Nga Adam Tuz
Shtatori dhe tetori i vitit 2008, përfaqësonin krizën më të rëndë financiare në historinë botërore, duke përfshirë edhe Depresionin e Madh. Ben Bernanke, kryetari i atëhershëm i Rezervës Federale të SHBA, bëri këtë deklaratë të jashtëzakonshme në nëntorin e vitit 2009, vetëm një vit pas shpërthimit të krizës.
Duke e kthyer kokën pas, një dekadë pas krizës, ka arsye të biem dakord me vlerësimin e Bernankes:vitit 2008, duhet të shërbejë si paralajmërim, për shkallën dhe shpejtësinë me të cilën mund të shpërthejnë krizat financiare globale në shekullin XXI.
Në thelb, historia e krizës financiare është mjaft e njohur. Problemi nisi në vitin 2007 me një kolaps të tregut të pasurive të patundshme në SHBA dhe Europë; ndërkohë që çmimet e banesave ranë nga Kalifornia në Irlandë, pronarët e shtëpive mbetën prapa me pagesat e kredive të tyre bankare, dhe shpejt kreditorët nisën të kenë vështirësi.
Falë integrimit të madh të bankave globale, letrave me vlerë dhe tregjeve të financimit, “infeksioni” u përhap shpejt në institucionet e mëdha financiare në mbarë botën. Në fund të vitit 2008, bankat në Belgjikë, Francë, Gjermani, Irlandë, Letoni, Holandë, Portugali, Rusi, Spanjë, Korenë e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, po përballeshin të gjitha me kriza ekzistenciale.
Shumë prej tyre tashmë kishin falimentuar, dhe shumë të tjera i priste i njëjti fat. Ndërsa flukset e e kapitalit shteronin, kriza u shndërrua me shpejtësi në një recesion dërrmues në ekonominë reale. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, ndërmjet fund të vitit 2008 dhe fillimit të vitit 2009, 800 mijë njerëz humbën punën çdo muaj.
Deri në vitin 2015, mbi 9 milionë familje amerikane do të humbnin shtëpitë e tyre. Ndërkaq në Europë, bankat në falimentim dhe financat e brishta publike, krijuan një krizë që pothuajse e përçau eurozonën. Dhjetë vjet më vonë, ka pak konsensus mbi kuptimin e leksioneve të krizës së 2008-ës.
Një nga refrenet më të zakonshme, është se askush nuk e parashikoi dot krizën. Kjo nuk është e vërtetë, pasi në fakt pati shumë parashikime për një krizë që në fund mbërriti. Ekonomisti amerikan Pol Krugman e paralajmëroi krizën që në vitin 2006. Për europianët, ideja e një krizë amerikane kishte kuptim.
Shtetet e Bashkuara e kishin lejuar veten të përshiheshin në luftëra të gabuara të zgjedhura, ndërsa refuzonin të paguanin për to. Ajo po jetonte përtej mundësive të saj, dhe kriza ishte e ardhmja e saj. Por jo vetëm që bankat e Europës ishin thellësisht të përfshira në krizën e SHBA-së, por modelet e tyre të biznesit i lanë ato mjaft të varura nga fondet në dollarë.
Rezultati ishte zhytja e kontinentit në një krizë ekonomike dhe politike, nga e cila po e merr veten vetëm tani. Me kërcënimin e katastrofës, çështja ishte se çfarë duhej bërë. Në vjeshtën e vitit 2008, qeveritë në mbarë Perëndimin, nxituan të shpëtonin institucionet e “sëmura” financiare.
Ndërsa telashet po përhapeshin, nisi diplomacia e krizës. Samiti inaugurues i liderve të G20 u mblodh në nëntor 2008, dhe u bëri thirrje institucioneve të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar, të ndërhynin për mos-rëndimin e mëtejshëm të situatës. Në prapaskenë, zyrtarët amerikanë po ndërtonin një mekanizëm alternativ shpëtimi.
Problemi qendror ishte se bankat e botës, kishin nevojë për fonde në dollarë. Dhe institucioni i vetëm që mund ta plotësonte këtë nevojë ishte Rezerva Federale. Zyrtarët e FED-it, kishin nisur të shqetësoheshin për boshllëqet e financimit të bankave europiane që në fundin e vitit 2007.
Që FED të vepronte si një huadhënës për bankat e huaja, kjo ishte pa dyshim diçka e pazakontë, por ato ishin kohë të dëshpëruara, dhe duhej shmangur më e keqja.
Por ndërsa kriza u intensifikua, udhëheqësit e FED-it zbuluan se thjesht dhënia para bankave europiane, nuk do të ishte e mjaftueshme. Ata kërkuan një mekanizëm të tërthortë për sigurimin e dollarëve për bankat europiane, duke ripërdorur një instrument të harruar prej kohësh dhe të njohur si “linja e këmbimit të likuiditetit”.
Këto janë kontrata midis dy bankave qendrore, në këtë rast, mes FED dhe një banke qendrore të huaj, për të shkëmbyer përkohësisht monedhat: FED-i i siguron homologes së saj një shumë fikse dollarë, dhe merr në këmbim një shumë ekuivalente të monedhës vendase të bankës.
Përfituesit kryesorë të linjave të këmbimit, ishin bankat qendrore të Japonisë, Europës dhe vendeve kryesore të tregut në zhvillim, të cilat tani mund të merrnin dollarë nga FED, për të kaluar situatën e tyre të vështirë.
Po cilat janë implikimet e asaj krize për të ardhmen? Shumë analistë, që parashikuan se pas krizës, dollari do të humbiste statusin e tij si monedha kryesore në botë dështuan, madje ka ndodhur krejt e kundërta. Ngjarjet e vitit 2008, i lanë në një pozitë të dobët bankat europiane, dhe që atëherë, ato kanë kërkuar vazhdimisht mbështetje nga Uashingtoni.
Gjatë negociatave në Komitetin e Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare gjatë vitit 2010, zyrtarët amerikanë dhe europianë, debatuan mbi shtrëngimin e rregullave bankare dhe kërkesave të kapitalit. Dhe pasi Obama nënshkroi ligjin financiar Dod-Frank në korrik të atij viti, rregullatorët e SHBA-së filluan të përdorin dispozitat e ligjit për të detyruar bankat europiane në Shtetet e Bashkuara, të përmbushin standardet më të ashpra ose të dilnin nga tregu amerikan.
Rezultati përfundimtar i krizës, ishte një zbehje e lidhjes jashtëzakonisht të ngushtë midis financave amerikane dhe atyre europiane, që kishte karakterizuar vitet 1990 dhe vitet e para të këtij shekulli.
Ndërsa financat evropiane janë de-globalizuar, tregjet në zhvillim janë zhvendosur në qendër. Financimi i lirë i dollarit, i aktivizuar nga politika e FED-it, me norma interesi të ulëta, i ka futur tregjet në zhvillim në një ndërthurrje të thellë me sistemin financiar të mbizotëruar nga SHBA-ja.
Deri në vitin 2015, bizneset kineze kishin huazuar mbi 1.7 trilionë dollarë në valutë, pjesën më të madhe të asaj në dollarë, për të ushqyer nevojën e tyre të shfrenuar për financimin e investimeve. Kjo është fitimprurëse për të gjithë, por njëherazi edhe si një lloj paralajmërimi për integrimin e Kinës në financat ndërkombëtare.
Por me këtë zhvillim të ri vijnë rreziqe të reja. Veprimet e ndërmarra nga FED për të menaxhuar krizën e vitit 2008, u mbështetën tek mbetjet e një marrëdhënieje transatlantike, që datojnë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore; duke pasur parasysh lidhjet e sotme transatlantike.
Kur u pyetën mbi politikën e linjave të këmbimit, një veteran i FED më foli në kushte anonimiteti, se ishte sikur bankierët qendrorë të botës, kishin një engjëll mbrojtës që i vëzhgonte ata nga Kapitol Hilli.
FED kishte lirinë e plotë, për të bërë atë që ishte e nevojshme. Duke pasur parasysh atë që është shfaqur në lidhje me shkallën e veprimeve të saj, ndryshimin në klimën politike në Shtetet e Bashkuara, dhe gjasat që kriza e ardhshme do të ndodhë në tregjet në zhvillim, ndoshta në Kinë, për të shpëtuar herën tjetër ekonominë globale, do të duhet më shumë sesa një “ëngjëll mbrojtës”.
Burimi: “Foreign Affairs”
Në shqip nga bota.al