Ndikimi i konfliktit do të varet mbi të gjitha nga kohëzgjatja e tij, por rreziku i stagflacionit po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Por me aq sa shihet nga lufta, mekanizmi i një goditje ekonomike është vënë në lëvizje tashmë

Po sikur konflikti në Iran të zgjasë? Ndërsa ofensiva ushtarake e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit hynte në ditën e saj të gjashtë, të enjten më 5 mars, kjo pyetje shqetësuese ka filluar të mundojë gjithnjë e më shumë aktorët ekonomikë.
Kundërofensiva iraniane, e cila po godet vendet e Gjirit, ka arritur të shqetësojë seriozisht qarkullimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugëkalim jetik global për transportin e naftës dhe gazit.
Është ende shumë herët për të folur për një krizë ekonomike, por mekanizmi i një goditjeje energjetike po merr formë, me rrezikun që të shkaktojë efekte të quajtura “stagflacioniste” – një kombinim i inflacionit të lartë dhe stagnacionit ekonomik.
Të enjten, më 5 mars, drejtoresha e përgjithshme e Fondi Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, u shpreh pesimiste, duke vlerësuar se ekonomia botërore është “sërish në provë”.
“Ky konflikt, nëse do të zgjaste, do mund të ndikonte qartë në çmimet globale të energjisë, në tregje, në rritjen ekonomike dhe në inflacion”, theksoi ajo.
“Tregjet kanë filluar të mendojnë se kjo situatë mund të zgjasë më shumë nga sa pritej fillimisht”, shprehet Bruno De Moura Fernandes, drejtues i kërkimeve makroekonomike në kompaninë Coface.
“Parametri kyç do të jetë kohëzgjatja e konfliktit”, shton Mabrouk Chetouane, drejtor i strategjisë për tregjet në Natixis. “Për momentin kemi të bëjmë me një goditje të përkohshme, jo me një krizë.”
Që nga e hëna, 2 mars, indeksi francez CAC 40 ka humbur 4.7%. Në të njëjtën kohë, çmimi i gazit në Evropë është rritur me 50%, ndërsa një fuçi Brent crude është shtrenjtuar me 12%.
Dhe që nga fillimi i vitit, rritja e hidrokarbureve është edhe më spektakolare: +35% për naftën dhe +93% për gazin
Lufta, një goditje më shumë e gazit sesa e naftës
Nga pikëpamja ekonomike, kthesa e këtyre ditëve të para të luftës erdhi nga dy bombardime, të hënën, që ndalën prodhimin e gazit natyror të lëngshëm (GNL) në Katar.
Irani goditi dy pika nevralgjike: impiantin e lëngëzimit të gazit në Ras Laffan Industrial City dhe rezervuarin e ujit të një centrali elektrik në Mesaieed (Oum Saïd), një bazë kyçe e prodhimit të gazit.
Të hënën, kompania kombëtare QatarEnergy njoftoi pezullimin e prodhimit të GNL.
Pasoja është e madhe: në kushte normale ky aktor është përgjegjës për rreth 20% të prodhimit botëror.
Për Evropën, kjo goditje kujton luftën në Ukraine. Në verën e vitit 2022, ndërprerja e pjesës më të madhe të furnizimit me gaz nga presidenti rus Vladimir Putin shkaktoi një rritje historike të çmimeve, duke e çuar gazin në një kulm prej më shumë se 340 euro për megavat/orë.
Kjo ndezi një valë të fortë inflacioni, nga e cila konsumatorët mezi po rimëkëmben katër vjet më vonë. Për momentin, goditja është shumë më e kufizuar. Çmimi i gazit luhatet rreth 50 euro për megavat/orë, gjashtë herë më i ulët se në verën e vitit 2022, dhe rritja ka zgjatur vetëm tre ditë.
Megjithatë, Jack Reid, ekonomist në Oxford Economics, paralajmëron se nëse kriza zgjat, ajo mund të jetë edhe më e rëndë se ajo e Ukrainës: “Eksportet e GNL nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arrijnë në rreth 120 miliardë metra kub në vit, dhe varen plotësisht nga kalimi përmes Ngushticës së Hormuzit. Kjo është shumë më tepër se eksportet që Rusia ndërpreu në vitin 2022, të cilat ishin rreth 70 miliardë metra kub.”
Prandaj, rihapja e Ngushticës së Hormuzit në një afat relativisht të shkurtër është thelbësore. Të mërkurën në mëngjes, më 4 mars, Garda Revolucionare Islamike deklaroi se kishte “kontroll të plotë” mbi të. Ndikimi në çmimet e naftës është shumë më i kufizuar. Fuçia e Brent crude u rrit ndjeshëm të hënën, por kjo ishte vetëm rritja e 38-të më e madhe që nga viti 1990.
Madje, me rreth 82 dollarë (70 euro) për fuçi, çmimi aktual mbetet relativisht i ulët.
Në vitin 1980, pas Revolucionit Iranian, çmimi i naftës ishte rreth dy herë më i lartë se sot (i korrigjuar me inflacionin).
Një nga arsyet e këtij reagimi të kufizuar është se vendet kanë rezerva strategjike të naftës, të cilat mund t’i përdorin në raste krize. Për më tepër, nafta e Lindjes së Mesme mund të shmangë pjesërisht Ngushticën e Hormuzit duke kaluar përmes dy tubacioneve: një që lidh Arabinë Saudite me Detin e Kuq dhe një tjetër që lidh Emiratet e Bashkuara me Oqeanin Indian.
Ndërsa për eksportin e gazit nuk ekziston një alternativë e tillë ndaj transportit detar. Në këtë kontekst, shumica e analistëve presin që kriza të zgjasë vetëm disa javë dhe të ketë një ndikim global ekonomik relativisht të kufizuar.
Oxford Economics vlerëson se prodhimi i brendshëm bruto botëror mund të bjerë me rreth 0.1 pikë përqindjeje, por gjithçka do të varet nga kohëzgjatja e konfliktit. Megjithatë, pasojat ekonomike nuk do të jenë të njëjta për të gjitha rajonet.
Kina, vendi më i goditur
Kina mund të jetë vendi që do të vuajë më shumë ekonomikisht. Ajo sapo ka humbur pothuajse njëkohësisht dy aleatë të rëndësishëm: Iranin dhe Venezuelën.
“Këto dy vende i shisnin Kinës naftë të lirë, duke përfaqësuar përkatësisht 13% dhe 4% të konsumit të saj, thekson Alicia Garcia-Herrero, kryeekonomiste për Azi-Paqësorin në Natixis. Është një goditje shumë negative.”
Mabrouk Chetouane sheh në këtë edhe një nga arsyet e ndërhyrjes ushtarake të presidentit amerikan Donald Trump në Iran: “Është një mënyrë për të dëmtuar furnizimin energjetik të Kinës.”
Takimi i planifikuar në Pekin mes presidentit kinez Xi Jinping dhe Donald Trump, nga 31 marsi deri më 2 prill, pritet të jetë i tensionuar. Nga ana tjetër, Kina, por edhe pjesa më e madhe e vendeve të Azisë janë shumë të varura nga hidrokarburet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, 84% e naftës dhe 83% e GNL-së që kalojnë në këtë ngushticë kanë destinacion Azinë: gjysma shkon drejt Kinës, një e katërta drejt Indisë.
Si pasojë, beteja për furnizimin me energji tashmë ka filluar. Ngarkesa të tëra energjie mund të rishiten edhe kur janë tashmë në rrugë.
Të mërkurën, anija transportuese e gazit BW Brussels LNG, që vinte nga Nigeria dhe ishte nisur drejt Francës, bëri papritur kthesë dhe tani po kalon nga Kepi i Shpresës së Mirë, në jug të Afrikës, me shumë gjasa drejt Azisë.
Në Evropë: “2026 nuk është 2022”
Në letër, Evropa nuk është shumë e varur nga Ngushtica e Hormuzit, pasi merr vetëm 3% të GNL-së që kalon nga kjo rrugë.
Megjithatë, ndikimi ekonomik përhapet përmes çmimeve. Tregu i gazit është global dhe çdo rajon po lufton për furnizim në një treg tashmë më të kufizuar.
Çmimi i gazit në tregun holandez Title Transfer Facility (TTF), që shërben si referencë për Evropën, është rritur me 50% që nga fillimi i luftës në Iran.
Një faktor tjetër shqetësues është se rezervat e gazit në Evropë janë në nivelin më të ulët të dhjetë viteve të fundit për këtë periudhë të vitit, të mbushura vetëm 30%, pas një dimri të ftohtë. “Pasoja kryesore ekonomike do të jetë ndoshta inflacion më i lartë”, ndoshta rreth 0.3 pikë përqindjeje më shumë, vlerëson në një analizë Capital Economics.
Sipas saj, një rritje prej 10% e çmimit të naftës Brent rrit çmimin e benzinës në pompë me 4% brenda një jave, ndërsa një rritje prej 10% e gazit rrit faturat energjetike të familjeve me 1% pas tre muajsh.
Vendet më të varura nga gazi dhe me një bazë të fortë industriale, veçanërisht Gjermania dhe Italia, mund të jenë më të goditurat.
“Edhe industritë e varura shumë nga energjia mund të vuajnë”, shton Bruno De Moura Fernandes.
Megjithatë, “2026 nuk është 2022”, thekson François Villeroy de Galhau, guvernatori i Banque de France. Sipas tij, goditja mund të jetë e përkohshme, dhe për momentin rritja e çmimeve është përqendruar kryesisht tek hidrokarburet, ndërsa në fillim të luftës në Ukraine u rritën pothuajse të gjitha lëndët e para.
Evropa ka nxjerrë edhe disa mësime nga ajo krizë. Ndryshe nga viti 2022 centralet bërthamore në France nuk kanë probleme prodhimi dhe vendi aktualisht eksporton energji elektrike, ndërsa Spanja ka zhvilluar ndjeshëm energjinë e rinovueshme dhe është bërë më pak e varur nga gazi.
Shtetet e Bashkuara disi më pak të ekspozuara
Në SHBA, mimi i një galloni benzine është një simbol shumë i ndjeshëm politikisht.
“Është si të prekësh çmimin e bukës në Francë!”, thotë me humor ekonomisti Mabrouk Chetouane. “Ndërkohë ekziston një lidhje shumë e ngushtë midis çmimit të një fuçie nafte dhe çmimit të benzinës në pompë. Nga pikëpamja elektorale, Donald Trump nuk ka interes që kjo situatë të zgjasë shumë.”
Rickinder Chima, ekonomist në BMI Research, shton se amerikanët në përgjithësi nuk e mbështesin ndërhyrjen ushtarake të SHBA në Iran: 27% e miratojnë dhe 43% e kundërshtojnë
Kjo, sipas tij, “forcon hipotezën tonë se do të bëhet fjalë për një fushatë ushtarake afatshkurtër”.
Megjithatë, edhe pse situata është politikisht shpërthyese, ekonomia amerikane është disi më e mbrojtur nga pasojat ekonomike, sesa Azia apo Europa.
Shtetet e Bashkuara janë një eksportues i madh i gazit natyror të lëngshëm (GNL). Kompanitë që shfrytëzojnë gazin e shistit (shale gas) pritet të përfitojnë shumë nga rritja e çmimeve në tregjet botërore.
Mbi të gjitha, çmimet e brendshme nuk kanë reaguar pothuajse fare ndaj shpërthimit të luftës.
Në fakt, çmimi i gazit në tregun amerikan Henry Hub, që shërben si referencë për SHBA, është rritur vetëm 2%, ndërsa në Evropë çmimet janë rritur me rreth 50%.
Lindja e Mesme e brishtë
Lindja e Mesme, e cila përbën vetëm rreth 2% të PBB-së botërore, po goditet drejtpërdrejt nga kriza.
“Çdo ndërprerje e trafikut në Ngushticën e Hormuzit do të ndikojë menjëherë negativisht në pjesën më të madhe të të ardhurave nga eksportet dhe në pjesën kryesore të tregtisë së rajonit me Azinë dhe Europën”, vlerëson Ryan Sweet, ekonomist në Oxford Economics.
Ndërkohë, këto vende mbeten shumë të varura nga hidrokarburet, të cilat përbëjnë “nga 40% deri në 50%, madje edhe më shumë, të të ardhurave të këtyre shteteve”, sipas Bruno De Moura Fernandes.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme për diversifikimin e ekonomive të rajonit është turizmi, një sektor që përbënte 10% të PBB-së së Lindjes së Mesme në vitin 2024, por që tani është ndalur papritur.
Kompanitë ajrore kanë anuluar shumicën e fluturimeve në rajon dhe shumë udhëtarë që ndodheshin atje janë evakuuar. “Bombardimet në vende turistike do të mbeten gjatë në kujtesën e udhëtarëve të mundshëm”, thotë Ryan Sweet.
Për më tepër, Ngushtica e Hormuzit është një rrugë kryesore edhe për importet ushqimore të vendeve të Gjirit.
Sipas Financial Times, Arabia Saudite importon rreth 40% të drithërave dhe farërave vajore përmes porteve të saj.
Ndërsa për Emiratet e Bashkuara Arabe, rreth 90% e lëndëve të para hyjnë në vend përmes portit Jebel Ali në Dubai.
Nëse kalimi i anijeve mbetet i bllokuar për një kohë të gjatë, situata mund të bëhet shumë shpejt e tensionuar.
Éric Albert & Béatrice Madeline / Le Monde
Bota.al