Të dashur fëmijë të ardhur në botë në vitin 2025, tashmë keni një emërtim: jeni Gjenerata Beta. Por përpiquni të rebeloheni kundër manisë sonë për të kataloguar madje edhe të ardhmen
Të dashur fëmijë të Gjeneratës Beta, nuk keni filluar ende të jetoni dhe tashmë ju kanë emërtuar. Ose më mirë, ju kanë “markuar”. Ju quajnë “bijtë e së ardhmes”, sepse rrota juaj e kohës sapo ka filluar të rrotullohet. Por në fakt, e ardhmja që po ju ndërtohet është vetëm një projeksion i të tashmes në të cilën sapo po filloni të hidhni hapat e parë.
Gjeneratat që ju paraprinë, nga baby boomers tek millennials, deri tek Gen Z (të lindurit midis viteve 1997 dhe 2012), titullin e tyre e fituan më vonë, bazuar në atë që përjetuan dhe si e përjetuan. Ndërsa ju, jeni të lindur tashmë të klasifikuar. Keni një histori ku jeni vetëm aktorë të dorës së dytë, por që rrezikon t’ju rëndojë si një fat i paracaktuar. Që në të vërtetë i ngjan më shumë një profilizimi – një identifikim i një tipi konsumatori.
Në këtë kuptim, fati juaj është i njëjtë me atë të Gjeneratës Alfa. Si ata, edhe ju identifikoheni kryesisht bazuar në aftësinë tuaj të ardhshme për të ndikuar në sjelljet ekonomike të prindërve tuaj dhe, më vonë, nga fuqia blerëse që pritet të arrini brenda disa vitesh.
Me gjasë, dhe për fat të mirë, e gjithë kjo narrativë e tepërt rreth jush nuk do të përputhet me atë që do të bëni dhe do të jeni në të vërtetë. Në fakt, të gjitha këto “këshilla” dhe “mendime” që pedagogjizojnë dhe psikologjizojnë atë që bëjnë dhe mendojnë fëmijët janë më shumë një placebo për prindër gjithnjë e më të humbur, për shkak të distancës midis brezave që përjetojmë sot.
Gjithashtu, këto janë një treg gjithnjë e më fitimprurës për “guru-të” e këshillimit, të cilët gjuajnë pasionet dhe obsesionet e të rinjve. Ata, të karikaturizuar nga etiketa reduktuese si screenagers (adoleshentë të ekranit), një “faunë” njerëzore e zhytur në teknologji, ose të varur nga rrjetet sociale, janë shpesh viktima të demonizimit dhe frikës së pabazë, ashtu si dikur “mësuesit e këqij.”
Mania për të parashikuar të ardhmen
Në fakt, kjo tendencë për të parashikuar kohën dhe për të hipotekuar të ardhmen është fëmijë e shoqërisë sonë të “momentit të fundit.” Por në të vërtetë ka rrënjë shumë më të thella, që datojnë nga ai qytetërim i Dekalogut, nga i cili buron vizioni ynë për botën dhe jetën. Kjo është një kulturë e themeluar mbi klasifikimin e detajuar të ngjarjeve dhe sjelljeve, në përpjekje për të mos i lënë asgjë rastësisë.
Në fillim ishte kaosi, pastaj erdhën ligjet, e më pas klasifikimet dhe krahasimet, që rendisin gjërat dhe njerëzit. Në thelb, nevoja jonë për klasifikime lind nga dëshira për t’i dhënë kuptim botës, për ta renditur atë dhe për ta shpjeguar.
Por e vërteta është se çdo klasifikim fsheh një mënyrë për të hedhur dritë në errësirën e botës, për të përzgjedhur atë që është më e rëndësishme. Me fjalë të tjera, është një përpjekje për të përballuar kompleksitetin e pafund të jetës duke e sintetizuar atë në një numër ose një etiketë.
Një përmbysje e historisë
Në qytetërimet e lashta, njerëzit shikonin drejt së shkuarës për të kuptuar të tashmen. Në shoqërinë moderne, ne pyesim vazhdimisht: “Si do të përfundojë?” Kjo e kthen historinë nga një studim i shkaqeve në një parashikim të pasojave. E ardhmja bëhet më e rëndësishme se e shkuara.
Për ju, të dashur fëmijë të Gjeneratës Beta, mesazhi më i mirë është ky: Mos lejoni që frikërat tona t’ju infektojnë. Mësoni t’i shihni të gjitha këto etiketime për atë që janë: përpjekje për të kontrolluar të papriturën e jetës. Ju, ndoshta më shumë se ne, mund të na mësoni si të ekuilibrojmë të ardhmen me të tashmen dhe si të përdorim teknologjinë me zgjuarsi dhe maturi.
Mirë se erdhët në botë! / Marino Niola
La Repubblica – Bota.al