Magazine

Më në fund, mund të pushojmë së qëni të lumtur me çdo kusht

Një shpjegim i besueshëm për këtë zbulim të ri, që ndahet nga shumë kërkues, është se amerikanët janë më të shëndetshëm, sepse optimizmi në Shtetet e Bashkuara konsiderohet një vlerë kulturore. Të gjithë duhet të jenë të lumtur, dhe ata duhet të tregojnë se janë. Ndërsa në kulturat aziatike, për të përdorur fjalët e studiuesit Jiah Yoo, “shumë mendojnë se emocionet pozitive kanë një anë të errët, ato janë kalimtare dhe mund të tërheqin vëmendjen e të tjerëve,në mënyrë të panevojshme”

Nga Oliver Burkeman

Për kritikët e të menduarit pozitiv si unë, është e vështirë për të pranuar idenë se një pikëpamje optimiste mbi botën, të bën të jetosh më mirë.

Shkencëtarët, me fiksimin e tyre të bezdisshëm për faktet, kanë botuar studime mbi studime, në të cilat argumentojnë se një sjellje pozitive na mbron nga kanceri, sëmundjet e zemrës dhe iktuset. Nga analiza e të dhënave të grumbulluara mbi një mostër të madhe grash në SHBA, në gjashtë vjet, doli se ato që ishin më optimiste kishin 29 përqind më pak mundësi për të vdekur; nga një tjetër analizë, e cila përfshinte edhe burra, doli se njerëzit që kishin një pikëpamje pozitive për plakjen, jetonin më gjatë.

Por më në fund, edhe ne pesimistët kemi një armë për të kundërsulmuar: një studim të ri të botuar në revistën Psychological Science, dhe cituar nga blogu Research Digest, që krahason nivelet e optimizmit, kolesterolit dhe peshës trupore të amerikanëve dhe japonezëve. Duket se amerikanët kanë më pak të ngjarë të kenë kolesterol të lartë dhe të jenë mbipeshë nëse janë të gëzuar, ndërkohë që midis japonezëve ky korrelacion nuk është gjetur. Cilado qoftë arsyeja për jetëgjatësinë më të madhe të japonezëve – i gjithë peshku që hanë apo një traditë e fortë familjare për të ndihmuar të moshuarit – e sigurtë është, që nuk është hareja.

vëmendje e pakërkuar

Atëherë, cila është? Në këtë lloj studimi është shumë e vështirë të përcaktohet se cilat janë shkaqet dhe pasojat (mund të jetë që të qënit të shëndetshëm na bën optimistë, dhe jo e anasjellta). Por një shpjegim i besueshëm për këtë zbulim të ri, që ndahet nga shumë kërkues, është se amerikanët janë më të shëndetshëm, sepse optimizmi në Shtetet e Bashkuara konsiderohet një vlerë kulturore. Të gjithë duhet të jenë të lumtur, dhe ata duhet të tregojnë se janë. Ndërsa në kulturat aziatike, për të përdorur fjalët e studiuesit Jiah Yoo, “shumë mendojnë se emocionet pozitive kanë një anë të errët, ato janë kalimtare dhe mund të tërheqin vëmendjen e të tjerëve,në mënyrë të panevojshme”.

Me fjalë të tjera, ndoshta nuk është optimizmi në vetvete, por fakti që janë në harmoni me kulturën mbizotëruese, që i bën më të shëndetshëm, optimistët amerikanë. Nëse nuk do të ishte presion kulturor për të qenë të lumtur, ndoshta pesimistët do të kishin një nivel më të ulët kolesteroli.

Kjo gjithashtu do të shpjegojë zbulimin e bërë në vitin 2015, se lumturia nuk i bën më jetëgjata, gratë britanike. Ju mund të thoni çfarë të doni për kulturën britanike, por këmbëngulja për të arritur lumturinë me çdo kusht, nuk është një nga gabimet e saj.

Megjithatë, duhet të jem i sinqertë, asgjë nga këto nuk vërteton tezën time, domethënë se pesimizmi ka anët e veta pozitive. Ajo që deduktohet megjithatë, për zhgënjimin tim të madh, është se kemi më shumë gjasa të jemi të shëndetshëm dhe të lumtur, në qoftë se ndajmë qëndrimin dhe kulturën e njerëzve përreth nesh.

Sigurisht që nuk është rastësi, që popullatat që thuhet se janë më të kënaqura – si danezët që shpikën fjalën hygge (për të treguar një atmosferë shoqërore e cila krijon një ndjenjë rehatie, sigurie, ngrohtësie dhe familjariteti) dhe japonezët – priren të jenë ato më homogjene, dhe jo të larmishme. Ndoshta, pra, ajo që ka rëndësi nuk është qëndrimi i tyre ndaj jetës, por fakti që të gjithë ata që takojnë, e ndajnë atë qëndrim?

Sigurisht që nuk është receta e duhur për t’i bërë shoqëritë shumëetnike më të shëndetshme dhe më të lumtura. Për të arritur këtë, ne duhet të ndalojmë së menduari se një mentalitet, apo një tjetër, është më i miri i mundshëm. Ndoshta optimizmi, pesimizmi, mbyllja në vetvete, të qënit të hapur, janë të gjitha gjërat që mund të funksionojnë, thjesht mos ngulni këmbë që qëndrimi i duhur është një i vetëm. / The Guardian – Bota.al

* Në respekt të punës së personave që kanë punuar për ta sjellë në shqip këtë material, Bota.al lutet që të mos KOPJOHET

Leave a Reply

Back to top button