Bota

Liderë dhe demagogë

zgjedhjet 2016 shba

Nga Robert Reich

Kush prej kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara po shfaq lidership dhe kush demagogji? Lidershipi nuk është vetëm aftësia për të tërhequr ndjekësit. Po të ishte vetëm kaq, disa prej tiranëve më të këqij në histori do të cilësoheshin si udhëheqësit më të mëdhenj. Por ata nuk ishin udhëheqës; ishin demagogë. Dhe këtu ka një ndryshim.

Një udhëheqës, jep më të mirën ndaj pasuesve të tij. Një demagog, sjell më të keqen. Liderët frymëzojnë tolerancë. Demagogët nxisin urrejtje. Liderët fuqizojnë të pafuqishmit; u japin atyre zë dhe respekt. Demagogët frikësojnë të pafuqishmit; përdorin viktimizimin si një mjet për të fortifikuar pushtetin e tyre. Liderët qetësojnë frikërat irracionale të popujve të tyre. Demagogët i shfrytëzojnë ato.

Lista ime me udhëheqësit më të mëdhenj amerikanë, do të përfshinte Abraham Linkolnin, Suzan B. Entoni, Frenklin Ruzvelt, Frensis Perkins dhe Martin Luter King Jr. Në fjalimin e tij të dytë inaugurues në prag të përfundimit të Luftës Civile, Abraham Linkolni i nxiti ithtarët e tij të vepronin “pa keqdashje ndaj askujt, me dashuri për të gjithë”.

Në përurimin e mandatit të tij të parë presidencial, në kulmin e Depresionit të Madh ekonomik, Frenklin Ruzvelt u tha amerikanëve se ”e vetmja gjë që duhet të  kemi frikë, është frika vetë – terrori i paemër, i paarsyeshëm dhe i pajustifikuar që paralizon çdo përpjekje të nevojshme”.

Në vitin 1963, teksa afro-amerikanët po kërkonin të drejtat e tyre civile, Martin Luter Kingu i nxiti ithtarët e tij të “mos të kënaqim etjen tonë për liri, duke pirë nga kupa e zemërimit dhe urrejtjes”. Nga ana tjetër, lista ime e demagogëve amerikane, do të përfshinte senatorin Benxhamin Tilman i Karolinës së Jugut, i cili në vitet 1890 mbështeti turmat linçuese; Atë Çarls Kuglinin, që me fjalimet antisemitike në vitet ’30 të shekullit të kaluar vlerësonte Gjermaninë naziste; senatorin Zhozef Mekarthi, që udhëhoqi gjuetinë e shtrigave kundër të dyshuarëve si komunistë në vitet ‘50; dhe guvernatorin Xhorxh Uollas, një  mbrojtësi i vendosur i segregacionit racial.

Këta njerëz frymëzuan të keqen tek ithtarët e tyre. Ata bënë ‘koka turku’ amerikanët e dobët, dhe i vendosën kundër njëri-tjetrit. Ndërkohë përdoren frikën për të nxitur urrejtjen, dhe në këtë mënyrë e forcuan pushtetin e tyre. Duke u rrikthyer në të tashmen dhe u fokusuar tek kandidatët për president:cilët janë udhëheqësit dhe cilët demagogët?

Udhëheqësit janë përpjekur të ndërtojnë ura, me ata që kanë pikëpamje të ndryshme. Për shembull Rand Pol foli në Universitetin e Berklit, duke kërkuar gjuhën e përbashkët me studentët kryesisht-progresistë të universitetit. Berni Sanders shkoi tek Universiteti i Lirisë, ku shumica e studentëve dhe stafit akademik nuk pajtohet me qëndrimet e tij, mbi martesat mes homoseksualëve dhe abortin.

“Kam ardhur sot këtu, sepse besoj nga thellësia e zemrës sime, se është me rëndësi jetike për ne që të kemi pikëpamje të ndryshme, dhe të jemi në gjendje të angazhohemi në një debat civil”- tha ai. Ndërkohë, kandidatët e tjerë, kanë nxitur përçarjen. Ben Karson ka deklaruar se të jesh homoseksual, është një zgjedhje. “Shumë njerëz shkojnë në burg heteroseksualë dhe kur dalin prej andej janë gay. Pra diçka u ndodhur ndërsa ishin atje? Pyesni veten mbi këtë çështje”-është shprehur ai. Karson ka argumentuar gjithashtu se një mysliman, nuk duhet të lejohet të bëhet president i SHBA-së.

Ndërkaq Donald Tramp ka akuzuar emigrantët meksikane se po sjellin drogë në SHBA. “Ata kanë sjellë krimin. Janë përdhunues”- theksoi ai. Ai sulmoi edhe ata që vijnë në Amerikë për të lindur, në mënyrë që fëmijët e tyre të marrin shtetësinë e menjëhershme amerikane, dhe të jenë edhe për prindërit një barkë shpëtimi për të qëndruar në SHBA, duke argumentuar se “ne duhet të fillojmë një proces ku të marrim sërish në duar vendin tone, që aktualisht po shkon në ferr”.

Dhe pasi një nga mbështetësit e tij akuzoi se myslimanët “po shtojnë kampet e trajnimit ku ata duan të na vrasin” dhe e pyeti Trampin se “kur mund të shpëtojmë prej tyre?”, ky i fundit nuk e kundërshtoi. Ai tha se “shumë njerëz po thonë të njëjtën gjë”  dhe se “ne jemi në kërkim të një zgjidhje”. As Trampi pra nuk i ka frymëzuar për mirë ithtarët e tij.

Në një tubim të kohëve të fundit, pasi Tramp denigroi punëtorët pa dokumenta, mbështetësit e tij i shtynë dhe pështynë aktivistët emigrantë, që kishin ardhur për të protestuar. Në një tjetër tubim të këtij kandidati, mbështetësit e tij u bërtisnin qytetarëve latino amerikanë të “shkonin në shtëpi” dhe bërtitën “nëse nuk është e bardhë, nuk është e drejtë”.

Gjithashtu mbështetësit e Donald Tramp u kanë thënë aktivisteve emigrante:”pastro dhomën time të hotelit, bushtër!”. Ata kanë rrahur dhe urinuar mbi të pastrehët, dhe talleshin “ju mund të qëlloni të gjithë njerëzit që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme”.

Amerika është demokracia e vetme në botë, ku çdokush mund të deklarojë veten si një kandidat për president – dhe i ‘armatosur’ me para të mjaftueshme, ndoshta edhe mund të fitosh. E gjitha kjo e bën

më të rëndësishme dallimin që duhet të bëjmë mes liderëve dhe demagogëve. Liderët e dikurshëm e fisnikërojnë shoqërinë tonë. Demagogët e fundit e kanë degraduar dhe e rrezikojnë atë – edhe nëse humbasin.

Shënim: Robert B. Reich është Profesor i Politikave Publike në Universiteti Berkeley në Kaliforni dhe autor i librit “Shpëtimi i kapitalizmit: për shumë, jo vetëm për disa”

“Huffingtonpost.com” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button