Lufta e Tretë e Gjirit: i njëjti gabim, me pasoja shumë më të mëdha

Lufta e Tretë e Gjirit

Patrick Wintour

KJO ËSHTË LUFTA E TRETË E GJIRIT dhe shpërthimi i radhës i një konflikti, që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara morën rolin e fuqisë dominuese dhe ndikimit kryesor në Lindjen e Mesme në fund të Luftës së Ftohtë. Dhe ndoshta është më e rrezikshmja, më me pasoja dhe më e paqarta nga të gjitha.

Shkatërrimi dhe kaosi që po përhapen në rajon konfirmojnë statusin e Lindjes së Mesme si “fabrika kryesore e krizave” në botë, por njëkohësisht shtrojnë pyetjen se si presidentët amerikanë deklarojnë se po i japin fund ndërhyrjes së SHBA-së, vetëm për t’u zhytur sërish.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, SHBA ka synuar të rrëzojë një qeveri në Lindjen e Mesme mesatarisht një herë në çso dekadë, dhe pothuajse në çdo rast, si vendi në fjalë ashtu edhe vetë SHBA kanë dalë më keq, pasi me kalimin e kohës janë shfaqur pasoja të papritura. Ndërsa Donald Trump nis një tjetër ndryshim regjimi, këtë herë në Iran, një vend me 90 milionë banorë, ndjesia e frikës është e thellë.

Tashmë afatet po zgjaten dhe po rritet bindja se Trumpi po luan bixhoz me fatin e një vendi për të cilin di shumë pak.

Lufta e parë e Gjirit, në vitet 1990-91, kishte të paktën avantazhin e një qëllimi, shtrirjeje dhe kohe të kufizuar. Pasi Saddam Husseini pushtoi Kuvajtin në një akt të shtrembëruar panarabizmi, George H. W. Bushi i dëboi forcat irakiane relativisht kollaj, duke ruajtur një koalicion të gjerë arab, pjesërisht duke siguruar që Izraeli të mos reagonte ndaj provokimeve të Saddamit.

Duke respektuar mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të çliruar Kuvajtin, por jo për të pushtuar Irakun, Bushi vendosi të mos ndjekë ushtrinë irakiane deri në Bagdad. Fushata tokësore zgjati vetëm 100 orë.

Pabarazia e asaj lufte ka paralele me atë që po ndodh në Iran. Intelektuali arab Azmi Bishara e quajti atë një model lufte, ku njëra palë lufton pa rrezik dhe tjetra pa shpresë: “njëra palë humb rastësisht disa njerëz, tjetra humb qindra-mijëra me forcë armësh”.

Por lufta la pasoja. Kurdët dhe myslimanët shiitë mësuan rrezikun e përdorimit nga një president amerikan, vetëm për të zbuluar se Bushi do të rrinte mënjanë teksa ata shtypeshin. Është një mësim që kurdët e Iranit mund ta kenë studiuar.

Lufta solli gjysmë milioni trupa amerikane në Lindjen e Mesme dhe, siç shkruan Marc Lynch në librin “The Ruination of a Region”, ato “nuk u kthyen kurrë në shtëpi, por u shpërndanë në një arkipelag bazash amerikane në Gjirin Persik, Levant dhe Turqinë jugore për të zbatuar kontrollin ndaj Irakut dhe Iranit”.

Këto baza, sot nën sulm nga Irani, u bënë “themeli infrastrukturor i dominimit amerikan”.

Në luftën e dytë të Gjirit, e njohur si Lufta e Irakut (2003-2011), George W. Bushi vendosi se Saddami duhej të largohej për shkak të armëve të supozuara të shkatërrimit në masë.

Pavarësisht nëse SHBA hyri në luftë mbi bazën e një gënjeshtre apo keqkuptimi, ajo hyri pa ditur mjaftueshëm për vendin që po pushtonte dhe për forcat që do të shpërthenin pas rënies së Saddamit.

Në dëshminë para Kongresit, zëvendëssekretari i mbrojtjes Paul Wolfowitz deklaroi se irakianët ishin “23 milionë nga njerëzit më të arsimuar në botën arabe që do të na mirëpresin si çlirimtarë… ideja se do të krijojmë më shumë armiq është absurde”.

Ai hodhi poshtë krahasimet me Ballkanin dhe tha se Iraku nuk kishte histori konfliktesh etnike, ndaj nuk do të nevojiteshin forca të mëdha paqeruajtëse. Ai ishte gjithashtu i bindur se irakianët e lirë do të refuzonin ekstremizmin islamik. Argumentet e tij bazoheshin pjesërisht në kontakte personale.

Një tjetër mbështetës i luftës ishte lideri opozitar izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha: “Nëse largoni Saddamin, kjo do të ketë pasoja pozitive të mëdha në rajon… edhe në Iran njerëzit do të kuptojnë se epoka e despotëve ka mbaruar.” Ndodhi e kundërta: Irani u forcua, edhe brenda Irakut.

Philip Gordoni, këshilltar sigurie për Kamala Harrisin, argumentoi në vitin 2015 se kishte diçka thelbësisht të gabuar në konceptin amerikan të ndryshimit të regjimit. Ai shkroi: “Në Irak SHBA ndërhyri dhe pushtoi, rezultati ishte katastrofë. Në Libi ndërhyri pa pushtuar, po ashtu katastrofë. Në Siri nuk ndërhyri fare, përsëri katastrofë.”

Megjithatë, një aspekt i rëndësishëm i debatit para luftës në Irak ishte se ai ekzistonte. Në kontrast, për sulmin ndaj Iranit, administrata Trump ka favorizuar fshehtësinë dhe befasinë.

Në vitin 2003, Colin Powelli shkoi në OKB për të paraqitur prova mbi laboratorë biologjikë, që më vonë dolën të pasakta. Por ai e pa të nevojshme të fitonte mbështetje ndërkombëtare.

Sot, salla e Këshillit të Sigurimit është e heshtur, ndërsa Pentagoni heton nëse SHBA ishte përgjegjëse për bombardimin e një shkolle vajzash në Iran, ku u vranë dhjetëra fëmijë.

Në vitin 2002, shumë zyrtarë paralajmëruan për kostot dhe pasojat, dhe kishin të drejtë. Lufta kushtoi rreth 2 trilionë dollarë, krijoi ISIS-in dhe shkaktoi deri në 1 milion viktima.

Sot, në Operacionin “Epic Fury”, mbizotëron konfuzioni. Justifikimet janë kontradiktore.

Sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth tha: “Regjime të çmendura si Irani nuk mund të kenë armë bërthamore.” Të tjerë pretendojnë kërcënime të menjëhershme.

Marco Rubio dha arsyetimin më tronditës: SHBA e dinte se Izraeli do të sulmonte dhe donte të paraprinte për të shmangur humbje.

Askush nuk mendoi të ndalonte Izraelin.

Përsëri lind pyetja: “Kush është superfuqia këtu?”

Një pjesë e kaosit vjen nga objektiva të ndryshme mes SHBA dhe Izraelit. Trumpi kërkon një figurë në Iran që mund të ndryshojë politikën pa rrëzuar sistemin, por herë pas here duket se synon kolaps total.

Ai madje është i gatshëm të hapë “kutinë e Pandorës” duke përdorur rebelët kurdë. Pakicat etnike në Iran kanë qenë gjithmonë një pikë e dobët e vendit.

Paralelet me luftërat e mëparshme nuk janë perfekte. Nuk ka trupa tokësore perëndimore. Por rreziku është i njëjtë: një projekt amerikan i fokusuar vetëm në shkatërrim, pa kuptuar çfarë do të vijë më pas.

Në vitin 2003, gjenerali David Petraeus pyeti: “Më thuaj si përfundon kjo?”

Kjo pyetje mbetet po aq e vlefshme edhe sot. / The Guardian – Bota.al

Back to top button