Ekonomi

Merkel: “Harrojini” lëshimet për kufizimet buxhetore

merkelNga Frederik Lëmetre

Angela Merkel nuk heq dorë në asgjë, përkundrazi. Me rastin e diskutimit në Bundestag të buxhetit për vitin 2015, kancelarja mbajti më 10 shtator një fjalim të vërtetë politik të përgjithshëm, që len pak dyshime mbi vendimin e saj përballë evropianëve, të cilët dëshirojnë të rifillojnë debatin mbi rritjen ekonomike, sidomos francezët.

Ndërkohë që kritikat rriten jashtë Gjermanisë kundra kufizimit buxhetor, Angela Merkel u shpreh “krenare” për buxhetin e vitit 2015 i cili, për herë të parë qysh nga viti 1969, do të jetë i balancuar. Për kancelaren Merkel, Gjermania është një shembull që duhet ndjekur. “Respektimi i angazhimeve tona në Evropë, sidomos në zonën euro, duhet të bëhet markë fabrike e zonës euro”, ka thënë ajo. Duke folur në më pak se dy orë pas njoftimit të bërë nga Michel Sapin, ministër i ekonomisë i Francës, se vendi i tij nuk do të respektonte angazhimet e saj dhe në momentin kur Pierre Moscovici ishte emruar komisioner për çështjet ekonomike dhe monetare, kjo ortodoksi premton një kalim të bukur armësh midis Parisit dhe Berlinit.

Duket qartë se nuk është në qëllimet e Merkel të hapë përsëri debatin për konsolidimin buxhetor. “Ne duhet të marrim shumë seriozisht paralajmërimet e Komisionit Evropian, i cili konsideron tërheqjen nga reformat si rreziku kryesor për vazhdimin e ringritjes ekonomike”, ka deklaruar kancelarja gjermane.

Ajo ka justifikuar politikën e saj me kthesën demografike që duhet të përballojë Gjermania. Megjithatë ajo ka bërë kujdes të kujtojë se qeveria ka ndërmend të rrisë investimet e saj në fushat e teknologjive të reja, kërkimin shkencor dhe zhvillimit, në rrjetet elektrike dhe në infrastrukturën rrugore.  Në fakt, megjithë ekulibrin buxhetor të vitit 2015, disa ministri kanë një rritje thelbësore në buxhetin e tyre sidomos shëndetësia (+ 9,1 %, me 12,1 miliard) , kualifikimi dhe kërkimi shkencor (+ 8,6 %, me 15,3 miliard ), mjedisi (+ 6,5 %, me 3,9 miliard) si dhe familja dhe personat e moshuar (+ 6,2 %, me 8,5 miliard).

Ndërkohë që të gjitha shpenzimet kapin shifrën 299,5 miliard euro, zëri kryesor buxhetor, puna dhe çështjet sociale (124,8 miliard), përfitojnë një rritje të vogël me 2,3 %. Zëri i dytë i shpenzimeve, mbrojtja (32,3 miliard), pakësohet me 0,5 % si dhe zëri i tretë, që nuk është tjetër veçse rimbursimi i borxhit (28,2 miliard, në ulje de 1,4 %).

Krahas kësaj, kancelarja përmendi angazhimin ndërkombëtar të Gjermanisë. Ajo i ka njoftuar bashkëkombasit e saj se lufta kundër Shtetit islamik nuk do të fitohet “menjëherë”. /Le Monde/

PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button