Analiza

Lavdia e fitimeve që shtyn vandalët

Statuja-shkatërruesit që pozojnë pranë mbeturinave të së shkuarës në djepet e mëdha të historisë, duan të imponojnë frikë si purifikues hakmarrës, mjete të fuqishme të një Zoti të zemëruar, që pastrojnë botën nga herezia, femohimi dhe idhujtaria. Shumë më pak të tmerrshëm duken – thjesht të ligë të zakonshëm – po t’i shohësh si kriminelë qelbanikë të organizuar, që bëjnë ndonjë dollar të shpejtë duke shfrytëzuar lakminë e koleksionistëve. Siç shkruante dikur Agatha Christie: “E keqja nuk është diçka mbinjerëzore, është diçka më pak se njerëzorja”

Screen Shot 2015-03-15 at 09.32.18Nga Ben Macintyre

Agatha Christie ishte një gjurmuese dhe hetuese e vërtetë e historisë së Lindjes së Mesme. Bashkë me burrin e saj, arkeologun Max Mallowan vizitoi shpeshherë Irakun dhe Sirinë, për të gërmuar dhe eksploruar site archeologjike antike si: Ur, Nineveh, Chagar Bazar e mbi të gjitha Nimrud, qytetin e madh asir, që dikur ishte kryeqyteti i shtetit më të fuqishëm mbi tokë.

Christie ndihmoi të shoqin për të ruajtur dhe kataloguar gjetjet e fildishta në Nimrud, të gdhendura midis shekujve të nëntë dhe të shtatë përpara Krishtit. Në biografinë e saj, ajo e përshkroi pastrimin e objekteve të fildishtë duke përdorur një shtizë të hollë thurjeje, një shkop portokalli dhe një tenxhere të përballet me krem, teksa kundronin zotësinë e njerëzve që i krijuan. “Ndjehesh krenar t’i përkasësh racës njerëzore, kur sheh mrekullitë që qeniet njerëzore përsosën me duart e tyre”, shkruante ajo. “Ata ishin krijues të vërtetë”.

Por pas krijuesve, erdhën shkatërruesit. Javën e kaluar banditët e Shtetit Islamik shkatërruan me buldozer çka kishte mbetur në Nimrud, një akt i përllogaritur nihilizmi që Unesco e dënoi si krim lufte. Fshirja nga faqja e dheut e Nimrudit ndodhi pas shkatërrimit të artefakteve të Muzeut të Mosulit të cilësuara blasfemike, të mbetjeve të varrit të Jonah-ut në Nineveh dhe djegies së dorëshkrimeve të paçmueshme nga jihadistët gjatë një fushate spastrimi kulturor që është kthyer në një tipar dallues të marshimit të Islamit ekstremist. Shkrimtarja Christie do të ishte tmerruar nga shkatërrimi i siteve arkeologjike, për pastrimin e së cilave punoi aq gjatë, por ajo do të kishte qënë e aftë po ashtu, të zbulonte mendjet kriminale që vepruan në Nimrud. Këtu nuk bëhet fjalë “të gjejmë fajtorin” – autorët e krimit mjaftueshëm janë të dukshëm – por për një rast në të cilin mashtruesit kanë motiv të dyfishtë: njëri ka të bëjë me simbolizmin fetar, kurse tjetri ka të bëjë më vjedhje – vjedhje fitimprurëse në një shkallë të gjerë. Përpara se të rrafshonin Nimrudin, forcat e ISIS plaçkitën vendin, duke e zhveshur atë nga artefaktet, të cilat mund të shiteshin në tregun e zi ndërkombëtar. Statujat më të mëdha, muret dhe ndërtesat ishin të vështira për t’u lëvizur e shitur e prandaj mund të shkatërroheshin për qëllime propagandistike; paraja e lehtë është tek rrasat me mbishkrime kuneiforme, kupat prej ari, argjendaria, monedhat, sendet e fildishta, të cilat mund të kontrabandoheshin jashtë rajonit dhe të shiteshin për blerësit e paskrupullt nëpërmjet matrapazëve. Modeli i përfitimit të ISIS është i thjeshtë por efektiv e fyes për historinë: nëse diçka ka vlerë, e shet atë; në qoftë se nuk mund të shitet, atëherë e bën copë e çikë dhe filmon shkatërrimin.

Në videon e realizuar gjatë shkatërrimit në muzeun e Mosulit, ISIS krenohet në lidhje me statujat antike “pa dobi për ne edhe sikur të vlejnë miliarda dollarë’’. Në të vërtetë, organizata pjesërisht financohet nga shitja e këtyre antikiteteve. Disa nga objektet e shkatërruara mund të jenë riprodhime, pasi kontabilistët e crook i ruajnë origjinalet për shitje të mëvonshme. Plaçkitja e objekteve të lashta paraqet burimin e dytë më të madh të të ardhurave të organizatës, pas shitjeve të naftës, dhe përbën një sipërmarrje shumë më fitimprurëse se sa pengmarrja. Iraku ka 12000 site arkeologjike nga të cilat 1800 besohet të jenë në territore të kontrolluara nga ISIS. Zyrtarë të inteligjencës irakiane pohojnë se grupi ka arritur të nxjerrë rreth 23 milion stërlina nga shitja e objekteve plaçkitur në zona përreth qytetit sirian al-Nabek ku gjenden një numër i madh sitesh të hershme kristiane. Sipas policisë, në perëndim, disa prej objekteve me vlerë vidhen me porosi. Paratë derdhen përsëri në arkën e ISIS për të financuar pushtimet saj, blerjen e armëve dhe financimin e xhihadistëve të huaj. Edhe talebanët administruan tregtinë e opiumit pak a shumë në të njëtën mënyrë, duke korrur fitime të konsiderueshme nga një biznes që ushqen tregun e paligjshëm, të cilin Perëndimi e dënon por nuk është i aftë ta ndalojë. Ikonoklastia e qëllimshme spektakolare është kthyer në një element thelbësor të propagandës ekstremiste, dhe një mënyrë për të treguar pastërtinë e ideologjisë, për të ngulitur terrorin e për të fshirë kujtesën: Nazistët rrafshuan sinagogat, serbët bombarduan Bibliotekën kombëtare të Sarajevës e Talebanët hodhën në erë statujat 1500 vjecare te Bamiyan Buddhas. Në vitin 2013, kur rebelët islamistë marshuan drejt Timbuktusë, menjëherë i vunë zjarrin dorëshkrimeve të çmuara mesjetare që gjendeshin në qytet.

Fushata e ISIS kundër historisë është sa e re, aq edhe e ndryshme, si për nga shkalla, ashtu dhe për nga qendërzimi i arsyes së përfitimit e, praktikisht, pak mund të bëhet për t’i ndaluar buldozerët.

Por tregu ilegal i antikiteteve të vjedhura është një armë e ISIS, që mund dhe duhet sulmuar urgjentisht me qëllim ndërprerjen e njërës prej rrymave kryesore të fitimeve të grupit. Perëndimi duhet të godasë në tregun e zi e të implementojë kundër importit të antikiteteve nga Siria dhe Iraku, të njëjtat rregulla që çuan në përfshirjen në listën e zezë të “diamanteve e gjakut” nga Afrika, si dhe të ndjekë penalisht me vendosmëri këdo që shet e blen objekte nga sindikata e krimit me emrin ISIS.

Statuja-shkatërruesit që pozojnë pranë mbeturinave të së shkuarës në djepet e mëdha të historisë, duan të imponojnë frikë si purifikues hakmarrës, mjete të fuqishme të një Zoti të zemëruar, që pastrojnë botën nga herezia, femohimi dhe idhujtaria. Shumë më pak të tmerrshëm duken – thjesht të ligë të zakonshëm – po t’i shohësh si kriminelë qelbanikë të organizuar, që bëjnë ndonjë dollar të shpejtë duke shfrytëzuar lakminë e koleksionistëve. Siç shkruante dikur Agatha Christie: “E keqja nuk është diçka mbinjerëzore, është diçka më pak se njerëzorja”./thetimes/

Perkthimi: Andi Qinami/www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button