Shkence

Mendje të pabesueshme

Kush janë dhe përse janë bërë të famshëm matematicienë, muzikantë dhe skulptorë të jashtëzakonshëm… që megjithatë nuk kanë një jetë normale. Sepse ka persona me aftësi të jashtëzakonshme, kujtesë të pabesueshme, aftësi matematikore dhe artistike të paimagjinueshme për njerëzit e zakonshëm. Origjina e këtyre aftësive është një prej mistereve të shumtë që rezervon ende truri i njeriut

Ka persona me aftësi të jashtëzakonshme, kujtesë të pabesueshme, aftësi matematikore dhe artistike të paimagjinueshme për njerëzit e zakonshëm. Origjina e këtyre aftësive është një prej mistereve të shumtë që rezervon ende truri i njeriut.
“Shumë prej këtyre personave me aftësi të veçanta vuajnë nga autizmi apo një gjendje e caktuar e sindromës savant”, shpjegon Carlo Alberto Marzi, i departamentit të shkencave neurologjike, neuropsikologjike, morfologjike dhe motore të Universitetit të Veronës. “Por nuk është kështu për të gjithë. Jill Price, për shembull, ka një kujtesë autobiografike të pabesueshme, por nuk shfaq asnjë shenjë autizmi dhe ka një jetë normale. I tiji është ndoshta rasti më misterioz”. Sindroma savant është një gjendje shumë e rrallë në të cilën persona me crregullime të rëndë mendorë kanë aftësi të jashtëzakonshme në disa fusha, që krijojnë një kontrast të fortë me paaftësinë e tyre për të kryer veprime që për të tjerët janë normalë. Lidhet shpesh me autizmin, por jo të gjithë ata që kanë sindromën savant janë edhe autistë: ndonjëherë vuajnë nga shqetësime të tjerë apo dëme të sistemit nervor. “Nuk dihen shumë gjëra për këtë sindromë”, vazhdon Marzi. “Ekziston hipoteza që, nëse ka probleme diçka në mekanizmat vetërregullues të trurit, mund të manifestohen fenomene të veçantë. Në mungesë të të dhënave të sakta shkencore, krijohet përshtypja që prania e një anomalie të rëndë arrin që, në disa raste, “të çlirojë” funksione që më parë janë mbajtur nën kontroll”.
E pamundur të harrosh
Në çfarë date binte dita e Pashkës në 1982? Çfarë keni bërë në 4 prill të 5 viteve më parë? Si ishte koha atë ditë? A do të dinit t’u përgjigjeshit këtyre pyetjeve pa u konsultuar me kalendarin apo ditarin?
Ka nga ata që munden: Jill Price, një grua amerikane 45-vjeçare është në gjendje të kujtojë praktikisht gjithçka që i ka ndodhur që kur ishte e vogël, deri në detajet më të vegjël. Historia e saj u bë publike në vitin 2006, me botimin e një artikulli në një revistë neuroshkencash që përshkruante aftësitë e saj të jashtëzakonshme. Jill, në vitin 2000 kishte shkuar të takonte neurobiologun James McGaugh në përpjekjen për të kuptuar arsyet e kujtesës së saj të hekurt. Pasi kaloi momentin e parë të skepticizmit, McGaugh dhe grupi i tij u përkushtuan në pesë vitet e ardhshëm duke e nënshtruar Jill para testeve dhe ekzaminimeve, duke verifikuar aftësinë e jashtëzakonshme, dhe në fund e pagëzuan me një term të caktuar gjendjen e saj: sindromë hipertimestike (nga greqishtja timesis, që do të thotë kujtesë).
Personat që kanë këtë gjendje kanë një kujtesë të jashtëzakonshme autobiografike, por nuk është e thënë që janë në gjendje të memorizojnë “me komandë” numra dhe lista. Siç ka shpjeguar edhe vetë Jill, lidhjet mes fakteve personalë dhe të dhënave ndodhin në mënyrë automatike në mendjen e saj, me një fluks të vazhdueshëm që e bën në çdo moment të mendojë të kaluarën ndërkohë që jeton të tashmen. Rasti i Jill Price i ka hapur rrugë kërkimeve mbi këtë sindromë, me të cilën deri tani janë verifikuar shumë pak raste në botë, por nuk ka ende përgjigje për origjinën e saj. Ekzaminimet e kryer me rezonancë manjetike  kanë demonstruar që truri i Jill nuk është i ndryshëm nga ai i kujtdo në hapësirën që rregullon kujtesën afatgjatë, ndërkohë që është më i zhvilluar se mesatarja në një zonë të lidhur me shqetësimin obsesiv kompulsiv (ku mendimet obsesivë lidhen me veprime precizë dhe gjithnjë të njëjtë). Jill shfaq në fakt disa simptoma të tilla.


Një jetë për film, mes Nobelit dhe sëmundjes
Një gjeni i matematikës, në gjendje të gjurmonte që në moshën 22-vjecare bazat e një teorie që i vlejti Çmimin Nobel për ekonominë në 1994, 44 vjet më vonë. John Nash, që sot është 83 vjeç, është një figurë e rëndësishme në brendësi të komunitetit shkencor: puna e tij (kryesisht në fushën e teorisë së lojës, por jo vetëm) ka patur pasoja të rëndësishme në shumë drejtime, që nga ekonomia tek biologjia e evolucionit, nga informatika tek inteligjenca artificiale.
Nash është sigurisht shumë më i famshëm se sa shumica e kolegëve të tij: një famë që vjen më shumë për shkak të historisë së tij personale se sa asaj profesionale, e lidhur dhe me filmin e Ron Howard “A beautiful mind”. Nash, gjatë 25 viteve të jetës së tij ka vuajtur nga skizofrenia paranojake, një sëmundje psikiatrike e karakterizuar nga delire persekutimi apo madhështie dhe nga haluçinacione, simptomat e para të të cilës u shfaqën në moshën 34-vjeçare dhe që e kanë bërë të izolohet gjithnjë e më shumë nga bota e jashtme. Gjatë periudhës së sëmundjes, siç tregon vetë Nash, vuante nga kriza akute, gjatë të cilave kishte haluçinacione, domethënë dëgjonte zëra, ndihej i persekutuar dhe shihte komplote ngado, gjendej duke menduar gjëra krejt të pavërteta, për të cilat bindej. Por në periudhat kur nuk shfaqeshin krizat, mendja e tij rikthehej të merrej me matematikë dhe Nash arrinte të çonte përpara kërkimet e tij, ndonëse me rezultate më pak brilantë. Më pas, pak nga pak, pas një periudhe të gjatë qetësie, ilaçesh dhe terapie psikologjike, në fillimin e viteve nëntëdhjetë erdhi shërimi dhe bashkë me të rifillimi i veprimtarisë shkencore, me shumë rezultate mes të cilëve marrja e Çmimit Nobel. John nash punon ende në Universitetin e Princeton në SHBA.
Njeriu i shiut. I vërteti…
Ai mes Barry Morrow dhe Laurence Kim Peek mund të konsiderohet pa dyshim një takim fitues. I pari është skenarist i Hollywood që në vitin 1984 ka takuar për herë të parë një personazh që e ka befasuar aq shumë sa e ka frymëzuar për skenarin e një filmi që, kur doli në vitin 1988 mori 4 çmime Oscar dhe rezultoi një sukses i madh për publikun dhe kritikën. Filmi është “Njeriu i Shiut” dhe Laurence Kim Peek është personi që ka frymëzar personazhin e Raymond Rabbit, interpretuar nga Dustin Hoffman, një autist me një kujtesë vizive të jashtëzakonshme si dhe aftësi të paimagjinueshme në llogaritje.
Ndryshe nga alter egoja e tij në ekranin e madh, Peek nuk ishte një autist por ishte i prekur nga sindroma savant dhe kishte lindur me një seri anomalish në tru që kufizonin aftësitë motore dhe të koordinimit. Peek kish nisur të ecte vetëm kur ishte 4 vjeç dhe kish vështirësi në kryerjen e pjesës më të madhe të aktiviteteve të përditshëm, si të mbërthente këmishën, të rruhej apo të lante dhëmbët pa ndihmë. Ndërkohë, dinte të lexonte që pa mbushur 2 vjeç dhe kishte një kujtesë të përsosur: mbante mend përmendësh pothuajse 12 mijë libra dhe arrinte të përfundonte një libër për një orë, duke lexuar dy faqe njëherësh, secilën me nga një sy. Ndryshe nga savant-ë të tjerë, që arrijnë të kujtojnë informacione vetëm në disa drejtime specifikë, Peek i demonstronte aftësitë e tij të kujtesës në një hapësirë të gjerë fushash, mes të cilave historia amerikane, gjeografia, sporti, kinemaja, veprat e Shekspirit, datat, muzika. Një tjetër veçanti e Peek është që, me kalimin e kohës, aftësitë e tij të socializimit ishin përmirësuar, ndoshta për shkak të vëmendjes së madhe kushtuar tij pas daljes së filmit.
Një jetë mes notash
Tony DeBlois është një muzikan jo i zakonshëm. Ka nisur të luajë muzikë kur ishte vetëm 2 vjeç, në garazhdin e shtëpisë, me një organo të vogël. Sot, në moshën 37 vjeç, është në gjendje të luajë në nivele të ndryshëm 22 instrumenta, që nga piano tek violina, nga fizarmonika tek saksofoni, nga flauti indian tek kitara. Një aftësi mbresëlënëse, sidomos kur mendon që DeBlois është i verbër që në lindje dhe që në moshën 5 vjeç u diagnostikua me autizëm. Në vijim, kur ishte 15 vjeç, u njoh si savant i lindur. Pavarësisht verbërisë dhe shqetësimeve të tjerë prej të cilëve vuan, të cilët i kufizojnë aftësitë sa i përket kryerjes së veprimtarive të përditshme, është diplomuar me nota maksimale në një shkollë prestigjoze muzike në Boston.
Luan kryesisht jazz dhe është veçanërisht i zoti në improvizim: veç kësaj, ka një kujtesë të jashtëzakonshme për muzikën dhe luan përmendësh 8000 këngë. Eshtë një muzikant i suksesshëm, i njohur edhe jashtë SHBA. /Focus – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button