Magazine

Mallkimi i super kujtesës. Udhëtim në mendjen e atyre, që janë të dënuar të mos harrojnë dot

Si jetojnë pacientët me sindromën e hipermnezisë, të burgosur nga një memorie e hekurt

Thoni një datë nga 15 vitet e fundit dhe Veiseh Nima, një artist i ri amerikan, do t’iu tregojë sikur të ishte dje: do ju thotë çfarë kishte veshur, atë që hëngri për drekë, si ishte moti atë ditë dhe në cilën anë të trenit ishte ulur gjatë rrugës për në punë. Veiseh vuan nga sindroma hipermnezike (nga greqishtja mneme – memorie): kujton me saktësi absolute thuajse çdo ngjarje të vetme në jetën e tij, sikur në vend të trurit të kishte një videokamera gjithmonë të ndezur. Kush preket nga ky sindrom – dhjetëra njerëz në mbarë botën – duket i paaftë për të harruar dhe braktisur kujtimet e jetesës së përditshme, dhe që kanë të bëjnë me aspektet më pak të rëndësishme të jetës.

Njerëz si ne

Kujtesa e Veiseh nuk funksionon ndryshe nga e jona. Nima nuk ka pësuar dëmtime në tru apo ndonjë traumë të veçantë. Gjithashtu aftësia e tij për të mbajtur mend, ashtu si e jona, është e prirur ndonjëherë ndaj kujtimeve të rreme; dhe mund të ndodhë që nëse mund të kujtojë në detaje dhe me minuta ngjarjet e 13 shkurtit 2003, ai të mos mund të përsërisë një emër që kishte dëgjuar pesë minuta më parë. Atëherë çfarë e bën atë të paprekshëm nga harresa?

Zbulimi

Pas vitesh të tëra studimesh, neuropsikologët kanë filluar të kuptojnë diçka. Rasti i parë i konstatuar me sindromin hipermnezik ka qenë ai i Xhill Prajsit, një grua amerikane 49-vjeçare. Në fillim të viteve 2000, Xhill kontaktoi nëpërmjet e-mailit me neurobiologun dhe ekspertin e kujtesës, Xhim Mekgou, duke pretenduar se kujtonte në mënyrë të përkryer çdo gjë që i kishte ndodhur ngha mosha 12-vjeç. Testet që pasuan, konfirmuan deklaratat e saj.

Një kujtesë e jashtëzakonshme

Xhill kishte mbajtur një ditar, në të cilin ajo vinte në dukje çdo detaj të ditëve që kishte kaluar, dhe ai shërbeu për të verifikuar historinë e jetës së saj. Ajo mbante mend çdo ditë që nga Pashkët e vitit 1979 dhe deri në ditët e sotme; e dinte se në mbrëmjen e 19 tetorit 1979 kishte ngrënë një supë; dhe nga ajo distancë e madhe kohore shënoi të gjitha datat e takimeve që kishte pasur me Mekgoun në laborator. Historia e Xhill Prajsit, u botua nga shuma gazeta dhe u bë subjekt i disa dokumentarëve: me kalimin e kohës, një duzinë njerëzish e kontaktuan Mekgoun dhe kolegët e tij, të cilët filluar të kryejnë disa studime shkencore në lidhje me këtë simptomë.

E përqëndruar vetëm tek vetja

Para së gjithash, u vu re se i vetmi lloji i kujtesës që duket e jashtëzakonshme tek këta njerëz, është ai autobiografik. Nëse i nënshtrohen një liste fjalësh, nuk do të kishin një paraqitje më të mirë të kujtesës se sa kushdo tjetër.  Dallimi me “normën”, vjen vetëm disa muaj nga episodi për të kujtuar:nëse zakonisht një ngjarje, merr me kalimin e kohës konture gjithnjë e më të turbullta (për shkak të shtimit të kujtimeve të reja dhe më të fundit) tek njerëzit që vuajnë nga sindromi hipermnezik, përjetimi mbetet i freskët dhe plot detaje.

Asnjë ndryshim anatomik

Pra, sekreti qëndron tek mënyra se si ruhet informacioni në burim. Por testet e imazheve të trurit, të cilave iu nënshtruan këta njerëz, nuk treguan ndonjë veçanti në trurin e tyre. Përjashtim bën një tipar i përsëritur, pra një rrjet më i dendur i lidhjeve të trurit ndërmjet lobeve ballore (përgjegjës për të menduarit në mënyrë analitike) dhe në hipokampus, një strukturë kyçe në kodimin e kujtesës. Megjithatë, ajo mund të jetë një pasojë, dhe jo shkaku i sindromës hipermnezike.

Dy tipare të përbashkëta

Megjithatë Lorenc Patihis (tanimë në Universitetin e Jugut në Misisipi), ka zbuluar një fakt interesant. Duke analizuar 20 njerëz të paaftë për të harruar, ai gjeti rezultate veçanërisht të larta të dy vlerave:predispozitës për të imagjinuar (prirja drejt fantazisë) dhe kapacitetin absorbues apo zhytjes së vëmendshme (thithja). E para është tendenca për të imagjinuar dhe ëndërruar, e dyta është aftësia për t’u zhytur tërësisht në një aktivitet, duke përjetuar në thellësi çdo ndjesi.

Sineztetikë?

Shpesh pacientët hipermnezikë janë shumë më të ndjeshëm ndaj tingujve, aromave dhe detajeve vizive, të dhënat që lidhen me kujtimet duke i bërë ato të pashlyeshme. Aftësia absorbuese hedh themelet e qëndrueshme për kujtime të gjata dhe të detajuara; predispozita për imagjinatën garanton që përvojat të ripërjetohen vazhdimisht, ditë pas dite, muaj pas muaji. Çdo herë kujtimi “ripërjetohet”, bëhet më i fortë.

Ikja e kohës

Sigurisht që jo të gjithë ëndërrojnë me sy hapur nga sindromi hipermnezik. Për Patihis, këta njerëz, gjatë fëmijërisë, kanë përjetuar një përvojë që i ka detyruar ata të mendojnë me këmbëngulje mbi të kaluarën; shumë prej tyre kanë një marrëdhënie pothuajse obsesive me kalendarët, ditarët, copa të prera gazetash, fotografi dhe artikujt të periudhës, të cilat i grumbullojnë dhe i risistemojnë gjatë gjithë kohës (me tipare që të kujtojnë ata që vuajnë nga sjellet osbsesive-konvulsive).

Por a është diçka e mirë?

Njerëzit me sindromën hipermnezike e pranojnë se në disa raste, kjo gjendje u sjell avantazhe. Për shembull Veiseh, ka udhëtuar nëpër botë për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare të taekuondo dhe në kohën e tij të lirë, ka vizituar dhjetëra galeri arti. Tani ai kujton me hollësi të gjitha detajet e veprave të para, dhe kjo e avantazhon në aktivitetin e tij artistik.

Të dënuar të kujtojnë

Ana tjetër e medaljes është më pak e këndshme. Nga kujtesa nuk largohen as ndjesitë e sikletit të lidhura me ndonjë situatë të pakëndshme, apo humbjen e vendit të punës, dhimbjen e të braktisurit nga një partner, hijet e një funerali ose sëmundjen e një të afërmi. Ato rishfaqen vazhdimisht, në formën e paraftyrimeve të dhimbshme. Ndonjëherë, kalimi i kohës dhe aftësia për të harruar është një bekim. / Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button