Rrënjët okulte të nacional-socializmit në një përzierje shpërthyese të politikës, racizmit dhe kulteve ezoterike
Në vitin 1899 u botua një tekst, i destinuar të ndikonte gjerësisht lëvizjen e ardhshme nacional-socialiste në Gjermani: quhej Themelet e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe autori i saj ishte një anglez me nënshtetësi gjermane, Houston Steëart Chamberlain. Teza në themel të veprës ishte që gurthemeli i historisë është raca: gjermanët, në veçanti, ishin të destinuar të shfaqeshin “zotërinj të vërtetë të botës”, pasi kishin trashëguar cilësitë më të mira të grekëve dhe të dhe indo-arianëve. Kjo ide magjepsi shumë Adolf Hitlerin dhe natyrisht pati jehonë të gjerë në Gjermani, ku u shumëzuan qarqet kulturore dhe dashamirësit ezoterikë të mitologjisë nordike.
Në vitin 1910, studiuesi Felix Niedner përktheu nga norvegjishtja e lashtë në gejrmanisht tekstet poetike të Eddas, të cilat janë botuar në një seri të quajtur “Thule”, ishulli legjendar që konsiderohet si djepi i popullit “të pastër” gjerman. Menjëherë pas kësaj, në vitin 1912, u themelua Germanenorden (Rendi i gjermanëve): një shtëpizë e fshehtë si ato masonike, me karakter racist ku spikaste fort anti-semitizmi. Rudolf von Sebottendorf organizoi degën bavareze, të riemërtuar si Thule-Gesellschaft (Shoqëria e Thules), e themeluar në gusht të vitit 1918 në Mynih të Bavarisë, frymëzuar prej “racës së pastër ariane”.
Në Shoqërinë Thule bënë pjesë shumë prej udhëheqësve të ardhshëm të nacional-socializmit, si Rudolf Hess, Julius Streicher dhe Alfred Rosenberg. Njëri prej anëtarëve të saj, Anton Drexler, themeloi “Partinë e Punëtorëve Gjermanë (DAP), e cila në pranverën e vitit 1920 u bë Partia Nacional-Socialiste e Punëtorëve Gjermanë: në korrik të vitit 1921 udhëheqjen e saj e mori Adolf Hitleri.