Histori

HITLER-FRANKO / “I dashur Fyhrer, mos dysho ne besnikerine time!”

Letra që Gjenerali Franko i dërgoi Adolf Hitlerit si përgjigje, në 26 shkurt 1941. “Ne qëndrojmë sot atje ku gjithmonë kemi qëndruar, në mënyrë të vendosur dhe me bindjen më të palëkundur. Ti nuk duhet të kesh dyshim për besnikërinë time ndaj këtij koncepti politik si dhe për realizimin e bashkimit të fateve tona kombëtare me të Gjermanisë e Italisë”

hitler franko 2I DASHUR FÜHRER:

Letra jote e datës 6 më bën që të të kthej përgjigjen time në mënyrë të menjëhershme, përderisa e konsideroj të domosdoshme që të bëj disa qartësime dhe të konfirmoj besnikërinë time.

TE TJERA RRETH TEMES:

FYHRERI – FRANKOS / I dashur Caudillo, hyr tani

ne lufte!

LUFTA E DYTE / Gjeneral Franko, as në luftë, as

jashtë lufte

Unë të konsideroj ashtu si ti konsideron veten tënde, dhe pranoj se fati i historisë ka bashkuar ty, me mua dhe Duçen në një mënyrë të pandashme. Nuk kam patur asnjëherë nevojë që të bindem për këtë dhe ashtu siç të kam thënë më shumë se një herë, Lufta jonë Civile që në fillimin e saj dhe gjatë të gjithë rrjedhës së vet është një provë e kësaj. Gjithashtu, ndaj mendimin tënd se fakti që Spanja ndodhet gjeografikisht në të dy brigjet e Ngushticës, e detyron atë të ketë një armiqësi të skajshme ndaj Anglisë, e cila aspiron të ketë kontrollin e saj.

Ne qëndrojmë sot atje ku gjithmonë kemi qëndruar, në mënyrë të vendosur dhe me bindjen më të palëkundur. Ti nuk duhet të kesh asnjë dyshim për besnikërinë time ndaj këtij koncepti politik, si dhe për realizimin e bashkimit të fateve tona kombëtare, me atë të Gjermanisë dhe Italisë. Me të njëjtën besnikëri, unë të kam bërë të qartë që në fillim të këtrye negociatave, kushtet e gjendjes sonë ekonomike, si të vetmet arsye përse nuk ka qenë e mundur deri tani, për të përcaktuar datën e pjesëmarrjes së Spanjës në luftë.

Duke patur parasysh vështirësitë tona të pasluftës, ti kujton që unë asnjëherë nuk kam fiksuar një periudhë të shkurtër për hyrjen tonë në luftë. Më lejo, Fuehrer, të të them se koha që ka kaluar deri në këtë moment nuk është tërësisht e humbur, përderisa ne kemi mundur të sigurojnë jo sasi shumë të mëdha gruri që të na lejojë të grumbullojme stoqe, por të paktën një pjesë së bukës së domosdoshme për përditshmërinë e njerëzve, të cilët përndryshe do të ishin zhdukur për shkak të urisë në numër të madh.

Veç kësaj, duhet të pranohet se në këtë çështjen e furnizimit me ushqime, Gjermania nuk ka përmbushur ofertat e saj për mbështetje efekive deri kohët e fundit. Ne tani kemi nisur të lëvizim në drejtim të fakteve konkretë dhe në këtë fushë, nuk ka asgjë që unë dëshiroj më shumë se sa të përshpejtoj negociatat sa më shumë që të jetë e mundur. Duke patur këtë në mendje, disa ditë më parë unë të dërgova informacion në lidhje me nevojat tona për ushqime, si dhe në përgjithësi në fushën ekonomike dhe ushtarake. Këto të dhëna mund të rishqyrtohen, mund të bëhen qartësime e verifikime të mëtejshme, si dhe mund të diskutojmë për të arritur me shpejtësi në zgjidhjen që na intereson të dy palëve. Megjithatë, ti duhet të kuptosh se në një kohë që populli spanjoll po vuan krizën më të rëndë të urisë, si dhe po vuan nga gjithfarëlloj privimesh e sakrificash, sigurisht që nuk është e volitshme për mua që të kërkoj prej tij sakrifica të mëtejshme, nëse thirrja ime nuk paraprihet nga zbutja e kësaj situate, gjë që në të njëjtën kohë do të na lejojë në të zhvillojmë paraprakisht një propagandë inteligjente në lidhje me miqësinë konstante dhe mbështetjen efektive të popullit gjerman, gjë që do të rizgjonte tek spanjollët ndjenjat e miqësisë së sinqertë dhe admirimit, që ai ka patur gjithmonë për kombin tonë.

Deklaratat e mia në lidhje me klimën ishin thjeshtë një përgjigje ndaj sugjerimeve tuaja, dhe nuk ishin në asnjë mënyrë një pretekst për të shtyrë pafundësisht atë që, në momentin e duhur, do të jetë detyra jonë ta bëjmë.

Gjat konferencës së fundit të Bordigerës, unë ofrova prova para botës për natyrën e sjelljes sime të palëkun- dur; kjo konferencë shërbeu gjithashtu si një thirrje për popullin spanjoll, ku shënonte drejtimin në të cilin qëndrojnë obligimet e tyre kombëtare, si dhe ruajtja e ekzistencës së tyre si komb i lirë.

Më duhet të të përsëris diçka, Shkëlqesi; mbyllja e Ngushticës së Gjibraltarit është jo vetëm një parakusht për përmirësimin e menjëhershëm të situatës së Italisë, por ndoshta edhe një fund i luftës. Megjithatë, me qëllim që mbyllja e Gjibraltarit të ketë një vlerë vendimtare është gjithashtu e nevojshme që të mbyllet Kanali i Suezit njëkohësisht. Nëse kjo e fundit nuk do të ndodhë, ne që po ofrojmë praktikisht kontributin e përpjekjeve të ushtrive tona, kemi detyrën që të themi sinqerisht se situata e Spanjës në rast të një lufte që zgjatet në mënyrë të tepruar do të bëhej ekstremisht e vështirë.

Ti flet për kërkesat tona dhe i krahason ato me të tuat dhe ato të Italisë. Unë nuk besoj se kërkesat e Spanjës mund të përshkruhen si të tepruara, aq më pak madje, nëse mendon për sakrificën e jashtëzakonshme të popullit spanjoll në një betejë e cila ishte pararendësja e denjë e asaj që po zhvillohet aktualisht. Në lidhje me këtë pikë, në marrëveshjen tonë nuk ekziston as saktësia e domosdoshme. Protokolli i Hendaies – më lejo që ta them – është në këtë drejtim shumë i paqartë dhe ti i mban mend kushtet (sot aq të ndryshuara) e kësaj paqartësie dhe mungese saktësie. Faktet, ne zhvillimin e tyre logjik kanë lënë sot shumë prapa rrethanat që duheshin marrë parasysh në muajin tetor sa i përket situatës mbizotëruese, dhe protokolli që ekzistonte atëherë duhet që në të tashmen të konsiderohet i vjetëruar.

Këto janë përgjigjet e mia, i dashur Fuehrer, për ato që më thoje në letrën tënde. Dua që me to të shpërndajë të gjithë hijet e dyshimeve dhe të deklaroj se unë qëndroj i gatshëm në krahun tuaj, tërësisht dhe vendosmërisht në dispozicionin tuaj, i bashkuar në një fat të përbashkët historik, dezertimi nga i cili do të ishte vetëvrasja ime dhe e kauzës që unë kam udhëhequr dhe përfaqësoj në Spanjë. Unë nuk kam nevojë për konfirmim të besimit tim në kauzën tuaj dhe përsëris se do të jem gjithmonë një ndjekës besnik i saj.

Më beso si mikun tënd të sinqetë, me përshëndetjet më të ngrohta,

F. FRANCO

Leave a Reply

Back to top button