Lufta SHBA–Iran dhe loja e madhe: Si mund të përfitojë Kina nga një konflikt i gjatë

Lufta SHBA–Iran

Në dukje, Kina po qëndron në distancë nga përshkallëzimi që po pëson lufta SHBA-Iran. Por në realitet, zhvillimet në Lindjen e Mesme po shërbejnë si një laborator strategjik për Pekinin, një test që mund të riformësojë ekuilibrin global të fuqisë në vitet që vijnë, shkruan Washington Post.

Për herë të dytë brenda këtij viti, Kina gjendet në një pozicion të pakëndshëm: një nga partnerët e saj të rëndësishëm diplomatikë goditet nga fuqia ushtarake amerikane, ndërsa Pekini mbetet spektator. Ky realitet ekspozon një kontradiktë të madhe – retorika globale e Kinës është më e fortë sesa kapaciteti i saj për të vepruar në terren.

Siç theksohet edhe në analizën origjinale , Kina ka reaguar sipas një skenari të njohur: dënon SHBA-në, bën thirrje për stabilitet dhe dialog, por në praktikë nuk i ofron Iranit ndihmë konkrete – as ushtarake, as ekonomike.

Kina: Fuqi e madhe… me kufizime reale

Ky qëndrim nuk është zgjedhje e lirë, por rezultat i kufizimeve strukturore.

Kina nuk ka kapacitet ushtarak për të projektuar forcë në Gjirin Persik, nuk ka aleanca të forta ushtarake në rajon dhe nuk ka interes të përballet drejtpërdrejt me SHBA në këtë moment

Në thelb, Pekini nuk është ende gati të sfidojë hapur Uashingtonin në një konflikt të drejtpërdrejtë global. Dhe ky është një nga mësimet më të rëndësishme që Kina po nxjerr nga kjo krizë.

Fuqia amerikane: ende dominuese

Konflikti me Iranin është një demonstrim i qartë i asaj që Kina tashmë e di, por shpesh e minimizon publikisht: SHBA mbetet fuqia ushtarake më e aftë në botë.

Operacionet ushtarake amerikane, neutralizimi i mbrojtjes ajrore iraniane dhe goditjet precize, po analizohen me kujdes nga ushtria kineze.

Kjo nuk është thjesht teori. Këto mësime do të përdoren drejtpërdrejt për skenarë në Indo-Paqësor apo një konflikt të mundshëm për Tajvanin.

Rreziku real për Kinën: ekonomia

Ndërsa aspekti ushtarak është i rëndësishëm, rreziku më i madh për Kinën është ekonomik.

Faktet tregojnë se Kina merr rreth 1.4 milion fuçi naftë në ditë nga Irani dhe rreth 50% e importit të naftës kalon nga Ngushtica e Hormuzit.  Nafta iraniane është më e lirë (8–10$ më pak për fuçi). Nëse konflikti zgjatet tregjet do të shtrëngohen kostot për industrinë kineze do të rriten dhe ajo mund të humbasë miliarda dollarë në vit.

Megjithatë, Kina është përgatitur sepse ka rezerva strategjike të mëdha nafte, si edhe ka kryer shumë investime në energji alternative (diellore, bërthamore). Pra, problemi nuk është mungesa e energjisë, por kostoja.

Strategjia e vërtetë e Kinës: fitimi i kohës

Kina nuk po kërkon të fitojë këtë konflikt. Ajo po kërkon kohë. Nëse lufta zgjatet, ajo konsumon burimet amerikane dhe krijon lodhje politike në SHBA dhe kështu, Kina përfiton.

Sepse një konflikt i gjatë dobëson fokusin amerikan, ul gatishmërinë për konflikte të reja dhe i jep Kinës kohë të forcojë ekonominë dhe ushtrinë

Dy skenarë, dy botë të ndryshme

E ardhmja varet nga fundi i konfliktit. Në rast të një lufte të shkurtër dhe vendimtare, SHBA del më e fortë, rritet frika dhe parandalimi global dhe Kina detyrohet të rishikojë strategjinë

Por, nëse nga ana tjetër, kjo do të jetë një luftë e gjatë dhe e lodhshme, SHBA do të dobësohet gradualisht, krijohet lodhje politike dhe ekonomike dhe kështu Kina fiton kohë dhe terren. Për Pekinin, ky është basti më i madh. / bota.al

Back to top button