Shkence

MISTERET E UNIVERSIT: Kur ka nisur gjithçka?

Antena gjigande në gjurmët e Big Bangut, detektorë të antimateries në hapësirë … të fundmet zbulime në kozmos, përgjigje dhe pyetje ende të hapura

Screen Shot 2015-07-13 at 3.24.58 PM

Deri pothuaj një shekull më parë, mendohej që pamja qiellore ishte e pandryshueshme dhe e përjetshme, gjithmonë e njëjtë me vetveten. Sot e dimë që nuk është kështu: galaksitë e largëta janë duke i ikur njëra-tjetrës në mënyrë të tillë, që na bën të mendojmë se njëherë e njëkohë – 13,8 miliardë vite të shkuara – ishin të gjitha të përqëndruara në një pikë, në temperatura dhe dendësi të mëdha. Me fjalë të tjera, universi ynë ka lindur nga një shpërthim: Big Bangu. Që nga atëherë ka vazhduar të zgjerohet dhe do ta bëjë edhe në të ardhmen.

PYETJE TË REJA. Por kjo nuk do të thotë që gjithçka të jetë e sqaruar mbi historinë dhe strukturën e kozmosit. Në të kundërtën, zbulimi i Big Bangut ka bërë të mundur një seri pyetjesh të reja, që më parë dukeshin të pakonceptueshme. Si e ka patur zanafillën koha? Kishte ndoshta diçka para fillimit? Universi ynë është i vetmi i mundshëm, apo mundet të ekzistojnë të tjerë?

Në ditët në vijim do të publikojmë një përzgjedhje të 10 mistereve më magjepsëse në ekzaminimin e shkencës. Disa nga këto mund të ishin zgjidhur shpejt. Të tjera ndoshta, nuk do të zgjidhen kurrë, ose ndoshta do të formulohen ndryshe. Por të gjitha demonstrojnë që shkenca nuk magjeps aq shumë për përgjigjet që jep, sesa për pyetjet e reja që lejon të formulohen, për portat e reja që hap drejt të ardhmes.

KUR KA FILLUAR E GJITHA?

Askush nuk është në gjendje të shpjegojë sesi, në fillim, kozmosi është vënë në lëvizje. E sipas disa hipotezave, madje, koha nuk ekziston. Sipas teorisë klasike të Big Bang-ut, fillimi i Universit është për natyrën e vet i papërshkrueshëm. Me kohën “zero”, në fakt, gjithçka që sot vëzhgojmë ishte e pëqëndruar në një pikë me dimensione të vogla fare, dendësia e të cilës ishte kaq e madhe, saqë materia ngatërrohej me energjinë, dhe forcat në lojë ishin të ndryshme nga ato aktuale. Për të shpjeguar sesi ishte Universi atëhere, do të duhej diçka që akoma nuk është: një teori e re që bashkon relativitetin e Ainshtainit (që shpjegon Universin në shkallë të madhe, të dominuar nga graviteti) dhe mekanikën kuantike (që shpjegon thërrmijat elementare, por që injoron gravitetin). Këto dy teori të mëdha, në fakt, në situatën që ne njohim janë të dyja shumë mirë të eksperimentuara, por në rrethana ekstreme si Big Bang-u bëhen të papajtueshme midis tyre.

PËRPARA  FILLIMIT. Midis hipotezave të reja, ajo që më shumë nga të gjitha trajton çështjen e origjinës së strukturave të hapësirës e të kohës është Loop Quantum Gravity, e midis themeluesve të saj është italiani Carlo Rovelli, docent në Universitetin e Aix-Marsejë. Sipas kësaj teorie, Big Bangu ësht ë prodhuar nga një fazë paraardhëse: në origjinë ka qenë një Univers që kontraktohej deri sa u përqëndrua në një pikë, e më pas“shpërtheu” dhe filloi të zgjerohet. Sipas teorisë, vetë koncepti i kohës është i dobishëm në shkallë njerëzore, por nuk ekziston në nivel themelor: “Eshtë një fenomen “në zhvillim”,- thotë Rovelli. “Paksa si uji, që humbet domethënien në nivel mikroskopik, për aq sa njohuri ne kemi, zhvillohet nga bashkimi i atomeve pa fund të hidrogjenit dhe të oksigjenit”. Në të njëjtën mënyrë, struktura më intime e realitetit është si një shkumë në ndryshim të përjetshëm, pa mundur gjithsesi të përcaktohet një kohë unike e universale, e vlefshme për të gjitha pjesët e saj. “Nëse do mundeshim të njihnim ekzaktësisht të gjitha ndryshoret në shkallë nënatomike”, konkludon Rovelli “nuk do të kishte kohë, gjë e cila, në një analizë përfundimtare, është rezultat i injorancës tonë”. /Nicola Nosengo / Airone-Bota.al

Leave a Reply

Back to top button