Analiza

Lufta kundër terrorit II, një veprim i paligjshëm i Obamës?

Obama mapPresidenti Amerikan Barack Obama pritet të ndërmarrë një hap të paligjshëm në luftën kundër terrorit. Ai pritet përdorë një autorizim 13 -vjeçar të lëshuar që në kohën e Bush-it për të bombarduar grupet terroriste të ISIS pa marrë aprovimin e Kongresit. Urdhëri në fjalë u lëshua në vitin 2001 nga ish- Presidenti George Bush, që kërkonte një justifikim ligjor për të sulmuar Al Kaedën duke shmangur tërësisht aprovimin e Kongresit. “ Autorizimi për Përdorimin e Forcës Ushtarake” lejon administratën të hyjë në luftë vetëm në raste emergjence. Por në vitin 2007 ishte pikërisht Obama që duke kritikuar praktikat e aplikuara nga Bush, theksoi se “Presidenti nuk ka fuqinë kushtetuese për të autorizuar një sulm ushtarak në një mënyrë të njëanshme në rast se nuk bëhet fjalë për një kërcënim imediat ndaj Kombit.” Por tani, në kushtet kur ISIS mban nën kontroll territoret që dikur ishin nën grushtin e hekurt të Al Kaedës, Presidenti Obama beson se Autorizimi i hyrë në fuqi në vitin 2001 mjafton që ai të nisë një “fushatë kundër terrorizmit”, por jo një luftë. “Taktikat e Al Kaedës në Irak nuk kanë ndryshuar vetëm prej emrit”,- tha Sekretari për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë, Josh Earnest. Por ekspertë të politikës thonë se ISIS dhe Al Kaeda janë dy organizata që kanë bërë divorc me kohë. Megjithatë duket se Obama e ka ndarë mendjen për të nisur sulmet kundër ISIS. “Unë kam autoritetin për të adresuar kërcënimet nga ISIS”, – tha Obama duke shtuar se gjithësesi do të mirëpriste cdo mbështetje nga ana e Kongresit. Kjo kthesë e fortë politike e Presidentit Amerikan është kritikuar ashpër nga Anëtarët e Kongresit, të cilët insistojnë se një luftë e re është jo kushtetuese. “Kushtetuta është e qartë. Vetëm Kongresi ka të drejtën të shpallë luftë. Nëse ne do të shkojmë në luftë, aprovimi i Kongresit është thelbësor”, – tha Senatori Rand Paul. Të njëjtin qëndrim mbajti Senatori Mark Udall nga Colorado. “ Unë nuk do t’i jap Presidentit, ose asnjë Presidenti Amerikan, një cek të bardhë për të nisur një luftë tjetër në Irak”, – tha ai. Sidoqoftë, ekspertët thonë se Presidenti duhet të dalë me urgjencë para Kongresit me një strategji të qartë dhe të bashkojë gjithë Amerikën.

Leave a Reply

Back to top button