Goditje më fort se shpejtësia e mendimit. Lufta ndaj Iranit me Inteligjencë Artificiale

Inteligjencë Artificiale

Përdorimi i mjeteve për luftë me inteligjencë artificiale për të mundësuar sulmet ndaj Iranit po paralajmëron një epokë të re bombardimesh më të shpejta se “shpejtësia e mendimit”, kanë deklaruar ekspertët, mes frikës se vendimmarrësit njerëzorë mund të anashkalohen.

Modeli i AI i kompanisë Anthropic, Claude, raportohet se është përdorur nga ushtria amerikane gjatë valës së sulmeve, pasi teknologjia “shkurton zinxhirin e vrasjeve”, pra procesin nga identifikimi i objektivit, te miratimi ligjor dhe deri te lëshimi i goditjes.

SHBA dhe Izraeli, të cilët më parë kishin përdorur AI për identifikimin e objektivave në Gaza, ndërmorën pothuajse 900 sulme ndaj objektivave iraniane vetëm në 12 orët e para. Gjatë këtyre sulmeve, sipas raportimeve, raketat izraelite vranë udhëheqësin suprem të Iranit, Ali Khamenei.

Lufta me Inteligjencë Artificiale shkurton kohë

Akademikët që studiojnë këtë fushë thonë se AI po shkurton ndjeshëm kohën e planifikimit për sulme komplekse, një fenomen i njohur si “kompresim i vendimit”. Disa paralajmërojnë se kjo mund të çojë në një situatë ku ekspertët ushtarakë dhe ligjorë thjesht vulosin formalisht plane sulmi të krijuara nga sisteme të automatizuara.

Lexo edhe: LIVE / Izraeli godet sërish, Irani sulmon ambasadat amerikane. Të rejat më të fundit nga lufta

Në vitin 2024, Anthropic vendosi modelin e saj në Departamentin Amerikan të Luftës dhe në agjenci të tjera të sigurisë kombëtare për të përshpejtuar planifikimin ushtarak. Claude u bë pjesë e një sistemi të zhvilluar nga kompania e teknologjisë ushtarake Palantir Technologies, në bashkëpunim me Pentagonin, për të “përmirësuar në mënyrë dramatike analizën e inteligjencës dhe për të ndihmuar zyrtarët në proceset e vendimmarrjes”.

Craig Jones, pedagog i lartë në gjeografinë politike në Universitetin e Newcastle dhe ekspert i “zinxhirëve të vrasjes”, tha: “Makina e AI po bën rekomandime për objektivat, gjë që në disa aspekte është më e shpejtë se vetë shpejtësia e mendimit.

Ke shkallëzim dhe shpejtësi njëkohësisht: po kryen goditje të stilit atentat ndërsa paralizon aftësinë e regjimit për t’u kundërpërgjigjur me raketa balistike ajrore. Kjo në luftërat historike mund të kishte zgjatur ditë ose javë. Tani po bëhet gjithçka njëherësh.”

Si funksionon sistemi

Sistemet më të fundit të AI analizojnë me shpejtësi sasi të mëdha informacioni mbi objektiva të mundshëm: pamje nga dronët, përgjime telekomunikimi, si dhe inteligjencë njerëzore. Sistemi i Palantir përdor mësimin makinerik për të identifikuar dhe prioritizuar objektivat, për të rekomanduar llojin e armëve, duke marrë parasysh rezervat dhe performancën e mëparshme kundër objektivave të ngjashëm. Ai përdor gjithashtu arsyetim të automatizuar për të vlerësuar bazën ligjore të një sulmi.

Lexo edhe: Ekzekutimi i Khameneit: Si e realizoi SHBA vrasjen e shekullit

David Leslie, profesor i etikës, teknologjisë dhe shoqërisë në Queen Mary University of London, e cilësoi këtë si “epokën e re të strategjisë dhe teknologjisë ushtarake”. Por ai paralajmëroi për rrezikun e “shkarkimit kognitiv”: njerëzit që marrin vendimin përfundimtar mund të ndihen të shkëputur nga pasojat, sepse përpjekja analitike është bërë nga makina.

Të shtunën, 165 persona, shumë prej tyre fëmijë, u vranë në një sulm me raketa që goditi një shkollë në jug të Iranit, sipas mediave shtetërore. Objekti ndodhej pranë një kazerme ushtarake dhe OKB e quajti sulmin “një shkelje të rëndë të ligjit humanitar”. Ushtria amerikane deklaroi se po heton raportimet.

Gara globale për Inteligjencë Artificiale ushtarake

Nuk dihet se çfarë sistemesh AI, nëse ka, ka integruar Irani në makinerinë e tij ushtarake, ndonëse në vitin 2025 pretendoi se përdorte AI në sistemet e drejtimit të raketave. Programi i tij i AI, i penguar nga sanksionet ndërkombëtare, duket i papërfillshëm krahasuar me superfuqitë si SHBA dhe Kina.

Në ditët para sulmeve ndaj Iranit, administrata amerikane kishte deklaruar se do ta përjashtonte Anthropic nga sistemet e saj pasi kompania refuzoi të lejonte përdorimin e AI për armë plotësisht autonome ose për mbikëqyrje të qytetarëve amerikanë. Megjithatë, sistemi mbetet në përdorim derisa të zëvendësohet. Ndërkohë, rivali i saj OpenAI nënshkroi një marrëveshje me Pentagonin për përdorim ushtarak të modeleve të tij.

“Avantazhi qëndron në shpejtësinë e vendim-marrjes, në kompresimin e planifikimit nga ditë apo javë në minuta ose sekonda,” tha Leslie. “Këto sisteme prodhojnë opsione për vendim-marrësit njerëzorë, por ata kanë një dritare shumë më të ngushtë kohore për të vlerësuar rekomandimet.”

Prerana Joshi, studiuese në Royal United Services Institute, shtoi se përdorimi i AI po zgjerohet në të gjitha aspektet e mbrojtjes: logjistikë, trajnim, menaxhim vendimesh dhe mirëmbajtje.

“AI është një teknologji që u lejon vendimmarrësve të përmirësojnë produktivitetin dhe efikasitetin. Ajo sintetizon të dhënat me një ritëm shumë më të shpejtë, në mënyrë që të ndihmojë procesin e vendimit,” tha ajo. / The Guardian – Bota.al

Back to top button