botimeshqip.com
Për më shumë se 30 vjet, 21-27 shtatori njihet si java e librave të ndaluar, një mënyrë për të pohuar atë që e dinë të gjithë dashamirët e librit: nuk asnjë arsye të vlefshme për të ndaluar një libër.
Ndër vite, librat janë ndaluar në shtete të ndryshme për arsye kryesisht politike, fetare dhe morale. Në disa vende, ende sot ka përpjekje për të ndaluar “Ditarin e Ana Frank”!
Asnjë rrezik nuk mund të vijë nga librat, që frymëzojnë, argëtojnë, informojnë. Rreziku i vërtetë vjen nga njerëzit që i ndalojnë ata.
Më poshtë gjeni një listë të librave që, ndër vite, janë ndaluar në shtete të ndryshme për arsye të ndryshme.
“Liza në botën e çudirave” – Ljuis Karol. U ndalua në provincën Huan, Kinë. Censori, gjenerali Ho Chien, besonte se t’u atribuoje kafshëve gjuhën e njerëzve ishte një fyerje ndaj njerëzimit. Ai frikësohej se libri do t’u mësonte fëmijëve t’i mendonin njerëzit dhe kafshët në të njëjtin nivel zhvillimi.
“Asgjë e re nga fronti i perëndimit” – Erih Maria Remark. I ndaluar nga Gjermania naziste sepse ishte demoralizues dhe fyes ndaj sistemit.
“Ferma e kafshëve” – Xhorxh Oruell. I përfunduar në vitin 1943, Oruell nuk gjeti dot një publicist për librin për shkak të kritikave ndaj ish-Bashkimit Sovjetik, një aleat i rëndësishëm i Britanisë gjatë Luftës. Kur u botua, libri u ndalua në ish-Bashkimin Sovjetik dhe disa vende të tjera komuniste. Libri është ende i ndaluar në Kubë, Korenë e Veriut dhe Kinë.
“Më e mira e botëve” – Aldous Huxley. I ndaluar në Irlandë në vitin 1932 për shkak të referencave seksuale. I ndaluar edhe në Australi nga 1932-shi më 1937-n.
“Zoti president” – Migel Angel Asturias. I ndaluar në Guatemala sepse shkonte kundër qeverisjes së vendit.
“Lolita” – Vladimir Nabokov. Francezët e ndaluan për shkak se ishte i turpshëm, të njëjtën gjë bënë zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar, Argjentinë, Zelandën e Re dhe Afrikën e Jugut.
“Zonja Bovari“ – Gustav Flober. Romani i Floberit u ndalua, ndërsa vetë ai u hetua për fyerje ndaj moralit publik.
“Vargjet satanike” – Salman Ruzhdi. I ndaluar për blasfemi ndaj islamit në: Bangladesh, Egjipt, Indi, Iran, Kenia, Kuvajt, Malajzi, Pakistan, Senegal, Singapor, Tanzani, Tajlandë.
Në periudhën e gjatë të komunizmit shumë nga kryeveprat botërore ishin të ndaluara dhe mund të qarkullonin rrallë nën dorë.
Më i rëndë ishte fati i letërsisë shqiptare, si ajo e ndaluar, anatemuar dhe e mohuar (e shkruar nga At Gjergj Fishta, Faik Konica, Vinçens Prenushi, Lazër Shantoja, Pater Anton Harapi si dhe gjithë tradita letrare françeskano-jezuite), ashtu edhe letërsia shqipe e burgjeve (Sejfulla Malëshova, Kasëm Trebeshina,Musine Kokalari, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi etj).