
Vendet europiane synojnë të konfiskojnë kapitalet ruse të ngrira sepse nuk kanë më “burime të tjera për të financuar luftën” në Ukrainë. Kështu deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke folur në Këshillin e Federatës (Senati rus). “Përveç vjedhjes së arit tonë dhe rezervave valutore, në shkelje të çdo norme ndërkombëtare dhe tregtare, ata nuk kanë asnjë burim tjetër për të financuar këtë luftë”, tha Lavrov, i cituar nga agjencia Tass.
Ministri i Jashtëm rus paralajmëroi gjithashtu se Rusia do të përgjigjej ndaj çdo dislokimi të mundshëm të trupave europiane në Ukrainë. Moska, theksoi Lavrov, nuk ka “asnjë qëllim për të hyrë në luftë me Evropën”, por është e gatshme të reagojë nëse vendet europiane vendosin trupa në shtetin fqinj. Lavrov, i cituar nga Ria dhe Tass, akuzoi Bashkimin Europian për “verbëri politike pa shpresë”, duke thënë se BE-ja ushqen iluzione për mundësinë e mposhtjes së Rusisë.
Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ironizoi premtimin e presidentit Volodymyr Zelensky për të mbajtur zgjedhje në Ukrainë “nëse vendet perëndimore garantojnë sigurinë”. Zakharova tha se kjo ngjan me një “teatër kukullash”. Zelensky pretendon se dëshiron “pavarësinë” e vendit, por “kërkon që vende të tjera të garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve, ndërsa i quan ato zgjedhje demokratike”, tha ajo për Radio Sputnik, duke e krahasuar situatën me “teatrin e Karabas-Barabas”, tiranin e një teatri kukullash në një përrallë të Alexei Tolstoy.
Zelensky: “Dorëzimi i territoreve? Ide e Rusisë, jo e SHBA-ve”
Ideja që Ukraina të bëjë lëshime territoriale në zonat e pushtuara të rajonit të Donetskut, si pjesë e një “marrëveshjeje paqeje”, i përket Rusisë dhe jo rrethit të Donald Trumpit. Kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cituar nga Ukrainska Pravda. “Nxitësja e kësaj ideje ka qenë Rusia, që të heqim dorë nga territoret tona. Për këtë kam dhënë tashmë përgjigje. Natyrisht, duam që SHBA-të të jenë në anën tonë për këtë çështje”, tha Zelensky. / bota.al





