Histori

Lufta, një koncept i shoqërisë primitive apo asaj të civilizuar?

Screen Shot 2016-07-20 at 7.00.31 AM

Sipas një studimi akademik, njerëzit e kanë mësuar artin e të shkuarit në betejë shumë më vonë nga sa ishte menduar deri më tani.

Është lufta njerëzore? Është dhuna e organizuar midis grupeve politike kundërshtare një kusht i paevitueshëm midis njerëzve? Disa akademikë besojnë se përgjigjja është po, por studimi më i fundit tregon të kundërtën.

Një kërkim mbi shoqëritë fisnore, që jetonin duke bërë gjueti dhe duke kërkuar ushqim gjetkë, ka zbuluar se lufta është një koncept i panjohur për njerëzit. Kjo hedh poshtë hipotezat e deritanishme të disa shkencëtarëve, se lufta është një tipar i lindur i njerëzve primitivë.

Zbulimi ka rihapur debatin nëse lufta është një koncept i shpikur nga shoqëritë e civilizuara apo i ka rrënjët mijëra vjet më parë në natyrën njerëzore.

Ideja që kemi pasur deri më sot është se lufta vjen si rezultat i një tipari të lashtë të evoluar, që njerëzit mund ta kenë trashëguar në gjenetikë, rreth 7 milionë vite më parë, kur ne ndanim një paraardhës të përbashkët me shimpanzetë, të cilët gjithashtu kanë prirjen për të luftuar mes tyre.

Megjithatë, dy antropologë besojnë se ky është një mit dhe se kanë gjetur prova që e vërtetojnë këtë. Daglas Frai dhe Patrik Soderberg nga Universiteti Abo Akademi në Vasa, Finlandë, studiuan 148 incidente të dhunshme vdekjeprurëse të dokumentuara në 21 shoqëri fisnore gjuetare të lëvizshme.

Këto janë quajtur si modeli më i mirë për të studiuar sesi njerëzit kanë jetuar në më shumë se 99.9 për qind të historisë, përpara shpikjes së bujqësisë 10 000 vjet më parë.

Studiuesit gjetën se vetëm një pjesë e vogël e vdekjeve të dhunshme mund të përkufizohen si akte lufte. Dhuna më shumë ndodhte midis një individi kundrejt një tjetri dhe kishte si shkak mërinë personale të gjeneruar nga vjedhjet ose gratë.

Rreth 85 për qind e vdekjeve përfshinin vrasësin dhe viktimën, që i përkisnin të njëjtit grup shoqëror dhe dy të tretat e të gjitha vdekjeve të dhunshme mund t’u atribuoheshin çështjeve familjare, aksidenteve ose ekzekutimeve ‘ligjore’.

“Kur analizuam të gjitha ngjarjet e dhunshme, rreth 55 për qind prej tyre përfshinin një person që vriste një tjetër. Kjo nuk është luftë. Kur vëzhguam konfliktet në grup, forma më tipike ishin feudalët kundër familjeve ose vrasjet për hakmarrje, që nuk janë përsëri luftë”, tha dr. Frai.

Studimi i antropologëve finlandezë tregon se lufta në këto shoqëri, që jetojnë në kushte primitive, nuk është një tipar shumë i përhapur. Vetëm një pjesë e vogël e rasteve që përfshinin vrasjen e organizuar midis kundërshtarëve mund t’i ngjasonin sjelljes së luftës. Kjo ndodhte në vetëm 1 nga 21 fiset e studiuara, njerëzit Tiwi të Australisë.

Në vend të luftës në këto shoqëri primitive fisnore, që merreshin me gjah, studiuesit gjetën në fakt njerëz më paqësorë sesa qenia njerëzore moderne në shtetet e zhvilluara.

Zbulimet tregojnë se lufta nuk ishte një sjellje e zakonshme, përpara zhvillimit të bujqësisë, kur shumica, në mos të gjithë njerëzit jetonin si gjahtarë nomadë.

Studimi i ri vë në pikëpyetje përfundimet e nxjerra nga akademikë tepër të respektuar, si Stephen Pinker nga Universiteti i Harvardit dhe Jared Diamond nga Universiteti i Kalifornisë, që kanë botuar së fundmi libra bestseller mbi luftën dhe shoqëritë fisnore.

Në librin e Diamond, “Bota deri dje”, lufta përkufizohet si dhunë e vazhdueshme mes grupeve që u përkasin bashkimeve politike rivale. Sipas këtij autori, shumë shoqëri fisnore, të mbetur në parimet e tyre, duhet të ishin në gjendje kronike lufte.

Ai citon rastin e popullit Dani që jetonin në luginën Bailem të Malësisë së Guinesë së Re, të cilët u përfshinë në vitin 1961 në një seri konfliktesh të dhunshme që sollën shumë vdekje. Ndonëse populli Dani është i periudhës bujqësore, Diamond i merr ata si shembull i shoqërive të hershme njerëzore, gjë që e bën të pavlefshëm vlerësimin e tij.

Ndërkohë, në librin e Pinker të Universitetit të Harvardit “Engjëjt e mirë të natyrës sonë”, njerëzit paraqiten si të dhunshëm prej natyrës dhe se janë zbutur vetëm vitet e fundit, për shkak të ndikimit kulturor që i mban nën fre.

Sipas shumë studiuesve që mendojnë ndryshe nga dy autorët e mësipërm, ata marrin shembuj jo të saktë për t’i nxjerrë njerëzit primitivë si kafshë lufte.

Dy antropologët finlandezë besojnë se kanë gjetur prova të vlefshme që vërteton të kundërtën, pra, që njerëzit e lashtë ishin paqësorë deri në periudhën kur u shpik bujqësia.

Leave a Reply

Back to top button