Nga Alfred Peza
I pyetur gjatë një interviste në Radio “Tirana”, se cila ishte ëndrra ime më e madhe si reporter terreni, iu përgjigja aty për aty pa u menduar gjatë, me naivitetin e fillestarit: Të arrija që të siguroja komunikatat Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth ngjarjeve të përditshme kriminale, që ndodhnin atë kohë në Shqipëri. Ishte viti 1995 dhe asokohe, mbuloja lajmet e kronikave të drejtësisë në gazetën “Koha Jonë”, e përditshmja më e madhe kombëtare e asaj periudhe.
Redaksia për shkak të linjës editoriale opozitare, ishte në luftë me pushtetin e Sali Berishës dhe kur buletini 24 orësh i ngjarjeve policore që ndodhnin në territorin e Republikës së Shqipërisë, konsiderohej ende për inerci të mentalitetit të kohës së diktaturës komuniste; “sekret shtetëror”. E për rrjedhojë, institucionet e reja të shtetit dhe qeverisë nuk kishin as zyra shtypi, as zëdhënësa, as komunikime me mediat dhe as transparencë në interes të së mirës publike. Ishin vitet e foshnjërisë së demokracisë dhe të mediave të reja private, që nuk bënin më propogandë si dikur, por që rrekeshin të informonin publikun në mënyrë sa më profesionale, përmes të paktën dy burimesh informacioni.
Pas trazirave antifajde të pranverës 1997 dhe rrotacionit të pushtetit, shumë gjëra nisën të futen nëpër lëndinat e normalitetit, e bashkë me to edhe media. Pas vitit 2001 nga pozitat e Kryeredaktorit të gazetës “Korrieri”, po qeshnim një ditë me lot në zyrën e Blendi Fevziut që ishte drejtori i saj, kur po i tregoja sesi një reporteri ynë që mbulonte lajmet e kronikave policore “po i hakërrehej” zëdhënësit të ministrisë së Brendshme, se përse nuk ai nuk ia kishte dërguar në kohë, komunikatën e përditshme. E ai nga ana e tij, një ish kolegu ynë gazetar, na merte në telefon për të na sqaruar me detaje e politesë, se përse i kishte ndodhur kjo vonesë!
Ndërsa sot, askush nga redaksitë sado të vogla apo të mëdha, tradicionale apo të mediave të reja online qofshin, mediave lokale, rajonale apo kombëtare në janë,- as që duan tia dijnë nëse ekziston apo jo një njoftim apo një komunikatë e tillë. Sepse nga ajo periudha kur nuk kishim as makina, as celularë, as kompjutera e as internet nëpër redaksitë tona kanë kaluar shumë kohë. Kanë rrjedhur aq shumë ujëra, sa lajmi më parë kalon nëpër rrjetet sociale, përpara se të mbërrijë nëpër zyrat e shtypit të dikastereve vetë. Jo vetëm në polici dhe Ministrinë e Brendshme, por edhe në çdo sektor e hapësirë tjetër, të jetës politiko-shoqërore të vendit.
Periudha idilike e raporteve si në tekstet e teorisë së gazetarisë, mes redaksive dhe zyrave të shtypit, gjithësesi do të kalonin shumë shpejt në Shqipëri. Ishte ajo periudha e artë ndërmjet viteve 2000-2010 kur me krijimin dhe konsolidimin edhe të radiove e televizioneve të reja private, pushteti i katërt u rrit, u poq e u konsolidua disi, për të qenë gjithnjë e më pranë profesionalizmit në përmbushje gjithnjë e më mirë të misionit publik. Ndaj shpeshherë, media shihej nga opinioni publik jo vetëm si pushtet i katërt, por ndonjëherë edhe si i parë. Si pushtet i dytë, apo si pushtet i tretë. E në disa raste, peshonte për nga profesionalizmi, konkurenca, ndikimi dhe besueshmëria, edhe sa të gjitha pushtet e tjera të mara sëbashku.
Pas vitit 2013, përhapja e internetit në çdo skaj të vendit dhe dinamika e re politike që e vendosi fokusin më së shumti drejt reformimit tërësor të sistemit të vjetër e të kalbur të drejtësisë, diktoi jo pak edhe dinamikën e evoluimit të pushtetit të medias shqiptare. Ndryshe nga më parë, detajet e disa dosjeve që sillnin implikime të luftës politike, përpara se të shqyrtoheshin nëpër zyrat e specializuara të pushtetit të drejtësisë, nisën të analizoheshin nëpër studiot e debateve televizive. Provat përpara se të verifikoheshin, check-oheshin, vërtetoheshin apo të hidheshin poshtë nga organet e specializuara, nisën që të publikoheshin në media. Nga gazetarë. Reporterë. Redaksi. Analistë. Opinionistë dhe nga kushdo tjetër, veçse jo nga policët. Oficerët e policisë gjyqësore. Hetuesit. Prokurorët. Ndihmës gjyqtarët. Gjyqtarët. Kolegjet penale apo civile të të gjitha shkallëve të gjyqësorit të sistemit.
Media shqipare përmes kësaj tendence, nuk tregonte se po bëhej më profesionale, siç do të ishte e udhës të ndodhte. Por më klienteliste. Nuk tregonte se po i paraprinte drejtësisë dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, për ti detyruar përmes presionit pozitiv profesional e publik, që ta bënin sa më mirë detyrën e tyre. Por ajo po dëshmonte çdo ditë e më tepër, se ishte bërë në mos ortake, pjesë e lojërave të brendshme të pushteteve të tjera. Duke e humbur në disa raste, jo vetëm integritetin dhe besueshmërinë publike, por edhe rolin e misionin e saj. Për t’u bërë kësisoj, vazhdim jo vetëm i politikës, por edhe i segmenteve të caktuara të grupeve të tjera të interesit, me mjete mediatike.
Media shqiptare dukej sikur e kishte humbur në një masë jo të vogël, funksionin e një biznesi atraktiv apo të një industrie të argëtimit, edukimit dhe informimit profesional të opinionit publik. Tregues ky se torta modeste e reklamave që arrin të prodhojë tregu i brendshëm dhe kërkesë-oferta e konsumatorëve të produkteve mediatike, nuk po i ngopte dot më, orekset gjithmonë e në rritje të botuesve në një treg me zgjerim të pandalshëm nga ana sasiore. Nëse dikur Ballkani prodhonte më shumë histori sesa kishte “stomak” të konsumonte, sot Shqipëria duket sikur ka më shumë media sesa ngjarje për të përcjellë. Por për aq kohë sa, askush nuk ndalon dot askënd që të provojë të jetë pjesë e këtij tregu, problemi nuk qëndron këtu. Përkundrazi.
Për shkak të përhapjes masive dhe ndikimit të pakufizuar të rrjeteve sociale në jetën e qytetarëve, raportet e komunikimit mes liderëve dhe partive politike me ta, kanë ndryshuar katërcipërisht. Nga vertikal që ka qenë dikur arkitektura e këtij raporti, sot ai është bërë horizontal. Qytetarët ndryshe nga dikur që ishin të diktuar dhe të ndikuar nga ajo çfarë i ofronin vetëm mediat profesionale nga lart, sot janë në gjendje që të kenë vetë “media”. Duke patur mundësi që të komunikojnë drejtpërsëdrejti me politikanët, pa nevojën e ndërmjetësimit të gazetarëve apo analistëve. Kjo ka bërë që edhe liderët ti drejtohen më shumë rrjeteve sociale për të përcjellë mesazhin e tyre për njerëzit, duke u çliruar nga nevoja jetike, për ndërmjetësim nga mediat tradicionale.
Qytetarët po përfitojnë nga mrekullia e lirisë për të patur hapësira komunikimi më gjithkënd në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes rrjeteve sociale, blogjeve apo websiteve, përmes emetimit të produkteve të tyre mediatike. Duke postuar lajme, njoftime, komente, debate, replika, foto, meme, video. E deri tek transmetimet dhe komunikimet e tyre live, në rrjetin e gjerë global, me gjithkënd e për gjithçka. Shumë individë për shkak të popullaritetit të fituar në mediumet e reja, kanë shpeshherë më tepër popullaritet e audiencë, sesa shumë media me redaksi profesionale. Çka e bën politikën që të ridimensionojë raportet me aktorët e faktorët e jetës shoqërore, sipas relevancave të reja, të krijuara nga revolucioni në fushën e komunikimeve publike.
Liderët në mazhorancë për shkak të aktivitetit konkret në pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ, duken paksa më të favorizuar në këtë komunikim, për shkak të interesit qytetar me pushtetin. Ndërsa liderëve në opozitë, u doli si nevojë imediate, mos ndërprerja e komunikimit me to. Duke dashur ta zëvendësonin kësisoj në një kohë sa më të shkurtër, komunikimin e dikurshëm tradicional, me komunikimin e ri përmes hapësirave virtuale e mediatike. Për shkak se mediat profesionale kanë më shumë instrumenta dhe burime njerëzore për ta bërë këtë, rruga më e shkurtër për politikën e opozitës, ishte bërja e tyre palë. Ishte koha kur disa liderë të fuqishëm politik, nisën që ta lidhnin një pjesë të medias apo aktorë me ndikim të saj tek publiku, me vargonjtë e praruar të interesave. Duke krijuar, një binom të pazgjidhshëm e të pangjashëm, me asgjë tjetër më parë!
Kjo bëri që mediat dhe gazetarët që u futën në çadrën e politikës, ta humbisnin shpejt rolin e dikurshëm të hallkës lidhëse mes pushteteve dhe interest të opinionit publik. Duke u shndërruar në palë, e në disa raste të tjera nga gardianë të së vërtetës, në gjuetarë të nevojave të liderëve politikë. Duke zgjedhur që të bëhen, nga pushtet më vete, në zgjatim i politikës me mjete mediatike. Për shkak të daljes së opozitës në rrugë pas djegies së mandateve të deputetëve, betejat politike nga institucionet, u zhvendosën në media. Duke u shndërruar në një luftë mediatike jo për të vërtetën. Për lajmin. Argumentat. Mendimet. Opinionet. Analizat e gjykimet. Por në gjueti për të vrarë kundërshtarin politik. Për ta dërrmuar. Për ta diskretituar. Për ta goditur me çtë mundeshin poshtë brezit, si prova përpara liderëve se misioni i tyre politik, po përmbushej përmes mediave dhe atyre vetë.
Jo vetëm akuzat mediatike por edhe ato që i takonin shtetit të së drejtës, u shndërruan në “armët” për të asgjesuar kundërshtarin, me çdo çmim. Për ta delegjitimuar atë. Për të detyruar që të dorëzohej. Të ulej për ti dhënë një kompromis. Një pazar politik. E më pas për t’i dhuruar, mundësisht pse jo, pushtetin në tavolinë. Ndaj në këto dy vitet e fundit, akuzat për politikanët, liderët politikë, ministrat dhe çështjet e hetimeve për krimet e mundshme elektorale të dosjeve 184 e 339, etj. përpara se t’i nënshtroheshin hetimeve dhe proceseve gjyqësore të drejta, të paanshme, të padiktuara e të pandikuara nga palët në konflikt interesi, nisën që të gjykoheshin në rrjetet sociale. Në mediat online. Portale. Blogje. Gazeta. Televizione. Banaqe dhe studio mediatike.
Palët e akuzuara, u privuan nga parimi universal i prezumimit të pafajësisë dhe nga e drejta për tu mbrojtur me avokat. Nga e drejta për tiu nënshtruar një gjykimi profesional në të gjitha etapat e sistemit e në të gjitha shkallët e gjyqësorit siç e përcakton ligji, kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Në vend të tyre, për nevojat e propogandës, politikës së ditës, luftës për pushtet dhe humoreve personale të liderëve politikë, filloi epoka e terrorit mediatik. Viktimat nisën ti nënshtroheshin gjyqeve publike që inicioheshin si scoop-e për ca klikime më tepër. Për të provokuar hapjen e debate “morale”. E për të vijuar më pas si gjyqe publike të militantëve, si të ishin procese inkuzicioni në epokën e hi tech-ut. Derisa preja e radhës, i partive dhe udhëheqësit të rëndësishëm politik, të përfundonte në gijotinat online.
Ishte periudha kur u debatua, votua dhe nisi puna për reformimin tërësor të sistemit të drejtësisë. E vjetra nisi të shpërbëhet përmes procesit të vettingut, shkatërrimit të hallkave të kolonës më të kalbur të shtetit dhe ndërtimit nga e para të një sistemi të ri, me mbështetjen e pakursyer të SHBA dhe BE. Elita e vjetër politike që e kishte kapur, përdorur dhe komanduar në lojën e shkëmbimit të përjetshëm të favoreve mes tyre, duke instaluar kulturën e pandëshkueshmërisë, kuptoi se po e humbiste parajsën që i kishte bërë të ndiheshin të paprekshëm. Humbën qetësinë e deriatëhershme për krimet e supozuara të pushtetit, duke u shqetësuar edhe për bashkëpunëtorët e tyre, të botës së paligjshmërisë. Kuptuan, se ora e llogaridhënies para drejtësisë, po trokiste.
Kupola e sistemit të vjetër të drejtësisë dhe pjesa e politikës, që e përdorte atë për imunitetin e vet dhe për të luftuar përmes saj armiqtë e radhës, ishte vënë përpara faktit të kryer. Shpërbërja e saj përmes proceseve të vettingut dhe krijimit të institucioneve të reja të drejtësisë, i nxiti të behëshin pale, me mediat që i shërbenin politikës pranë tyre. Për vetmbrojtje nisën keqpërdorimin e saj për ti bërë presion përmes procesit të diskretimit, asaj pjese tjetër të politikës dhe shoqërisë, që mbështesnin reformën në drejtësi. Përmes metodës më të vjetër se edhe vetë shoqëria njerëzore: linçimit publik. Duke ushqyer ndjesitë dhe emocionet negative të turmave me fake news-e, sajesave, intrigave, shpifjeve e manipulimeve, në mënyrë që sa më shumë qytetarë të mernin pjesë pa u kursyer në “ekzekutimin” publik me gurë e baltë të kundërshtarit, përmes hapësirave të reja virtuale.
Ishte hera e parë në historinë 30 vjeçare të postkomunizmit, që nuk arrije të dalloje dot kufirin mes pushtetit politik, drejtësisë së vjetër dhe mediave pranë tyre. Për shkak të unifikimit të tyre deri në kaçifikim, kundër reformës më të thellë të shtetformimit modern të Shqipërisë, si një nga kushtet për avancimin e mëtejshëm në proceset e integrimit europian të vendit. Shenje e qartë se kur e vjetra shembet, bashkë me gërmadhat e saj, dalin në dritë të diellit edhe të fshehtat e errëta të jetës shoqërore të vendit që ishin strukur brenda tyre.
Ky shembull nuk tregon aspak se gazetaria shqiptare është sot më e keqe se simotrat e saj në vendet e tjera. Përkundrazi. Ky është treguesi sesi bashkë me proceset integruese dhe globalizuese të një mënyre të re jetese ku virtualiteti është bërë realitet, as Shqipëria nuk është imune ndaj fenomeneve e dukurive shqetësuese të shoqërive të hapura. Çështja është se në vendet me tradita të pakta demokratike si yni, me ekonomi të brishta që prodhojnë torta të vogla reklamash, produkte të pakta mediatike e me nivele jetese modeste, në luftën e egër për mbijetesë media duket sikur është më e prirur që të përqafojë më shpejt tendencat negative, sesa modelet e profesionalizmit. Shembujt e korruptimit, përpara atyre që frymëzojnë dhe sjellin standarde të reja për shoqërinë.
Kurrë më parë media shqiptare nuk i ka patur në historinë e saj, mundësitë dhe hapësirat që ka sot, për të qenë jo vetëm profesionale por edhe në lartësinë e sfidave kombëtare. Jo vetëm për nga sasia, shumëllojshmëria, hapësirat e lirisë, numri i redaksive, mjeteve, instrumentave teknologjik në dispozicion apo modeleve e shkollave më të mira që mund të përqafojë. Por, edhe për nga cilësia dhe sasia e burimeve njerëzore, potencialet financiare, tradita, përvoja, historia dhe pjekuria e arritur pas 30 viteve të një historie të jashtëzakonshme pas rrëzimit të Murit të Berlinit. Janë të largëta ato kohë kur një reporter i ri terreni, të mund të ëndërrojë sërisht, që të ketë në dorë njoftimin për shtyp të një ministrie. Por ndjen dhimbje kur sheh, se ndryshe nga atëherë, sa rrallë e më rrallë kanë filluar që të raportojnë bazuar mbi të paktën dy burime të pavarura informacioni.
Pandemia globale po tregon se sot jemi në kufijtë e një caku të ri, që parasheh zhvillime të reja, në një botë që po ndryshon shpejt. Media shqiptare, shpeshherë i ka paraprirë sfidave që ka kaluar vendi, në përmbushje të misionit të saj publik. Edhe ajo pjesë që e ka humbur, me siguri do të dijë që ta rigjejë udhën e vet, për tu bërë në mos avanguarda pjesë natyrore e një Shqipërie europiane! / bota.al