku, Jordania dhe Jemeni si “vende në tranzicion”.
Dhe “tranzicion” është një kusht që qëndron në mes, që mund të dështojë, ashtu sikundër mund t’ia dalë. Kjo thërret në detyrë Evropën, dhe në plan të parë vendet e saj euro-mesdhetare. Pra Italinë. Me logjikën e “të keqes më të vogël”, ne mbështetëm kolonelët, faraonët, diktatorët gjakatarë dhe regjimet teokratike. Sepse ata pretendonin se ishin “e keqja më e vogël”, në krahasim me fondamentalistët integralistë. Kjo logjikë fatale ka prodhuar El-Bagdadin dhe gjeneralin egjiptian El-Sisi.
Por në Lindjen e Mesme ka ndërkaq një forcë të tretë, sigurisht në telashe, por jo të mundur. Ajo është shoqëria civile. Janë organizatat e saj të bazës, është sindikalizmi (Tunizi). Janë vajzat dhe djemtë e sheshit Tahrir, grupet e të drejtave të njeriut, blogerët e guximshëm, shumë prej atyre që i thonë jo vendosjes së Kalifatit të kokëprerjeve në Siri, ashtu edhe presidentit-kasap (Bashar al-Assad). Këta të rinj, janë investimi i së ardhmes.
Për sa kohë që do të jenë ata, “Pranvera” nuk do të arkivohet. Një koncept që i takon edhe historianit, i cili ka reflektuar më shumë për botën arabe dhe dinamikën e saj komplekse të brendshme: Zhill Kepel. “Revolucionet arabe nuk kanë përfunduar ende – shkruan Kepel. Dhe protagonistët e tyre nuk e kanë shqiptuar ende fjalën “fund”. Shoqëritë civile, nuk kanë hequr dorë nga të ndjerit të papajtueshmëm me islamikët. Sot kudo po kërcehet “Harlem Shake” për të vënë në lojë mjekëroshët. Në Egjipt dhe Tunizi, Vëllazëria Myslimane gabimisht besoi se rendi moral do të përmbushte kërkesat sociale të revolucionarëve. Pastaj, kemi paradoksin e salafitëve, që i drejtohen të zhgënjyerve nga revolta, duke premtuar një utopi radikale dhe një rend të ri social. Pa treguar megjithatë, se përse ata vetë janë aq të përkushtuar ndaj rregjimeve të financuara nga monarkitë e Gjirit, të cilat mbrojnë mosveprimin”. Një palëvizshmëri që “i paharrueshmi viti 2011” e ka degdisur tutje.
Nga ana tjetër, duke iu referuar sërish Kepelit, nëse revolucionit francez iu desh një shekull për t’u trupëzuar tek institucionet, ne nuk mund të mos pranojmë, se jemi vetëm në agimin e një pranvere, dhe jo drejtpërdrejt “në vjeshtë” apo “dimër”.
Roberto Toskano, ish-ambasador i Italisë në Iran dhe Indi, në një ese të shkruar së bashku me Marta Dassù për “Instituti Aspen” ndër të tjera shprehej: “Zakonisht, ne në Perëndim priremi të harrojmë se na janë dashur shekuj, për të lëvizur nga tiranitë dhe monarkitë absolute në demokraci. Në mënyrë të paarsyeshme besonim se pas zgjimit të tyre të mrekullueshëm, arabëve do t’u mjaftonin vetëm pak muaj.
Nuk mund të ishte kështu, por ne në mënyrë të arsyeshme mund të shpresojmë, se sigurisht nuk do të bëhet fjalë për shekuj, por për dekada të tëra, dhe në rastin më të mirë për disa vite. Kjo do të varet krejtësisht prej tyre, por edhe nga ne, nëse do të dimë të kuptojmë dhe t’i shoqërojmë me largpamësi e me një ndjenjë përgjegjësie, me mbikëqyrje por edhe një sens kritik, udhëtimin e tyre të vështirë”. Si të mos pajtohesh me një konstatim të tillë? /HuffPost.it/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button