Articles

Luftë kundër lajmeve të rreme, që në shkollë fillore

Për pesë vitet e fundit, Finlanda është renditur e para në mesin e 35 vendeve evropiane për rezistencën ndaj lajmeve të rreme dhe dezinformimit, për shkak të cilësisë së arsimit, medias së lirë dhe besimit të lartë midis njerëzve, sipas Institutit të Shoqërisë së Hapur (OSI), një organizatë joqeveritare me fokus shoqërinë.

Tani, ndërsa Rusia intensifikon luftën e saj të informacionit, Finlanda po përgatitet njëkohësisht për t’u bërë vendi me edukim mediatik më të lartë në botë deri në vitin 2030

Shembulli

Mund të fillosh kur fëmijët janë shumë të vegjël, thotë Karl Kivinen, mësues në një prej kolegjeve të Helsinkit. Në fakt, duhet bërë: “Përrallat funksionojnë mirë. Merrni për shembull dhelprën dinake, e cila mashtron gjithmonë kafshët e tjera me fjalët e saj dinake. Nuk është një metaforë e keqe për një lloj politikani, apo jo?”

Me demokracitë në mbarë botën të kërcënuara nga sulmi i pandalshëm i informacionit të rremë, Finlanda – e cilësuar kohët e fundit si vendi më rezistent i Evropës ndaj lajmeve të rreme – e ka marrë shumë seriozisht luftën, aq sa për t’ua mësuar atë fëmijëve, që në shkollë fillore.

Në shkollat e mesme njohuritë e informacionit të marrë shumë platforma dhe mendimi i fortë kritik janë bërë një komponent thelbësor, pjesë e një kurrikule kombëtare që u prezantua në vitin 2016.

Në mësimet e matematikës, nxënësit mësojnë se sa e lehtë është të gënjesh me statistika. Në art, ata shohin se si mund të manipulohet kuptimi i një imazhi. Në histori, analizojnë fushata të qarta propagandistike, ndërsa mësuesit e gjuhës finlandeze punojnë me ta në mënyrat e shumta me të cilat fjalët mund të përdoren për të ngatërruar, apo mashtruar.

Qëllimi është që nxënësit nesër të kthehen në qytetarë dhe votues sa më aktivë dhe të përgjegjshëm. Mendimi kritik, kontrolli i fakteve, interpretimi dhe mbi të gjitha vlerësimi i informacionit që marrim përditë, janë të gjitha të një rëndësie kritike. Dhe në Finlandë, e kanë shndërruar ne një bërthamë të gjithçkaje që u mësohet nxënësve, jo në një, por në të gjitha lëndët.

Dhe si gjithmonë gjatë historisë, është nevoja ajo që sjell reagimet më të forta. Kurrikula shkollore e pasuruar me mjetet për luftën kundër informacionit të rremë në Finlandë, është pjesë e një strategjie të gjerë që qeveria e hartoi pas vitit 2014. Shkaku: Mësymja e lajmeve të rreme nga fqinji i vet rus. Ishte si një zgjim, që e bëri qeverinë finlandeze të mendojë se kishte hyrë tashmë në epokën e post-faktit.

Dhe programi ka qenë i suksesshëm, përpjekjet janë shpërblyer. Finlanda për të disatën herë është renditur e para në indeksin që përfshin 35 shtete evropiane, dhe i cili mat rezistencën ndaj lajmeve të rreme.

Sipas ekspertëve të qeverisë finlandeze, target nuk janë vetëm nxënësit e shkollave dhe qëllimi final është që çdo finlandez, nga fëmijët e deri tek politikanët e lartë, të munden që të dallojnë, dhe të bëjnë përpjekjen e tyre për të luftuar informacionet e rreme. E gjitha bazuar në premisën që nëse lihet i papenguar, në fund të fundit dëmin e vërtetë e bën mbi shoqërinë në tërësi, vlerat, normat dhe besimin tek institucionet. Të gjitha elemente që mbajnë të bashkuar strukturën e shoqërisë.

Sigurisht, Finlanda është një shtet që e ka ndjerë luftën përmes propagandës dhe lajmeve të pavërteta nga ana e Kremlinit, qysh 106 vjet më parë, kur ajo fitoi pavarësinë nga Rusia në vitin 1917. Por, nevojë për të ndërmarrë masa të forta u ndje sidomos pas vitit 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe kur fushëbeteja tashmë ishte zhvendosur online.

Ekspertët e kanë të vështirë të thonë numrin e saktë të sulmeve përmes propagandës dhe lajmeve të rreme, që kanë ndodhur gjatë viteve të fundit, por shumica e tyre vërtiten përreth temave të imigrimit, sulmeve dhe hedhjes baltë mbi Bashkimin Evropian, apo pengimit që Finlanda të bëhet një anëtare e NATO-s.

Terreni? Faqet online të të djathtës ekstreme, si “kombi i pari” apo të tjera blogeve apo faqeve alternative të lajmeve, të cilat janë shndërruar si topa prej të cilëve lëshohen gjylet e informacioneve të pavërteta që kanë në shënjestër sidomos BE.

Dhe pikërisht për shkak të ndërgjegjësimit të rrezikut që ato paraqesin, një program i tillë shihet tashmë si një çështje që ka të bëjë me mbrojtjen qytetare, madje pjesë e një politike sigurie më të gjerë. Logjika: në një vend të vogël si Finlanda, pa shumë burime në dispozicion, duhet që çdo qytetar të bëhet pjesë e një mbrojtjeje kolektive të shoqërisë.

Qeveria e Finlandës e ka pilotuar programin nëpërmjet një komiteti të nivelit të lartë, në të cilin janë të përfaqësuar 20 organe të ndryshme qeveritare, duke filluar nga ministritë, tek organizatat e çështjeve sociale e deri tek policia dhe shërbimet e fshehta. Dhe ata kanë trajnuar me mijëra nëpunës civilë, gazetarë, mësues gjatë viteve të fundit.

Saara Jantunen, një studiuese në Ministrinë e mbrojtjes e sheh në këtë mënyrë:

“Nevojitet një përpjekje e gjerë dhe e mirëkoordinuar për të rritur ndërgjegjësimin. Eshtë njësoj si me mbrojtjen nga viruset në kompjuterin tënd: qeveria është përgjegjëse deri në një farë pike, por në fund të fundit, i takon individit që të instalojë programin kompjuterik”.

Siaps hartuesve të programit, në të vërtetë askush nuk është shumë i ri apo i vogël për të filluar të mendojë në mënyrë kritike, apo për të vënë në dyshim besueshmërinë e informacionit që i del përballë. Sepse sot, fëmijët nuk i lexojnë gazetat apo televizionet. Ata nuk i kërkojnë vetë lajmet. Jo! Atyre u përplasen në fytyrë. Në Ëhatsapp. Në Instagram. Në YouTube. Në SnapChat… . Dhe prapa gjithçkaje është një algoritëm që i përzgjedh këto pikërisht për ta. Dhe ideja është që, të gjendur përballë kësaj mësymjeje informacioni nga të katër anët, ata duhet që të jenë në gjendje ta filtrojnë atë në mënyrë kritike. Sigurisht, jo cinike, duke menduar se gjithçka është gënjeshtër, pasi kjo do të bënte efektin e kundërt. Por mendimi kritik që në moshë të vogël është domosdoshmëri.

Historiku

Në 2015, një vit pas luftës në Ukrainë ku Rusia aneksoi Krimenë, u pa një shumëfishim i trolleve që vinin në shënjestër lexuesit finlandezë.

Në mesin e shkurtit të vitit që kaloi, një vit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, interneti në Finlandë u godit nga një vërshim mesazhesh pothuajse identike që dënonin ambiciet e Finlandës për t’u bashkuar me aleancën perëndimore të sigurisë në NATO.

Në platformat e mediave sociale si Tëitter, një ushtri përdoruesish postonin të njëjtën fjali: “NATO nuk mund ta shpëtojë Finlandën”. Disa postime morën dhjetëra mijëra shikime në prag të pranimit të vendit në NATO, më 4 prill.

Por kishte një problem: fjalia që u përhap si flakë ishte gramatikisht e pasaktë. Në gjuhën finlandeze, ka dy folje që do të thonë “të kursesh”. Njëra do të thotë të shpëtosh, dhe tjetra do të thotë të ruash. Fraza virale përdori këtë të fundit.

Përdorimi i gabuar i foljes, së bashku me përhapjen e llogarive dukshëm të rreme që e postonin parullën – shumë prej tyre ishin hapur vetëm prej pak javësh – paralajmëroi publikun finlandez se mesazhi viral nuk ishte produkt i një kryengritjeje organike në vend. Origjina e fushatës nuk është përcaktuar, por shumëkush beson se është luftë informimi nga aktorët pro-Kremlinit, duke përdorur bots-et, troll-et e paguara dhe persona që përdorën Google Translate për fushatën e dështuar.

Ajo që filloi si një përpjekje për të nxitur pakënaqësi në shoqërinë finlandeze dhe për të diskredituar përpjekjet e Finlandës për t’u bashkuar me NATO -në u shndërrua në barcaletë që frymëzoi shumë meme.

Për t’u rikthyer në 2015, një vit pas një tjetër lufte të Rusisë në Ukrainë, Presidenti i vendit, Sauli Niinisto bëri një thirrje për çdo finlandez, që të marrë përsipër përgjegjësinë për luftën kundër lajmeve të rreme. Pa kaluar as një vit, në Finlandë mbërritën ekspertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët nisën të shërbejnë si konsulentë për zyrtarët vendas se si të dallojnë lajmet e rreme, të kuptojnë përse ato bëhen virale si dhe të zhvillonin strategji për t’i luftuar ato. Dhe një ndërhyrje domethënëse u bë në sistemin arsimor: ai pësoi një reformim tërësor, për të vënë më shumë theks tek mendimi kritik.

Jo thjesht fake news

Në programet shkollore, ekspertët përpiqen të bëjnë një nëndarje, të vetëdijshëm se termi lajm i rremë nuk është shumë tërheqës për veshin e nxënësve dhe adoleshentëve. Dhe i kanë ndarë në tre kategori: keqinformimi ose “gabimet”; dezinformimi, ose “gënjeshtrat” dhe “mashtrimet” që janë të rreme dhe përhapen qëllimisht për të gënjyer; dhe informacioni i lig, ose thashethemi, që ndoshta mund të jetë i vërtetë, por përhapet për të bërë dëm.

Dhe fëmijët që në moshë të hershme e kanë shumë të kollajtë t’i rrokin si koncepte. Thotë Karl Kivinen:

Atyre u pëlqejnë shumë të bëjnë detektivin. Nëse i nxit që të vënë në dyshim edhe gazetarët e vërtetë apo politikanët për çështje që kanë rëndësi për ta, nëse organizon debate dhe zgjedhje të vërteta në shkolla, u kërkon që të shkruajnë artikuj të vërtetë apo të rremë në lidhje me to… demokracia, dhe rreziqet ndaj saj fillojnë të marrin kuptim për ta”.

Dhe fëmijët angazhohen për t’iu përgjigjur pyetjeve si: kush e prodhoi këtë informacion dhe përse? Ku u botua? Çfarë thotë ai në të vërtetë? Kujt i drejtohet? Ku bazohet? A ka prova për të, apo është thjesht mendimi i dikujt? A mund të verifikohet tjetërkund?

Dhe provat në klasa i japin të drejtë mësuesit.

Mathilda, 18 vjeç thotë:

“Duhet të kontrollosh gjithmonë faktet. Rregulli numër 1: mos përdor Ëikipedia, dhe gjithmonë kërko tre apo katër burime të besueshme. Këtë e mësojmë praktikisht në çdo lëndë.

Lila, 16 vjeç thotë:

“Kam pyetur dhe futur në siklet politikanë të qytetit tim në një debat në stacionin radiofonik lokal”.

Alexander, 17 vjeç thotë:

“Kam mësuar shumë duke projektuar në kuadër të mësimit një fushatë lajmesh të rreme. Pse ka rëndësi? Sepse përfundon me numrin e gabuar të njerëzve në njërën anë të autobusit dhe me njerëz që u besojnë atyre”.

Priya, 16 vjeç thotë:

“Edukimi është mënyra më e mirë për ta luftuar. Problemi është se sot kushdo mund të publikojë çdo gjë. Nuk ka shumë që mund të bëjë qeveria kur përballet me kompani gjigande si Facebook apo Google, dhe nëse bën shumë e quajnë censurë. Kështu që edukimi është mjeti më efektiv”.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të Finlandës prillin e kaluar, qeveria shkoi aq larg sa të prodhonte një fushatë reklamash që paralajmëronte votuesit për mundësinë e lajmeve të rreme, me sloganin “Finlanda ka zgjedhësit më të mirë në botë. Mendojeni pse”.

Dhe me siguri ata e dinë përsenë, si qytetarë të vendit të parë në Evropë në indeksin e shteteve me rezistencë më të lartë ndaj lajmeve të rreme. (TruthHub – bota.al)

Burimet: CNN, Canadian National Observer, The Guardian

Back to top button