MAINPersonazhe

Markezi dë Sade: Një monstër i shthurur, apo një gjeni i keqkuptuar?

Nga Alyce Mahon

Donatien Alfons Fransua, Markezi dë Sade, ishte një nga shkrimtarët më të suksesshëm të kohës së tij. E megjithatë ai kaloi pjesën më të madhe të jetës pas hekurave të burgut. Romanet e tij frymëzuan termin “sadist” – ”një person që sjell kënaqësi, veçanërisht kënaqësi seksuale, nga shkaktimi i dhimbjes ose poshtërimit të të tjerëve”.

Gjithsesi në vitin 2017, Franca e shpalli një “thesar kombëtar” veprën e tij. Por a ishte Sade një pornograf apo filozof, dhe përse emri i tij vazhdon të shkaktojë debate kaq të forta? Edhe 2 shekuj pas vdekjes së tij, Sade (1740-1814) mbetet një figurë që shkakton polemika.

Nga njëra anë, emri i tij lidhet me Revolucionin Francez dhe sulmet në fortesën e Bastijës. Nga ana tjetër, ai lidhet me përdhunimet, terrorin seksual dhe torturat. Sa ishte gjallë, Sade u shpall fajtor për sodomizimin, përdhunimin dhe torturimin e lypëses 36-vjeçare Rouz Keler, burgosjen e 6 fëmijëve në kështjellën e tij në Lakost, si dhe helmimin e 5 prostitutave me afrodiziakun e quajtur “Flutura Spanjolle”.

Ai arriti që ta shmangte dënimin me vdekje, por gjithsesi kaloi plot 32 vite në burgje dhe azile për personat me probleme mendore, pjesërisht për shkak të ndërhyrjes së anëtarëve të familjes së tij, që e mbajtën të mbyllur për të shmangur turpin.

I çliruar menjëherë pasi shpërtheu Revolucioni Francez, ai u bë “Qytetari Sade”, duke marrë pjesë në disa nga ngjarjet kryesore politike të asaj epoke, ndërsa veprat e tij u sekuestruan, dogjën dhe ndaluan në epokën e Napoleon Bonapartit.

Veprat e tij mbetën të censuruara gjatë gjithë shekullit XIX-të dhe pjesës më të madhe të shekullit XX-të. Por në vitin 2017, shteti francez shpalli si një “thesar kombëtar” librin e tij të vitit 1785 “Ditët e Sodomës” i shkruar gjatë kohës që ishte burgosur në Bastijë.

Por pse ky ndryshim radikal? Ja çfarë duhet të dinin rreth markezit dë Sade.

  1. Librat më të neveritshëm

“Justini”, ose “Fatkeqësitë e Virtytit” (1791),  “Filozofia në dhomën e gjumit” (1795), “Justini i ri) (një version i zgjeruar i “Justinit” i botuar në vitin 1797), e pasuar nga “Historia e Zhuljetës, motra e saj” (1797) dhe “120 Ditët e Sodomës”, ose “Shkolla e libertinëve” (1785).

Këto janë veprat që e nxitën Napoleon Bonapartin ta quante Sade një autor librash “të neveritshëm”, që kishte një “imagjinatë të shthurur”. Por ato libra janë shkruar pas hekurave të burgut, dhe janë produkte të imagjinatës së një të burgosurit, dhe jo dëshmi të jetës apo krimeve të tij.

Askush nuk i shpëton fuqisë satirike të penës së Sade – të rinjtë dhe të moshuarit, të virtytshmit dhe të korruptuarit, të pasurit dhe të varfrit – megjithëse tregimet e tij dominohen nga lloje të caktuara personazhesh, veçanërisht bankierë, klerikë, gjykatës, aristokratë dhe prostituta.

  1. Filozofi i dhomës së gjumit

Sade jetoi në një kohë terrori. Shkrimet e tij, mund të lexohen si një përmbysje e ditur e idealeve të larta të iluminizmit, ndërsa ato u shkruan në Francën e fund shekullit XVIII-të në hijen e gijotinës së përgjakshme. Për shembull, libri “Filozofia në dhomën e gjumit” a përmban një pamflet politik tallës:

“Edhe një përpjekje tjetër francezë, nëse doni që të bëheni republikan”- u shkrua pak pas rënies së radikalit kryesor Robespierit, dhe ofron një përdorim absurd të retorikës, me premtimet e Revolucionit Francez. Në të, Sade na kujton gjithashtu se “po të ishte ndër synimet e natyrës që njeriu të lindte modest, kjo e fundit nuk do të kishte bërë që njeriu të lindte lakuriq”.

  1. Sade dhe sadizëm

Prirjet e dë Sade ndaj sodomisë, pedofilisë dhe kamxhikimit, përveç tregimeve të tij imagjinare mbi orgjitë e tepruara, të cilat përshkruajnë në detaje dhunën seksuale dhe vrasjet, bëri që shumë njerëz të supozojnë se ai ishte i çmendur.

Kjo u nxit edhe nga fakti që ai dha fund jetës në azilin e Sharentonit, edhe pse një ekzaminim shkencor i kafkës së tij nga një mjek me emrin dr.Ramon pas vdekjes së tij, nuk tregoi asnjë anomali fizike apo mendore. Analiza përcaktoi se kafka “ishte në të gjitha aspektet e ngjashme me atë të një drejtuesi të Kishës”.

Mbi eshtrat e tij, një pjesë e të cilave ndodhen sot në Muzeun e Njeriut në Paris, u bënë mallkime të ndryshme. Gjithsesi në shkrimet e Sade, klerikët bartin veset tipike amorale, dhe në shekullin XIX-të, termi “sadizëm” u shpik nga psikoanalistët për të treguar përvojën e kënaqësisë përmes shkaktimit të dhimbjes fizike.

  1. Pornografia në shërbim të grave

Filozofia feministe Simon dë Bovua e mbrojti Sade në një ese të vitit 1951 me titull “A mos duhet ta djegim dë Sade?”. Ajo argumentoi se ideja në romanet e tij se “në një shoqëri kriminale, njeriu duhet të jetë kriminel”, ishte më aktuale se kurrë, dhe se historia e jetës së tij dhe perversitetet e tij ishin një simptomë e përpjekjeve në rritje të shoqërisë për ta kontrolluar atë.

Në vitet 1970-1980, feministët u përfshinë në një debat të ashpër mbi Sade dhe vlerën e tij filozofike. Angela Karter e mbrojti atë për vënien e pornografisë “në shërbim të grave” ndërsa Andrea Duorkin këmbënguli se trillimet e markezit mbronin vetëm dëshirën seksuale mashkullore për të “poseduar” gratë.

  1. “Markezi hyjnor”

Në shekullin XX-të, Sade cilësohej si “hyjnor” nga shumë intelektualë dhe artistë, që i interpretuan shkrimet e tij si një pasqyrë e errët të sjelljs çnjerëzore të njeriut ndaj njeriut. Nga portretet imagjinare të Sade në fund të viteve 1930, duke e portretizuar atë si një simbol të lirisë pranë Bastiljes që po digjej, ndërsa lufta po shfaqej në Evropë, tek filmi “Saló” i Pier Paolo Pasolinit (1975) , i rikthen “120 ditët Sodomët” në Italinë fashiste.

Emri dhe shkrimet e Sade u dhanë artistëve dhe shkrimtarëve modernë një mjet për të adresuar tmerret e luftës dhe regjimet totalitare. Këto janë tema, që artisti amerikan Pol Çan i eksploron në instilacionet e tij “Sade for Sade’s Sake” (2009), duke e bashkuar Sade dhe “Lufta kundër terrorizmit’. Shkrimet e Sade mund të duken të ftohta dhe mizore, por ato mund të lënë gjurmë tek lexuesi. Me siguri që kjo është fuqia e artit, dhe arsyeja pse duhet të vazhdojmë që ta lexojmë Sade-në.

Shënim: Alyce Mahon, është lektore e historisë së artit modern dhe bashkëkohor në Universitetin e Kembrixhit, Angli. / “The Conversation” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button